1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ursula von der Leyen viziton trupat në Kosovë

(vfb) dpa/afp15 Maj 2014

Ministrja gjermane e Mbrojtjes viziton trupat gjermane të angazhuara në kuadër të KFOR-it në Kosovë. Gjatë vizitës ajo u shpreh për vazhdimin e misionit duke theksuar, se duhen siguruar ato që janë arritur deri tani.

https://p.dw.com/p/1C0Ur
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, politikania kristiandemokrate, Ursula von der Leyen nuk parashikon një përfundim të shpejtë të misionit të trupës KFOR të drejtuar prej NATO-s në Kosovë. Për këtë nuk "mund të përmend një datë të saktë", tha von der Leyen të enjten (15.05.2014) gjatë vizitës në kuartierin e Bundeswehr-it (ushtrisë gjermane) në Prizren. Ajo që është arritur në Kosovë duhet të sigurohet "në mënyrë të qëndrueshme", shtoi ministrja duke iu referuar zgjedhjeve lokale vitin e kaluar dhe përmbylljes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Sipas saj tërheqja duhet të realizohet "gradualisht" dhe me "maturi".

Von der Leyen qëndron që nga e mërkura (14.05.2014) për një vizitë dyditore në Kosovë. Pas vizitës në Prizren ajo viziton edhe kuartierin në Novosellë të Maxhunit në veri të vendit, ndërsa pasdite është në program vizita në kuartierin qendror të KFOR-it në Prishtinë. Kjo është vizita e parë e ministres në Kosovë, qëkurse ajo drejton dikasterin nga dhjetori 2013.

Në mes të qershorit mbushen 15 vjet nga fillimi i misionit të NATO-s në Kosovë dhe vendosjes së trupës KFOR atje në vitin 1999. Në këtë mision aktualisht janë të angazhuar 5000 ushtarë nga 30 vende, ndër ta 700 ushtarë të Bundeswehr-it gjerman. Pas Afganistanit ky është misioni i dytë i ushtrisë gjermane jashtë vendit për nga volumi. Një ditë më parë (14.05.2014) qeveria në Berlin vendosi shtyrjen edhe për një vit të mandatit për trupat gjermane në kuadër të KFOR-it. Vendimi pritet të miratohet edhe nga Budnestag-u (parlamenti).

Ursula von der Leyen: Ndërhyja në Kosovë e pakrahasueshme me aneksimin e Krimesë

Ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen e konsideron konfrom së drejtës ndërkombëtare ndërhyrjen e NATO-s në konfliktin e Kosovës. Politikania e partisë kristiandemokrate të enjten (15.05.2014) gjatë vizitës në Kosovë e hodhi poshtë vlerësimin e ish-kancelarit socialdemokrat Gerhard Schröder, i cili asokohe ishte bashkëpërgjegjës për vendimin mbi sulmet nga ajri të NATO-s: «Unë nuk jam dakord me këtë pikëpamje", tha von der Leyen. «Përpara kësaj ndërhyrjeje ka pasur të dhëna të qarta, dëshmi dhe njoftime, për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe për rrezikun e gjenocidit.» Gjithashtu, sipas saj, asokohe disa herë është thirrur edhe Këshilli i Sigurimit. Ndaj situata atëherë në Kosovë nuk është e krahasueshme me ankesimin e Krimesë. Schröder para disa javësh u shpreh: «Unë e kam shkelur edhe vet të drejtën ndërkombëtare.» Si kancelar, shton ai, ka miratuar në vitin 1999 dërgimin në Ballkan të Tornadove, të cilat u përfshinë në bombardimet e NATO-s, «pa pasur një vendim të Këshillit të Sigurimit».

Rusia dhe Kina asokohe votuan në Këshillin e Sigurimit kundër kësaj ndërhyrjeje. «Rrethanat që dhanë shkas për këtë ishin krejt të ndryshme nga Krimeja», tha von der Leyen. «Ku janë thirrjet e OKB-së? Ku është kërkesa drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së? Ku është apeli drejtuar bashkësisë ndërkombëtare? Asgjë prej këtyre nuk ka ndodhur. Ndaj të dyja këto situta nuk mund të krahasohen», tha von der Leyen.