1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Ndihmë Sllovakisë në mbrojtje të hapësirës ajrore

24 Nëntor 2022

Në Sllovaki janë dislokuar që në muajin prill sisteme raketash Patriot të ushtrisë gjermane. Çfarë do të thotë në jetën e përditshme që të jesh vazhdimisht në gjendje për t‘u mbrojtur?

https://p.dw.com/p/4Jyl0
Sllovaki: Bundeswehr, Ushtria Gjermane në Sliac
Sllovaki: Bundeswehr, Ushtria Gjermane në SliacFotografi: David Ehl/DW

Një skifter është e vetmja gjë që fluturon këto ditë nëntori mbi qiellin e fushës ajrore të Sliacit. Dhe ai është më shumë i interesuar për minjtë e fushave fqinjë, të mbjella me karrota se sa për avionët MiG të ushtrisë sllovake, që shërbejnë më shumë si dekoracion se sa për të trembur ndonjë armik real. Sepse, në këtë luginë të përroit Gran të Sllovakisë qendrore, këtë punë e ka marrë përsipër ta bëjë ushtria gjermane: Majtas dhe djathtas pistës së betonuar ndodhen nga tre kamionë të rëndë të fiksuar tek shtyllat mbështetëse, në rimorkio arkat katrore janë drejtuar nga lart. Ato kanë brenda raketa kundërajrore, të gatshme çdo kohë që të qëllojnë kundër objekteve armiqësore që shfaqen në qiell. 

Sllovaki: Raketat e mbrojtjes ajrore të Ushtrisë gjermane Bundeswehr, janë dislokuar që në prill 2022 në Sllovaki
Sllovaki: Raketat e mbrojtjes ajrore të Ushtrisë gjermane Bundeswehr, janë dislokuar që në prill 2022 në Sllovaki Fotografi: David Ehl/DW

Fakti që raketat gjermane kanë vendosur këtu bateritë, ka të bëjë me sulmin rus kundër Ukrainës në dy aspekte: Nga njëra anë,NATO ka forcuar krahun e saj lindor, por nga ana tjetër ka mbyllur edhe hendekun e krijuar: Në ditët e para të luftës Sllovakia ia pati dhënë sistemin e saj kundërajror, vendit fqinj lindor, Ukrainës. 

Gjermania dhe Holanda plotësuan boshllëkun me nga tre skuadronë Patriot, aktualisht atje ndodhen tani vetëm dy skuadronet gjermanë. Holanda përfaqësohet tani në bazën ajrore vetëm me pak oficerë ndërlidhjeje, por nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen Holanda ta rrisë sërish personelin këtu. 

"Truri, syri dhe zemra e raketave Patriot" 

"Aty shohim të ashtuquajturin trikokësh, i cili ndodhet në kontenierët e mëdhenj sa një  kamion, të lyer me ngjyra kamuflazhi,” thotë reshteri Patrick. Intervistat ushtarët në shërbim, i japin sipas rregullit duke përdorur vetëm emrin, jo mbiemrin. Kemi të bëjmë këtu me qendrën e kontrollit të zjarrit, një radar me kapacitet të madh dhe një njësi gjeneratori për furnizimin me rrymë. "Truri, syri dhe zemra e raketës Patriot,” siç thotë Patricku. 

Sistemi Patriot gjerman i mbrojtjes ajrore
Sistemi Patriot gjerman i mbrojtjes ajroreFotografi: Axel Heimken/dpa/picture alliance

Në një mision si ky gazetarët nuk lejohen të afrohen, aq më tepër kur kanë një smartphone civil në xhep – por në internet ekzistojnë fotografi që tregojnë si duket nga brenda "truri”, i klimatizuar dhe i mbrojtur nga infektimi nga armët ABC, armë kimike, biologjike dhe atomike. Aty, krah njera-tjetrës ndodhen dy vende identike pune ku ndodhen ekranet, që tregojnë imazhet e radarit dhe informacionet e ndryshme në lidhje me statusin e ndezësve, që ndodhen disa qindra metra larg. "Në anën e djathtë qendron i ulur oficeri, dhe nga e majta unë, që jam reshteri që kontrollon zjarrin", thotë Patricku. 

Skuadroni i dytë Patriot, i vendosur në largësi të kapshme nga syri i njeriut, ka të njëjtat pajisje, dy pikat e kontrollit janë 24 orë në punë. Ushtaret dhe ushtarët ndodhen në kontakt gjatë gjithë kohës me instancat më të larta të qendrës së kontrollit ajror sllovak, që ndodhet në qytetin pranë, Zvolen. "Vendimi për të luftuar nuk merret nga ne, por merret më lartë, ne jemi vetëm të ftuar në këtë vend,” shpjegon rreshteri. Që me fillimin e misionit në prill 2022, nuk ka pasur asnjë incident që ta bënte të domosdoshëm marrjen e një vendimi të tillë.  

