Ushtria e SHBA akuzon Kinën për manovra të rrezikshme
28 Tetor 2023Sipas burimeve ushtarake amerikane, gjatë një manovre të rrezikshme nga një avion luftarak kinez mbi Detin e Kinës Jugore, për pak ka ndodhur një përplasje me një bombardues amerikan B-52. Sipas raportit, piloti i avionit kinez J-11 erdhi në një mënyrë "të pasigurt dhe joprofesionale" rreth tre metra pranë bombarduesit amerikan, i cili "operonte ligjërisht mbi Detin e Kinës Jugore", .
J-11 kishte fluturuar poshtë dhe përpara aeroplanit. Incidenti ka ndodhur natën dhe me shikueshmëri të dobët, sipas Shteteve të Bashkuara. Ushtria publikoi gjithashtu një video që supozohet se tregon manovrën e avionit luftarak. Sipas SHBA sjellja e avionit ka shkelur standardet ndërkombëtare të sigurisë ajrore.
Kina: SHBA destabilizojnë situatën
Incidenti ndodhi gjatë një vizite të ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi në Uashington. Atje ai u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Ai është planifikuar gjithashtu të takohet në Shtëpinë e Bardhë të premten me Jake Sullivan, këshilltarin e sigurisë të presidentit amerikan Joe Biden.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze fajësoi SHBA për situatën e paqëndrueshme në Detin e Kinës Jugore. Fakti që një avion ushtarak amerikan mori rrugën e gjatë drejt portave të Kinës për të treguar forcën e tij ishte shkaku i rrezikut të sigurisë në det dhe në ajër, tha Mao Ning. Kina do të vazhdojë të mbrojë integritetin e saj territorial, shtoi ai.
Incidente të përsëritura në zonë
SHBA dhe Kina kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për sjelljen e rrezikshme të forcave të tyre në det dhe në ajër në Indo-Paqësor. Sipas të dhënave të SHBA-së, më shumë se 180 incidente kanë ndodhur që nga vjeshta e vitit 2021.
Të enjten, Ministria e Mbrojtjes Kineze publikoi një video në të cilën anija e marinës amerikane "USS Ralph Johnson" supozohet se i preu rrugën destrojerit kinez "Guilin" me një kthesë të fortë. Kina akuzoi SHBA se duan të provokojnë me manovrën e 19 gushtit.
aud (dw)