1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vdekje në emër të drejtësisë?

Simon Broll/Amarildo Topi11 Korrik 2014

Në 32 shtete të SHBA lejohen ende ekzekutimet me vdekje. Ndërkohë rritet numri i atyre që janë kundër. Madje edhe shoqatat e viktimave janë për heqjen e dënimit me vdekje.

https://p.dw.com/p/1CaOa
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kristin Froehlich përpiqet të përmbahet kur tregon për vrasjen e vëllait të saj David. 19 vjet më parë David dhe katër miq të tij u vranë nga qiradhënësi i apartamentit ku jetonin në Konektikat. Kristin Froehlich ende e ka të vështirë të flasë për atë ngjarje, por sot duhet të thotë fjalët e duhura. Ajo ka udhëtuar qëllimisht në Uashington për të treguar eksperiencën e saj. Për ndjesinë e pafuqishmërisë. Për trishtim. Por edhe për dënimin me vdekje.

Kristin Froehlich
Fotografi: Simon Broll

"Viktimat kanë nevojë edhe për mjete të tjera, në mënyrë që plagët e tyre të shërohen dhe të vazhdojnë jetën, jo vetëm ekzekutime apo dënime me vdekje", thotë ajo. Punonjësja sociale është duke folur para një grupi demonstruesish para Gjykatës Supreme, shkalla me lartë e gjykatave në SHBA. Është i vetmi autoritet që mund anulojë dënimet me vdekje në nivel federal. Në raste të veçanta Presidenti ka të drejtë të falë. Në SHBA dënimet me vdekje janë çështje shtetërore. Në Delauer, ku jeton Froehlich, ekzekutimet lejohen ende.

Më shumë kritikë

Numri i kritikëve në vend rritet. Sipas një sondazhi të fundit nga Pew Research Centers 55% e amerikanëve janë pro dënimeve më vdekje, por kjo shifër është më pak se ajo e viteve 90‘ ku 78% e tyre ishin pro dënimeve me vdekje. Në të njëjtën kohë rritet edhe numri i shteteve ku ndalohen ekzekutimet me vdekje. Si përshembull në Nju Xhersi, Konektikat, Ilinois, Nje Meksiko dhe Mariland. Refereundume për këtë çështje do të mbahen në Kolorado, Kaliforni dhe Delauer. Për Abraham Bonowitz kjo është një shenjë e mirë.

Bonowitz është pjesë "Abolition Action Committee", organizatë që lufton për ndalimin e dënimeve me vdekje në nivel federal. Deri tani ekzekutime kryhen në 32 shtete amerikane. Dy ekzekutime u kryen ditën e djeshme (10.07.2014) në Xhorxhia dhe Florida. Tommy Lee Waldrip dhe Eddie Davis janë emrat e dy të dënuarve. Waldrip është dënuar për vrasjen e një burri i cili do të dëshmonte kundër djalit të tij, ndërsa Davis për vrasjen e vajzës 11 vjeçare të ish të dashurës së tij.

Demonstrues para Gjykatës Supreme
Demonstrues para Gjykatës SupremeFotografi: Simon Broll

"Uri për drejtësi"

Abraham Bonowitz ka veshur një bluzë të bardhë, ku nga mbrapa lexohet "Uri për drejtësi". Aktivisti çdo vit në fillim të korrikut vjen në Uashington për të mbajtur grevë urie për disa ditë. Ai përpiqet të sensibilizojë popullatën. Ndër të tjera edhe me fjalime si ai i Kristin Froehlich. "Gjithnjë e më shumë njerëz nuk ndihen mirë me dënimet me vdekje. Kjo nuk do të thotë se ata janë menjëherë kundër. Por nëse atyre u ofrohet një tjetër alternativë tjetër, si përshembull burgimi i përjetshëm, preferojnë këtë mundësi", thotë ai.

Një arsye për rritjen e kundërshtimit ndaj dënimit me vdekje, janë dënimet e gabuara, thotë Sarah Croft nga OJQ-ja "Equal Justice USA". Croft është bashkuar me demonstruesit para Gjykatës Supreme. "Ka shumë raste për njerëz që kanë marrë dënime me vdekje dhe më pas janë lënë sërish të lirë", thotë ajo. "Death Penalty Information Center" informon për 144 raste të tilla.

Jo të gjithë janë kundër dënimit me vdekje

Pak metra më tek ndodhet Eric Christiansen. Inxhinieri nga Teksasi është kundër heqjes dënimit me vdekje . "Unë jam për dënimin me vdekje. Shpresoj që të shërbejë ende si parandalim për krime të tjera", thotë 44 vjeçari.

Aktivisti amerikan Abraham Bonowitz
Aktivisti amerikan Abraham BonowitzFotografi: Simon Broll

Christiansen nuk është i vetmi që mendon kështu. "Duhet të mendohet për familjet e të vrarëve. Nëse ata duan dënim me vdekje atëherë ashtu të bëhet", thotë 18 vjeçari Sullic.

Bonowitz thotë se këtë vit kanë qenë më shumë njerëz të interesuar në krahasim me vitet e mëparshme. Kjo i jep atij guxim për të ardhmen. "Në 10-15 vitet e fundit shumë shtete kanë shfuqizuar dënimet me vdekje e për rrjedhojë shumë çështje i kanë kaluar për gjykim Gjykatës Supreme." Një fitore ka qenë edhe ndalimi i ekzekutimit për minorenët që prej vitit 2005. "Këto që po bëjmë janë hapa të vegjël, por do të fitojmë." Deri atëherë Bonowitz do të bëjë gjithmonë grevë.