Patriotet në fokus pas sulmit me raketa të Polonisë 

Se sa shpejt mund të ndryshojë situata, e tregon sulmi me raketa kundër fshatit polak Przevodov më 15 nëntor 2022: Jo larg kufirit me Ukrainën, një raketë ra nga qielli dhe vrau dy civilë. Sipas të dhënave të Polonisë dhe SHBA, raketa S-300 ishte qëlluar nga forcat ajrore ukrainase. Qeveria e Kievit e ka hedhur disa herë poshtë këtë gjë. 

Reshteri Patrick ishte në shërbim kur ranë raketat. Është e qartë, se në një situatë të tillë duhet ruajtur fillimisht qetësia, dhe duhet sqaruar situata para hedhjes së ndonjë hapi përshkallëzues. "Ngjarje të tilla tregojnë edhe një herë sa e vështirë është gjendja. Kjo nuk ndodh shumë larg shtëpisë.” 

Si reagim ndaj sulmit në Przevodov, qeveria e Bratislavës i kërkoi NATO-s që të rrisë aftësinë mbrojtëse të hapësirës ajrore sllovake. Krah skuadroneve gjermanë Patriot, në këtë vend të vogël të BE-së janë dërguar përshembull Jets nga Çekia dhe Polonia, për të bërë të ashtuquajturin "Air Policing", fluturime ushtarake kontrolluese. Ushtria gjermane është përgatitur që të qëndrojë të paktën edhe një vit në Sllovaki. Përveç kësaj, ministrja gjermane e Mbrojtjes, socialdemokratja Christine Lambrecht, i ka ofruar edhe Polonisë dërgim të raketave Patriot. 

Si për mbrojtjen e Gjermanisë Federale gjatë Luftës së Ftohtë  

Koloneli Volker Pötzsch, komandanti i kontigjentit të trupave të ushtrisë gjermane në Sllovaki, shpjegon për Deutsche Wellen, se raketat Patriot janë vetëm një pjesë e vogël e strukturës së madhe mbrojtëse të NATO-s: "Ne mund të përshtatemi sipas varianteve të ndryshme të gjendjes. Çfarë armësh përdoren në një moment të caktuar, avionë apo sisteme mbrojtjeje me raketa apo diçka tjetër, vendoset nga NATO, duke parë gjendjen e përgjithshme. Pyetja kryesore që shtrohet është: Çfarë forcash kemi? Cilat forca janë në dispozicion? Dhe çfarë duhet mbrojtur në mënyrë akute, me cilën mënyrë?” 

Ushtria gjermane ka në dispozicion të ashtuquajturat "eVA" - "enhanced Vigilance Activities", pra për aktivitete të gjera zbulimi të NATO-s në Sllovaki. Për këtë në Slias janë vendosur 300 ushtare dhe ushtarë. Një bazë tjetër ndodhet në jug, një orë larg me makinë, në Lest, ku Çekia drejton një trupë luftarake ku përveç Gjermanisë, marrin pjesë edhe Sllovenia dhe SHBA. 

Koloneli Pötzsch mendon se kontributi gjerman në solidaritet me NATO-n është një mundësi që të kthehet mbrapsht ndihma që NATO ka dhënë: "Kjo është diçka që ne e njohim mirë nga historia jonë e Luftës së Ftohtë. Forcat aleate, që në parim bënë të njëjtën gjë në vendin tonë, erdhën për të na mbrojtur në rast nevoje.”  

Midis mbrojtjes ajrore dhe futbollit 

Për ushtaret dhe ushtarët e raketave Patriot kjo do të thotë që gjatë turnit 8 ose 12 orësh të qëndrojnë në gatishmëri pranë trikokëve, në anën tjetër të fushës ajore të Sliacit, dy kilometra larg kampit me kontenierë, ku ata flenë. Reshteri Patrick na tregon "Chill-Out-Area", siç e quan ai sallën e madhe sa një garazh, ku ushtarët gjermanë kalojnë pushimin kur ndodhen me shërbim. 

Në rrjetat e varura për të ndarë hapësirën është varur një dërrasë me rrathë për të luajtur me shigjeta, në një pjesë të sallës ndodhen ndenjëse të ndërtuara vetë, me paleta dhe sfungjerë. Këtu, sipas rastit tregohen edhe powerpoinst të shërbimit, tregon Patricku.     

Në mure janë varur edhe një flamur tifozësh dhe një program lojrash të kampionatit gjerman, një pjesë e ekipit të Patriot do të shohë javët e ardhshme futboll, ndërkohë që shokët e tyre do të ruajnë hapësirën mbi Sllovaki.