031111 G20 Gipfel Auftakt
4 Nëntor 2011Qiell i kthjellët, temperatura të këndshme ende në nëntor, Cote d'Azur direkt në pallatin e kongreseve. Një rend dite ambicioz, gjithashtu me vizione për ta bërë botën një vend më të mirë. Ky ishte plani i mikpritësit të samitit Nicolas Sarkozy për takimin e të fuqishmëve nga vendet më të rëndësishme të industrializuara dhe në industrializim e sipër. Por ky plan nuk realizohet. Natyrisht, për motin e keq në Cannes nuk ka faj presidenti francez, por që tragjedia greke u acarua kaq shumë dhe eklipson tani samitin e tij të G20-ës, për këtë janë përgjegjës vetëm evropianët. Tepër gjatë kanë ngurruar dhe morën tani shpërblimin për menaxhimin e keq të krizës. Fjala vendimtare e mesnatës e Angela Merkel-it dhe Nicolas Sarkozy-së drejtuar kryeministrit grek Papandreou duhet të kishte ardhur shumë më herët.
Zgjidhje problemesh à la Cannes
Takime të ngutura krize në çështjen e dramës greke kishte patur në Cannes që të mërkurën (02.11.2011) dhe edhe në ditën e parë të samitit të G20-ës vazhdoi kështu. U caktuan takime dhe pak më vonë u anuluan, në ndërkohë pati takime dypalëshe, dhe vazhdimisht lajme të reja nga Athina. Ndaj kthesës së re të kryeministrit Papandreou për të hequr dorë nga referendumi kancelarja gjermane Angela Merkel reagoi jashtëzakonisht ftohtë. "Për ne kanë rëndësi vetëm veprat dhe vepra do të thotë që Greqia të miratojë vendimet e 27 tetorit dhe deri tani nuk dallohet ende se si do të ndodhë kjo. Natyrisht që ne nuk do të përzihemi në politikën e brendshme greke për atë se si do të ndodhë kjo, por e rëndësishme është (kjo u tha nga të gjithë këtu) që të jepet po'-ja për vendimet e 27 tetorit. Sepse edhe të gjithë pjesëmarrësit ndërkombëtarë kanë thënë që këto vendime shkojnë në drejtimin e duhur, ishin një sinjal i rëndësishëm. Dhe besimi do të lindë vetëm nëse Greqia e miraton këtë program."
Pavarësisht kësaj evropianëve u desh t'u tërhiqej vëmendja prej partnerëve të G20-ës që t'u qasen problemeve me vendosmëri sepse në fund të fundit nuk bëhet fjalë vetëm për stabilitetin e Evropës, po për atë të gjithë ekonomisë botërore, u tha. Nga presidenti amerikan Barack Obama pati edhe lavdërime për "forcën udhëheqëse të Angelës", fjala ishte për kancelaren, por edhe një paralajmërim. Recesioni nuk ka ç'i duhet Obamës, ai kërkon të rizgjidhet vitin e ardhshëm. Presidenti kinez Hu Jintao dhe homologu i tij rus Dimitri Medvedev kërkuan gjithashtu me forcë veprime të shpejta nga ana e evropianëve. Jo krejt pa përfitim vetjak, sepse marrëdhëniet ekonomike të dy fuqive me Evropën janë të theksuara. Dhe ekonomitë e tyre vuajnë ndërkohë po aq shumë nën pasojat e krizës së huave sa vendet e tjera në kufirin mes dy gjendjeve të zhvillimit: Brazil, Indi dhe Afrikë e Jugut.
Shtytje për ekonominë botërore
Prandaj nuk të habit fakti që G20-a shpalli në fund të ditës së parë se kërkon të stimulojë ekonominë botërore. Një i ashtuquajtur "Plan veprimi për rritje ekonomike dhe punësim" synon të sigurojë më shumë bashkërendim ndërkombëtar në politikën ekonomike. Para së gjithash G20-a ka këtu parasysh papunësinë galopante te të rinjtë. Gjithashtu planifikohet të zhvillohet një sistem i ri monetar, i cili pasqyron më mirë rëndësinë e rritur të vendeve në industrializim të avancuar. Edhe peshat e vendeve brendapërbrenda Fondit Monetar Ndërkomtar do t'i përshtaten më mirë realitetit.
Autor: Henrik Böhme / Elert Ajazaj
Redaktoi: Lindita Arapi