Vatra aktive zjarri në male, nga veriu në jug të Shqipërisë
15 Gusht 2021Ministria e Mbrojtjes në deklaratën zyrtare, në mbrëmjen e së shtunës (14.08), mbi situatën e zjarreve, njoftoi se "ndodhen të pashuara 8vatra zjarri, të shpërndara nga veriu në jug të vendit”.
Më problematiket, sipas kësaj deklarate, janë ato në majën e Malit të Rrunës, në Kukës, në Malin e Tërbunit, në Pukë, në Dibër, Mirditë, Lezhë dhe Memaliaj,
"Era favorizon përhapjen me shpejtësi të zjarrit që po djeg dhjetra hektarë me pisha dhe dru ahu në pyje, shkurre dhe pemë të ndryshme. Për shkak të terrenit ndërhyrjet në vatrat e zjarrit në male bëhen vetëm nga ajri me helikopterë zjarrfikës, pasi nga toka nuk është e mundur,” theksohet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.
Në Mirditë dhe në Dibër zjarrret kanë dalë jashtë kontrollit dhe po afrohen në masivin me pisha në territorin e bashkisë së Klosit. Forcat zjarrfikëse kanë monitoruar gjatë gjithë natës situatën dhe janë përpjekur që zjarret të mos kalojnë në zonat e banuara.
Të dielën në mëngjes, (15.08) efektivat e Forcave të Armatosura dhe strukturat lokale të zjarrfikësve kanë rinisur punën për shuarjen e tetë vatrave të zjarrit, me fokus ato në Mirditë dhe Dibër.
Nga 184 vatra zjarri në nivel kombëtar, 176 janë shuar
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, që nga shpërthimi i zjarreve në Shqipëri, në fillim të këtij muaji, kur vendi u përfshi nga i nxehti afrikan dhe deri sot, (15.08) janë shuar 176 vatra zjarri , ku më të rrezikshmet kanë qënë në Gadishullin e Karaburunit dhe në malësitë e Lumit të Vlorës, për shkak të afërsisë së tyre me Parkun Kombëtar të Llogarasë si edhe ato në terrenin mbi tunelin e Kalimashit, në autostradën Shqipëri-Kosovë. Në shuarjen e tyre ndihmuan helikopterët zjarrfikës që mbrritën një javë më parë nga Holanda dhe Çekia, në kuadër të aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, në përgjigje të kërkesës së Shqipërië për mbështetje.
Përpjekjet e Forcave të Armatosura dhe strukturave të Emergjencave Civile janë përqëndruar tani në shuarjen e tetë vatrave egzistuese të zjarrit që përbëjnë rreth 5 përqind nga totali i deritanishëm i tyre prej 184 të tilla në shkallë vendi.
Një bilanc heroik ky nëse kihet parasysh baza e varfër operacionale, mjetet e vjetëruara afër skadencës së përdorimit të tyre dhe mungesa e kapaciteteve njerëzore të treinuara për t'iu përgjigjur me efikasitet situatave të tilla të emergjencave civile. Gjithsesi rreziku i vatrave të reja të zjarrit është i pranishëm për shkak të erës që përhap zjarret.