1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ura lidhëse - Danimarka merr presidencën e radhës në BE

2 Janar 2012

Danimarka merr presidencën e radhës në Bashkimin Evropian për gjysmën e parë të këtij viti. Por cilat janë sfidat e presidencës së saj?

https://p.dw.com/p/13caV
Helle Thorning-Schmidt - kryeministrja daneze
Helle Thorning-Schmidt - kryeministrja danezeFotografi: AP

Para një gjysmë viti, Danimarka ishte në qendër të kritikave në Europë për shkak të rivendosjes së sistemit të kontrollit të vizave në kufijtë e saj dhe shfuqizimin e Marrëveshjes së Shengenit. Vendimi u mor atëherë nga qeveria konservatoro-liberale, dhe u shfuqizua me ardhjen në pushtet të socialdemokratëve. Kryeministrja e sapongjitur në detyrë, Helle Thorning-Schmidt emëroi madje edhe një ministër për Evropën, për herë të parë në historinë daneze.Thorning-Schmidt do të ndjekë kursin proeuropian të presidencës polake. Polakët ishin entuziastë, por ndikimi i tyre në politikën europiane, në kohën e rëndë të krizës së euros ishte i vogël.

Danimarka - Rol unifikues

Ministri danez për Evropën, Nicolai Wammen pranoi se vendi i tij e merr presidencën e radhës në njërin nga momentet më të vështira për Europën. "Ne besojmë se është i nevojshëm një bashkëpunim i ngushtë europian i të gjithë shteteve anëtare, me qëllim që t'i dalim ballë sfidave të reja. Kriza do të përcaktojë fuqishëm programin tonë,dhe ne do të bëjmë çdo gjë që të sjellim përpara Europën. Si element ky kyç të presidencës sonë, ne shohim rolin unifikues mes vendeve brenda dhe jashtë eurozonës." Danimarka vetë është jashtë eurozonës. Kjo ndoshta nuk është keq, tha kancelarja Merkel pas takimit para disa javësh me kryeministren daneze, Thorning-Schmidt. Sepse Danimarka mund të luajë rolin e vendit urëlidhës.



Në zgjidhjen e krizës së euros, po ashtu Danimarka duhet të japë kontributin e saj. Ky vend duhet të bindë vendet pa euron si monedhë që të disiplinojnë buxhetet e tyre dhe të ndikojnë kështu në stabilitetin e euros. Për këtë u ra dakord në samitin e Dhjetorit që shtetet europiane të marrin përsipër me marrëveshje me nënshkrim përgjegjësinë për më shumë disiplinë financiare. Ministri danez Nicolai Wammen tregohet i përmbajtur në këtë çështje: "Ne presim që presidenti i Këshilli të BE-së (Herman Van Rompuy) të luajë rol kryesor në përpilimin e marrëveshjes."

Sfida të tjera

Por presidenca e Danimarkës fsheh edhe sfida të tjera konkrete. Zgjerimi i BE-së. Në mars në samitin e BE-së duhet të vendoset nëse Serbia do të marrë statusin e vendit kandidat. Negociatat e anëtarësimit me Turqinë kanë ngecur. Vetëm me Islandën, do të shtyhen përpara negociatat.

Kufijtë në hapësirën Shengen janë një temë tjetër. Në këtë hapësirë pa viza do të vendosen rregulla të reja të qarta, se kur një vend mund të rivendosë përkohësisht sistemin e vizave në raste të veçanta. Për këtë ende ka debat kompetencash mes Komisionit Europian dhe shteteve anëtare.

Nga ana tjetër BE duhet të përgatisë planin buxhetor për vitet 2014-2020, një buxhet që kap afërsisht 1 bilionë euro. Shumë elementë të këtij buxheti janë në qendër të debatit, si shpenzimet, ashtu edhe të ardhurat, por mbi të gjitha e kontestuar është taksa mbi transaksionet financiare. Danimarka duhet të bëjë një punë të madhe përgatitore në këtë drejtim.

 

Autor: Agj/Lindita Arapi

Redaktoi: Auron Dodi

Nicolai Wammen, ministri danze për Europën
Nicolai Wammen, ministri danze për EuropënFotografi: picture-alliance/dpa