Valë zemërimi dhe hidhërimi në Hungari
10 Shkurt 2009Në radhët e atyre që morën pjesë në ceremoninë e përmortshme ishte edhe kreu i opozitës hungareze, nacionalisti konservator Viktor Orbán. Në Hungari po shtohet njëkohësisht edhe urrejtja ndaj romëve, sepse mendohet se autorët e vrasjes dhe të plagosjeve të mësipërme janë romë. Kjo u vjen për shtat edhe radikalëve të djathtë hungarezë, të cilët duke marrë shkas nga vrasja e Cozmës, kanë filluar sërisht me parakalime.
"Garda Hungareze"
"Garda Hungareze" zhvillon parakalime në rajonin 8-të të Budapestit, ku jetojnë shumë romë. Ky është një nga shumë parakalime marciale të zhvilluara gjatë dy viteve të kaluara, që zhvillohen sipas një modeli: kryesuesi i grupit jep duke bërtitur komanden dhe një njësi prej rreth 100 personash në uniformë parakalojnë duke ecur me një hap dhe fytyra të ngrira nëpër rrugë. Në fund ata që marrin fjalën në manifestim dënojnë të ashtuquajturin "kriminalitet i ciganëve".
Garda manipulon me frikën qytetare
Shefi i Gardës Gábor Vona e sqaron ndonjëherë edhe vetë qëllimin e këtij teatri paraushtarakësh: "Ne do t'ua bëjmë të qartë të gjithëve, edhe ju ciganëve, se në qoftë se do të jetë e nevojshme do ta organizojmë vetë mbrojtjen tonë! Për nga numri nuk jemi ende në gjendje t'u garantojmë sigurinë të gjithë banorëve të vendit tonë. Por ne që tani jemi në gjendje t'u japim një shembull dhe shpresë, në mënyrë që të gjithë ta mbajnë kokën më lart!"
Garda Hungareze shfrytëzon çdo rast për të parakaluar. Kështu edhe tani pas vrasjes së hendbollistit rumun Marian Cozma në Veszprém dhe plagosjes së dy kolegëve të tij. Por edhe pse dorasit ishin rastësisht romë, ata nuk e kryen këtë krim se janë romë, por se janë mafiozë dhe kriminelë. Por ekstremistët e djathtë nuk bëjnë diferencime të tilla. Edhe pse numri i anëtarëve të së ashtuquajturës Garda Hungareze që mori pjesë në ceremoninë përkujtimore në arenën e sportit në Veszprem ishte i vogël, edhe në radhët e rreth 2000 pjesëmarrësve të tjerë u dëgjuan shumë parrulla raciste.
Në një deklaratë për shtyp të Gardës thuhet se vrasja e Cozmas tregon sërish se policia hungareze nuk kujdes aspak për sigurinë publike. Shefi i Gardes, Gábor Vona thotë se njerëzit kanë humbur ndjenjën e sigurisë. "Një ndër faktorët më të rëndësishëm është në këtë mes problemi i bashëjetesës mes hungarezëve dhe ciganëve. Ciganët po bëhen gjithnjë më kriminelë, fëmijët e ciganëve rriten në një ambient ku nuk konsiderohet si krim të vjedhësh dhe të keqtrajtosh hungarezët. Ne, Garda, jemi bashkimi i atyre që besojmë se mund ta ndryshojmë këtë gjendje."
Garda Hungareze u themelua në vitin 2007 si aneks i partisë ekstremiste të djathtë „Jobbik“, dmth „Lëvizja për një Hungari më të mirë dhe më të drejtë“. 30-vjeçari Gábor Vona, kryetar i kësaj partie, u bë edhe shefi i Gardës. Kjo organizatë thuajse ushtarake ka më pak 2000 anëtarë, por parakalimet e tyre të vazhdueshme kudo në Hungari duket se janë të vlefshme dhe të sukseshme për partinë Jobbik. Edhe pse deri tani e papërfaqësuar në parlament, sipas anketimeve kjo parti renditet forca e tretë politike pas socialistëve dhe nacional-konservatorëve.