1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Uraganet kërcënojnë rajone të reja

Irene Quaile27 Maj 2014

Sipas një studimi ciklonet tropikale po shkojnë gjithnjë e më larg Ekuatorit. Prandaj rajone bregdetare që deri tani nuk janë prekur prej tyre, janë në rrezik në të ardhmen.

https://p.dw.com/p/1C7Kg
Fotografi: Reuters

Se çfarë mund të shkaktojë një stuhi apo tajfun e tregoi vitin e fundit tajfuni Haiyan në Filipine. Më shumë se 6.000 vetë humbën jetën. Në vitin 2012 uragani Sandy në SHBA tregoi se dhe një vend i pasur dhe i industrializuar mund të kapet në befasi nga dhuna e natyrës.

Sipas një studimi të ri të Agjencisë Amerikane për Motin dhe Oqeanografinë (NOAA) tani ka të ngjarë që me uragane potencialisht shkatërruese të përballen rajoneve të tjera, veçanërisht në Oqeanin Paqësor dhe në jug të Oqeanit Indian dhe ato duhet të përgatiten mirë për këtë.

Studiuesit e grupit shkencor që drejtohet nga meteorologu James Kossin kanë llogaritur se ciklonet tropikale gjatë 30 viteve të fundit kanë lëvizur për çdo dekadë me nga më shumë se 50 kilometra drejt poleve. Në hemisferën veriore ato kanë lëvizur mesatarisht rreth 53 kilometra drejt Polit të Veriut, në hemisferën jugore 62 km në drejtim të Polit të Jugut. Prirja është sidomos e dukshme në Oqeanin Paqësor dhe në jug të Oqeanit Indian, shkruajnë studiuesit në revisten on-line nature.com

Auswirkungen des Taifuns Haiyan auf den Philippinen
Fotografi: DW/T.Kruchem

Pasojat e ngrohjes globale

Ciklonet tropikale krijohen normalisht kur temperatura e detit shkon mes 28° dhe 30° Celsius. Meqë temperatura e detit në shumë zona që deri tani kanë pasur temperatra normale po rritet, edhe rreziku është më i madh.

Faktorë të tjerë që luajnë rol janë hollimi i shtresës së ozonit dhe ndotja e mjedisit prej aerosoleve.

Tajfuni Haiyan në Filipine u shkarkua në një zonë rreth 10° larg Ekuatorit. Sipas ekspertëve të NOAA stuhitë që e arriti kulmin në gjerësinë gjeografike të Filipineve veriore në të ardhmen mund ta arrijnë këtë më afër Hong Kongut, Tajvanit, Shanghait, Japonisë dhe Koresë së Jugut. Në Tajvan, Hong Kong, Shangai dhe Tokio jetojnë rreth 60 milionë njerëz.

Sisteme më të mira palajmërimi

Organizata Botërore e Meteorologjisë WMO theksonse shumica e humbjeve të shkaktuara ngauragani Sandy dhe tajfuni Haiyan u shkaktuan prej ujit dhe valëve. Prandaj WMO mbështet nismat për të sqaruar popullsinë për rreziqet, për përmirësimin e sistemeve paralajmëruese dhe për përgatitjen më të mirë të zonave të rrezikuara.

Philippinen Taifun Wirbelsturm Haiyan
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në prill një ekip ndërkombëtar ekspertësh ishte në Filipine dhe Vietnam për të shqyrtuar gjendjen aktuale pas tajfunit të nëntorit 2013. Ata arritën në përfundimin se ka nevojë për të përmirësuar komunikimin për rreziqet dhe ndikimet e mundshme të stuhive të tilla. Kështu, shërbimi metereologjik në Filipine kishte lëshuar me kohë paralajmërime të sakta në lidhje me tajfunin dhe stuhitë që mund të shkaktonin valë deri në shtatë metra. Por banorët e rajonit nuk u evakuuan për shkak se i kishin nënvlerësuar efektet shkatërruese të tajfunit.

Sipas rezultateve të studimit të ri NOAA, përpjekjet për të përmirësuar mbrojtjen ndaj stuhive tani duhet të shtrihen edhe në rajone të tjera. Por sipas autorëve njerëzit në zonën përgjatë ekuatorit duhet të vazhdojnë të jenë të përgatitur për uragane, edhe në qoftë se nëse rreziku është tani pak më i ulët.

Por ekspertët parashikojnë një rrezik tjetër që mund të shkaktojë probleme edhe më të mëdha. Sipas ekspertëve, mungesa e uraganeve në disa rajone mund të çojë në mungesë të ujit.