Urdhërarrest kundër drejtuesit të protestave në Banja Lukë
4 Janar 2019Kamarieri Davor Dragiçeviq ka themeluar iniciativën "Drejtësia për Davidin", pas vrasjes së djalit të tij 21-vjeçar, David Dragiqeviq në mars të vitit 2018. Protestat po vazhdojnë nëntë muajsh në Banja Lukë, kryeqendrën e Republikës Serpska, në Bosnje-Hercegovinë. Protestuesit kërkojnë zbardhjen e vrasjes së Davidit.
Viti i Ri nisi tani me përndjekjen e babait të Davidit, Davor Dragiçeviq dhe mbështetësve të tij. Ata akuzohen se gjatë protestave kanë kërcënuar shumë persona, ndër ta edhe politikanë. Më 1 janar u arrestua edhe deputeti i ri i parlamentit të Republikës Serpska, Drashko Stanivukoviq, i cili thotë se ai është arrestuar për shkak të mbështetjes së protestave.
Aktualisht nuk dihet se ku është udhëheqësi i protestave. Davor Dragiçeviq ka qenë ushtarë i serbëve të Bosnjes në periudhën prej vitit 1992 - 1995 dhe është plagosur disa herë në luftën kundër forcave boshnjake dhe kroate në Bosnje-Hercegovinë. Djali i tij Davidi kishte studiuar elektrotenikë dhe shkruante tekste për këngët rap. Ai u zhduk natën e 18 marsit 2018. Disa ditë më vonë, trupi i tij i pajetë u gjet buzë një lumi.
Autoritetet pa përgjigje
Shpjegimi zyretar i policisë ishte se Davidi në natën e zhdukjes është rrahur me tre persona dhe ka marrë pjesë në vjedhjen e një apartamenti. Më pas është hedhur nga ura në lum. Babai i Davidit mendon se kjo nuk është e vërtetë, por deri më sot nuk ka marrë ndonjë përgjigje tjetër. Ai ka hapur një faqe në Facebook - "Drejtësia për Davidin", që ka vazhduar edhe me protesta. Ata besojnë se Davidi është keqtrajtuar, është përdhunuar dhe është rrahur deri në vdekje dhe se autoritetet janë bashkëfajtore. Në prill të vitit 2018 Davor Dragiçeviq kërcënoi, se do të ngrejë padi kundër shefit të policisë dhe ministrit të Brendshëm të Republika Serpska. Një muaj më pas, në maj ai ngriti vërtetë padinë.
Ndërkohë protestat janë zgjeruar dhe janë mbështetur edhe nga një pjesë e opozitës. Ata kanë kërkuar përgjegjësinë e udhëheqësve të Republika Serpska, në krye me Millorad Dodikun, i cili është në pushtet në që nga viti 2006. Në zgjedhjet e vitit të kaluar, Dodiku u zgjodh anëtar i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës. Dodiku thotë, se pas protestave në Banja Lukë fshihen persona, që duan ta shkatërrojnë Republikën Serpska. Këto pohime janë shoqëruar edhe me një fushatë nxitëse në mediat e kontrolluara nga Dodiku, ku thuhet se protestuesit janë tradhëtarë, terroristë dhe njerëz të miliarderit George Soros.
Por me kërkesën e opozitës është krijuar në parlament një komision hetimor për rastin e Davidit. Rezultati: Ka tregues, se i riu ka vdekur nga pasojat e dhunës prrej personave të tjerë. Shumica parlamentare megjithatë e ka parandaluar votimin e këtij raporti të komisionit. Ndërsa prokuroria ka nisur hetime kundër peronave të panjohur. Policia është e detyruar të pranojë, se në raportin e patologëve ka pasur mangësi dhe ndryshime të fakteve. Janë hedhur poshtë edhe pohimet e mëparshme se Davidi ka qenë nën ndikimin e drogave në momentin e vdekjes.
Por rasti nuk është zbardhur. Gazetari Vladimir Kovaçeviq, i cili shkruan tekste kritike ndaj pushtetit në Republika Serpska, është rrahur brutalisht nga një boksier i një klubi, që i takonte kumbarës së Millorad Dodikut.
Arrestimet dhe dhuna policore
Dodiku ka dhënë deklarata arrogante dhe fyese ndaj protestuesve. Gjatë fushatës së fundit ai ka kërcënuar edhe Davor Dragiçeviqin, me fjalët se pas zgjedhjeve ai nuk do të protestojë më, por këto deklarata i ka relavitizuar më vonë në media. Dragiçeviq pohon, se edhe avokatët e tij kanë dhënë dorëheqjen për shkak të presioneve të Dodikut. Në tetor ai deklaroi, se tani kërkon jo vetëm dorëheqjen e shefit të policisë, por edhe të Dodikut dhe të tjerëve në pushtet.
Më 25 dhjetor, policia në Banja Lukë arrestuar nënën e Davidit dhe shumë demonstrues, një deputet dhe udhëheqës të opozitës. Më vonë ata u liruan dhe deklaruan, se protestat do të vazhdojnë, pavarësisht dhunës dhe kërcënimeve të policisë.