1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Verhofstadt: BE duhet të ndryshojë

Bernd Riegert28 Qershor 2016

Pas Brexit, politikanët evropianë shtrojnë pyetjen si do të vejë më tej puna me BE. Guy Verhofstadt, kryetar i liberalëve në Parlamentin Evropian kërkon në intervistë me DW një qeveri të vogël, por të fortë të BE.

https://p.dw.com/p/1JEgb
Guy Verhofstadt im DW Interview mit Zhanna Nemtsova
Fotografi: DW

Deutsche Welle: Zoti Verhofstadt, ju thoni se britanikët nuk votuan kundër Evropës, por kundër BE. Çfarë ecën gabim në BE?

Guy Verhofstadt: Bashkimi Evropian është një konfederatë e shteteve nacionale, të cilat duhet të vendosin njëzëri, të cilët veprojnë gjithmonë shumë vonë dhe shumë pak. Ky është problemi. Këtë e pamë kur u përpoqëm të trajtojmë krizën e refugjatëve, të trajtojmë krizat gjeopolitike e edhe krizat përreth euros. Kjo nuk funksionon më. Ne nuk kemi më një Bashkim, i cili të jetë në gjendje të japë përgjigje efikase për sfidat. Unë mendoj se kjo do të bëjë që BE në disa vende të refuzohet nga njerëzit.

A është integrimi më i thellë, një bashkim gjithnjë e më i ngushtë me të vërtetë përgjigjia?

Përgjigjia ime nuk është që të kemi më shumë integrim, të paktën jo këtë lloj integrimi. Ajo që kemi ne është një konfederatë. Kjo është pikërisht e kundërta e asaj për të cilën kemi nevojë. Ne do të kishim nevojë për shembull për një qeveri të vogël evropiane. Nuk kemi nevojë për një Komision Evropian me 28 anëtarë, vetëm sepse kemi 28 shtete anëtare. Na duhet një qeveri ekonomike për Eurozonën. Na duhet, për të marrë një shembull tjetër, një roje bregdetare evropiane dhe një mbrojtje kufitare evropiane, sepse kemi edhe një hapësirë të përbashkët të Shengenit. Na duhet një mbrojtje e përbashkët, përndryshe nuk mund të bëjmë politikë të përbashkët të jashtme, për të përballuar sfidat gjeopolitike. Pra për këto bëhet fjalë në të vërtetë. Po të mos ndodhë kjo, ne do të kemi gjithnjë e më shumë referendume në të gjitha qoshet e Evropës, të cilat do ta refuzojnë Evropën.

A nuk duhet që shtetet nacionale t'u japin institucioneve qendrore në Bruksel edhe më shumë sovranitet dhe kompetenca?

Jo, këto nuk janë problemet që prekin vërtet qytetarët. Qytetarët nuk merren me subsidiaritet, sovranitet dhe integrim. Ajo që i preokupon ata është një BE që të merret me problemet e tyre konkrete. Këto probleme mund të jenë papunësia ose siguria ose një politikë e drejtë imigrimi. Shikoni Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në krizën financiare ato reaguan shpejt për shëndoshjen e bankave të tyre. Pas nëntë muajsh ishte kryer gjithçka. Kurse ne vazhdojmë ende të punojmë për pasojat e krizës financiare, e cila ka shtatë-tetë vjet që ka ndodhur. Ky është problemi. Pra ne duhet të bëjmë atë që është e nevojshme. Nuk na lejohet të themi që britanikët po ikin, por ne le të vazhdojmë si më parë.

Guy Verhofstadt (63) është kryetar i Grupit Parlamentar Liberal në Parlamentin Evropian. Prej vitit 1999 deri 2008 ai ishte kryeministër i Belgjikës.

Intervistën e zhvilloi Bernd Riegert.