Vështirësi për shkollimin e fëmijëve të emigrantëve të kthyer në vendlindje
22 Dhjetor 2014Besi Hoxhaj, mjeshtër në përpunimin e drurit, punoi për rreth 14 vjet në Greqi. Në periudhën e verës ai u kthye përfundimisht në Tiranë, së bashku me familjen e tij, duke e vijuar zanatin e tij në një kompani të përgatitjes së mobiljeve. Por ai pohon se e më e paparashikuara në rikthimin në vendlindje lidhet me arsimimin e dy fëmijëve. “Ata kanë ndjekur shkollat greke, ku kanë pasur rezultate shumë të mira. Por nga kriza ekonomike ne nuk mund të qëndronim më në Patra, ndaj dhe vendosëm që të kthehemi dhe ata të vazhdojnë shkollën këtu. Kanë pengesa nga gjuha shqipe dhe nuk i kuptojnë mirë mësuesit. Lëndët i trajtojnë ndryshe nga shkolla greke.”
Ai tregon për Deutsche Welle-n se për djalin që është në klasën e katërt ka pajtuar një mësues privat, që i bën mësime shtesë. “Duhet të ketë trajtim të veçantë nga shkolla dhe mësuesit për fëmijët e kthyer nga emigracioni. Ata nuk duhet të përshtaten, që të mos bëjnë diferencë nga shokët dhe shoqet e klasës.”
Ndihmë për të kaluar barrierat psikologjike dhe gjuhësore
Por ky nuk është rasti i vetëm. Duke u interesuar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në Tiranë mëson zyrtarisht se në sistemin e arsimit parauniversitar numri i nxënësve, që kanë hyrë në sistem si rezultat i rikthimit të prindërve emigrantë, në të gjithë vendin është 1876. Ndërkohë dhe studentët, fëmijë të emigrantëve të kthyer në vendlindje për të vijuar studimet e larta shkon në 1628. Nisur nga këto shifra Ministria e Arsimit dhe e Sporteve e ka parë dhe e sheh me prioritet dhënien e mundësive të këtij kontigjenti për të zbatuar procesin e edukimit nëpërmjet riintegrimit të tyre, thotë zëvendësministrja, Nora Malaj, për Deutsche Welle-n.
“Ajo që instituticioni ynë po realizon në drejtim të riintegrimit të të gjithë shtetasve shqiptarë, që kthehen nga emigracioni, është zbatimi i strategjisë së riintegrimit, që lidhet me shansin, që i duhet dhënë çdo fëmije për të drejtën e arsimimit, ndihmën për të kaluar barrierat psikologjike dhe ato gjuhësore, nevojën për të asistuar nga afër fëmijët dhe familjet e tyre, në mënyrë që këta të fundit të gjejnë një klimë sa më miqësore dhe një raport sa më të ngushtë në përballjen me sfidat që deri më tash ata kanë kaluar”.
Duke shpjeguar procesin e asistencës ndaj këtij kontigjenti, Malaj shpjegon se njëkohësisht për vlerësimin e dijeve të marra në vendet nga ata vijnë, është edhe një qendër, që monitoron rastet dhe që realizon zhvillimin e integrimin e tyre.
“Kjo është në çdo qendër dhe drejtori rajonale dhe zonale e sistemit arsimor në vend. Qëllimi është që këto familje të riintegruara të asistohen dhe të ndihmohen për të qenë pjesë e zhvillimit të tyre”.
Mospërshtatja me mjedisin në shkollat shqiptare
Eksperti i çështjeve të arsimit, dr. Ndriçim Mehmeti, ish-zyrtar i lartë në Ministrinë e Arsimit, shprehet se problematika e nxënësve shqiptarë dhe të huaj të ardhur nga jashtë vendit, është prezantuar në arsimin shqiptar më herët, veçanërisht pas vitit 2009, kur kriza ekonomike në Evropë solli që emigrantë të shumtë nga Greqia, Italia dhe më pak nga vendet e tjera të rikthehen në Shqipëri. Në vitin 2009 u hartua dhe miratua me vendim të qeverisë “Strategjia për riintegrimin e shtetasve të kthyer nga jashtë vendit 2010-2015”, thotë dr. Mehmeti për Deustche Welle-n.
“Kjo strategji ndërministrore, u kthye në një plan-veprimi, ku Ministria e Arsimit dhe Shkencës mori përsipër një sërë detyrash, të cilat lidheshin me hartimin e një kurrikule të veçantë në lidhje me mësimin e gjuhës shqipe për ata, që e përvetësonin, pak, aspak, apo mjaftueshëm këtë gjuhë; ofrimi i shërbimit psikologjik, lehtësimi i proceduarve të njehsimit të studimeve të kryera jashtë vendit dhe regjistrimi në shkollat, ku jetonin etj. Po ashtu Ministria hapi shkolla verore për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve, që ktheheshin në atë periudhë në Shqipëri dhe dëshironin të vazhdonin mësimet në arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”.
Dr. Mehmeti është kritik me performancën aktuale të Ministrisë së Arsimit për shërbimet, që ofrohen, sidomos për në dy fusha të ndjeshme për këtë kategori, që janë: mësimi dhe përvetësimi sa më i mirë i gjuhës amtare dhe shërbimit psikologjik.
“Madje ka akuza të prindërve se mësuesit për mësimin e gjuhës shqipe u kërkojnë fëmijëve të tyre, të shkojnë në kurse private. Ministria ka mbyllur sektorin e diasporës, që ka qenë urë lidhëse mes tyre dhe vendit të tyre, për t'u mundësuar fëmijëve mësimin e gjuhës amtare dhe të kulturës shqiptare. Dy janë problemet më kryesore, me të cilat përballen sot fëmijët e emigrantëve: Vështirësia në komunikim formal dhe verbal në gjuhën shqipe, si dhe përshtatja e tyre me mjedisin në shkollat shqiptare. Që të dyja këto probleme, realisht vazhdojnë të mos marrin një zgjidhje të plotë nga Ministria dhe institucionet e saj përgjegjëse për integrimin e kësaj kategorie nxënësish”.
Një pjesë e prindërve nuk kanë mundësi për kurset private
Observatori i të Drejtave të Fëmijëve, një organizatë joqeveritare, që operon në të gjithë territorin e Shqipërisë ka përpiluar lista të fëmijëve nga familjet e emigrantëve të kthyer për çdo rajon të vendit. Drejtoria ekzekutive e Observatorit pohon se një pjesë e prindërve e kanë mundësinë ekonomike që të përballojnë vetë kurset private për përmirësimin e mësimnxënies të fëmijëve të tyre. Por ka dhe prindër, që nuk i kanë këto mundësi dhe pavarësisht mbështetjes, që u kanë dhënë mësuesit gjatë procesit mësimor, rezultatet e këtyre fëmijëve nuk janë shumë të larta, nga shkaku i vështirësive në përshtatjen me gjuhën dhe ngarkesat e teksteve shqiptare.
“Problematik lidhur me emigrantet e kthyer është dhe fakti se disa prej tyre nuk i kanë regjistruar fëmijët në zyrat e gjendjes civile dhe nuk kanë asnjë dokument, ose për shkak të dokumentave të sajuara që prindërit e tyre janë shtrënguar të përdorin në vendin e pritjes, duke krijuar vështirësi në vijimin e procesit të regjistrimit të të dhënave në Shqipëri. Ky zinxhir sjell pastaj dhe problematika të tjera për këta fëmijë”.