1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Frühjahrstagung IWF Weltbank.

17 Prill 2011

Me paralajmërime për rreziqe të vjetra dhe të reja, përfundoi takimi i pranverës i FMN-së dhe Bankës Botërore. Në qendër të kritikave ishin vendet e industrializuara: borxhet e tyre publike rrezikojnë ekonominë botërore.

https://p.dw.com/p/10uzX
Fotografi: DW/R.Wenkel

Vendet e industrializuara, e para së gjithash SHBA, u kritikuan qartë në takimin e pranverës të FMN-së dhe Bankës Botërore në Uashington, për shkak të politikës së tyre të borxheve. Me këtë politikë ato rrezikojnë të shkaktojnë pasoja negative për vende të tjera dhe ekonominë botërore në përgjithësi. Këto ishin për shembull kritikat e përfaqësuesve të Rusisë dhe Brazilit, në komisionin drejtues të FMN-së. Ministri amerikan i Financave Timothy Geithner, siguroi se qeveria e tij me një program të fortë kursimesh, do të reduktojë këtë vit në mënyrë masive deficitin buxhetor prej rreth 11%. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble foli për sukseset gjermane në konsolidimin e buxhetit.

"Ka dyshime mbi aftësinë rezistuese të buxheteve publike. Në këtë drejtim gjermanët lëvdohen thuajse aq shumë sa nuk mund të përsëritet pasi edhe shumë lëvdata nuk janë të mira."

Axel Weber / Wolfgang Schäuble / IWF Weltbank Washington
Bisedime intensive në Uashington: shefi i Bankës Federale gjermane Axel Weber dhe ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble.Fotografi: DW

Reduktim më i shpejtë i borxheve

Guvernatori i Bankës Federale Gjermane Axel Weber, i cili largohet nga detyra në fund të muajit, foli për zhvillimin e mirë ekonomik në Gjermani. Tremujori i parë i vitit shënoi rritje të fortë të të ardhurave buxhetore dhe nëse përpjekjet për konsolidim nuk do të zbehen, deri në vitin 2015 mund të arrihet që borxhi i ri të bjerë në nivelin 2% të PBB-së (Produktit të Brendshëm Bruto), që do të ishte dukshëm nën kufirin prej 3%, përcaktuar nga marrëveshja e Mastrihtit. Ministri gjerman i Financave tërhoqi megjithatë vëmendjen ndaj rreziqeve të tjera për ekonominë botërore:

Kontroll më i fortë për jobankat

"Ka disa dobësi që vazhdojnë në sistemet bankare të ekonomive më të mëdha të vendeve të zhvilluara. Ndërsa në disa vende në ekspansion ekonomik, ka tendenca inflacioniste. Në këtë sfond është akoma më e rëndësishme, që të çojmë përpara me vendosmëri procesin për forcimin e sektorëve tanë financiarë."

Këtu bëjnë pjesë para së gjithash mekanizma dhe marrëveshje për të kontrolluar më mirë ato institute financiare, të cilat nuk kanë status bankash, si për shembull arkat e pensioneve, fondet e investimeve dhe ato hedge.

Ministri Schäuble vlerësoi si sukses marrëveshjen e arritur nga G20-a në Uashington për ngritjen e një sistemi alarmi, kundër disekuilibrit ekonomik, i cili mund të rrezikonte sërish sistemet financiare dhe ekonomike. Shtatë vende me deficite apo teprica të mëdha, do të merren në shqyrtin të hollësishëm. Një prej tyre ka të ngjarë të jetë edhe Gjermania, për shkak të tepricave në bilancin e saj tregtar.

Autor: Rolf Wenkel / Eliana Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj