1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Veriu influencon dialogun Prishtinë-Beograd

8 Shkurt 2012

Në Nju Jork u mbajt seanca e KS të OKB kushtuar gjendjes në Kosovë. Situata në veri po ndikon edhe në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, u tha në Nju Jork. Ban Ki Moon kërkoi vazhdimin e dialogut.

https://p.dw.com/p/13zsB
Këshilli i Sigurimit
Fotografi: dapd

"Situata e tensionuar në veri të Kosovës ka ndikuar dukshëm në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Disa marrëveshje janë arritur dhe janë nënshkruar në tre muajt e kaluar, por zbatimi i tyre po shkon shumë ngadalë." Kështu thuhet në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, të cilin para KS e prezantoi ndihmësi i tij Edmond Mile. Qëndrimet e serbëve të Kosovës, qëndrimet e Beogradit dhe ato të institucioneve të Kosovës kanë bërë që situata në veri të jetë e tendosur, dhe është pikërisht kjo situatë që po ndikon në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe pespektivën evropiane të rajonit, theksohet në raportin e posaçëm për Kosovën.

Ban Ki Moon vlerëson gadishmërinë e Tadiqit dhe Thaçit

Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Moon shprehet i kënaqur me marrëveshjet e arritura në dialog. Por jo edhe me zbatimin e tyre. Ai ka përshëndetur gatishmërinë e shprehur së fundmi të presidentit serb Boris Tadiq dhe kryeministrit Hashim Thaçi për takim kokë më kokë, për të zgjidhur problemet në raporte mes këtyre dy vendeve. Përsa i përket bllokadave të rrugëve në veri, në raport thuhet se heqjen e tyre e ka kërkuar edhe vetë presidenti Tadiq dhe qeveria në Beograd. Trupat ndërkombëtare janë ato, të cilat kanë mundësuar lëvizjen në zonat e bllokuara. Por serbët e atjeshëm edhe më tej kundërshtojnë vendosjen e doganierëve kosovarë në kufi me Serbinë.

Në raport shprehet shqetësimi edhe për shkak të referendumit të paralajmëruar të serbëve në veri të Kosovës. Ban Ki Mooni e quan të panevojshëm referendumin e serbëve dhe rikujton se atë e ka kundërshtuar edhe vetë Beogradi zyrtar.

Guido Westerwelle dhe Enver Hoxhaj në Berlin pas takimit më 16.01.2012
Guido Westerwelle dhe Enver Hoxhaj në Berlin pas takimit më 16.01.2012Fotografi: DW

Hoxhaj: Serbisë nuk duhet t'i jepet statusi i kandidatit pa plotësimin e kushteve

Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj kërkoi që Serbisë të mos i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pa i plotësuar obligimet e saj. "Një gjë e tillë do të kishte pasoja negative afatshkurtra dhe afatgjata në Kosovë, sepse gjendja e tanishme në veri mund të shndërrohet në një konflikt të ngrirë. Kjo do të bënte të pamundur edhe normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës", u shpreh Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm kosovar i bëri thirrje Serbisë që të tërheqë strukturat paralele nga Kosova. Ndërkohë që idetë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë i quajti si "shumë të rrezikshme". "Edhe për Serbinë do të ishte mirë që kufijtë në Ballkan të definohen një herë e përgjithmonë", tha Hoxhaj. Ai shtoi se në katër vitet e pavarësisë së Kosovës janë shënuar rezultate të rëndësishme. "Kosova është vend demokratik, me institucione shumëetnike dhe e gatshme të trajtojë të gjitha problemet me interes të përbashkët. Reformat janë duke u zhvilluar në frymën më të mirë evropiane. Ndërkohë që ndër prioritetet e qeverisë janë lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar", theksoi ministri i Jashtëm i Kosovës. Sa i përket gjendjes ekonomike, ai bëri të ditur se Kosova ka shënuar vitin e kaluar një rritje prej 5 %.

Vuk Jeremiq, ministri i Jashtëm serb
Vuk Jeremiq, ministri i Jashtëm serbFotografi: AP

Jeremiq: Krimet me organet të hetohen nën patronazhin e KS të OKB

Me qëndrime krejt të tjera u paraqit homologu i tij serb Vuk Jeremiq, i cili tha se negociatat janë rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve. Por ai mendon se marrëveshjet në dialog duhet të arrihen mbi bazën e Rezolutës 1244, e cila parashikon që Kosova është pjesë e Serbisë. Jeremiqi kërkoi që hetimet lidhur me akuzat për trafikim me organet e serbëve në Kosovë dhe Shqipëri të zhvillohen nën patronazhin e KS të OKB-së. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë mundësohet që të përgjigjen të gjithë ata që kanë bërë krime. Ai bëri të ditur se Serbia do të kërkojë konsultime të reja në KS të OKB për këtë çëshjte.

Jeremiq kritikoi Euleksin me fjalët se ka mundur të nxjerrë para drejtësisë dy personat e dyshuar për trafikim me organe, por ka lejuar që ata të ikin jashtë vendit. Sa i përket gjendjes në veri të Kosovës, ai tha shkurt se gjendja është e tendosur, se Serbia e ka dënuar dhunën dhe ka kërkuar heqjen dorë nga aksionet që mund të cënojnë gjendjen e sigurisë.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi