1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ulje e butë për ekonominë gjermane

Rolf Wenkel / Eliana Xhani16 Nëntor 2012

Ekonomia e Evropës po rrëshqet në recesion. Këtë po e ndjen ngadalë edhe ekonomia gjermane: ajo vazhdon vërtet të rritet, por duket se ritmet kanë rënë.

https://p.dw.com/p/16jxo
Fotografi: picture-alliance/dpa

Nuk kishte si të shmangej përballë tendencave të theksuara të dobësimit në pjesën tjetër të Evropës: Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në Gjermani, mes korrikut dhe shtatorit është rritur me vetëm 0,2 për qind. Kështu bëri të ditur Zyra Federale e Statistikave të enjten (15.11.) në Wiesbaden. Në gjysmën e parë të vitit ekonomia ishte rritur me 0,5 për qind, pra duket qartë se koniunktura në Gjermania është dobësuar.

Kjo nuk është e çuditshme po të mbahet parasysh se eurozona ka rënë në recesion. Performanca ekonomike e 17 vendeve të eurozonës në tremujorin e tretë të këtij viti, u tkurr me 0,1 për qind në krahasim me tremujorin paraardhës, pas një rënie prej 0,2 për qind në tremujorin e dytë, bën të ditur autoriteti evropian i statistikave, Eurostat.

Megjithatë, ndryshe nga sa dyshohej, eksportet gjermane nuk kanë vuajtur tepër nga ky zhvillim. Përkundrazi: "Sipas përllogaritjeve paraprake eksportet e mallrave dhe shërbimeve janë rritur pak më shumë se importet", shkruajnë statisticienët e Wiesbaden-it. Edhe konsumi i buxheteve familjare dhe publike ka vazhduar të rritet. Vetëm investimet e sipërmarrjeve në makineri të reja, paisje dhe automjete janë reduktuar ndjeshëm për shkak të klimës së pasigurtë të biznesit.

Recesioni nuk duket në horizont

A do të mbetet pra në vend në fund të vitit ekonomia gjermane? "Në tremujorin e fundit kërkesa e dobët nga eurozona do të rëndojë situatën e industrisë së orientuar nga eksportet dhe kështu edhe koniunkturën në përgjithësi", paralajmëron Ferdinand Fichtner, shef për koniunkturën pranë Institutit gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW) në Berlin. Ndërsa sektori i shërbimeve, sipas parashikimeve të DIW në tremujorët e ardhshëm do të vazhdojë të shënojë rritje. "Në horizont nuk duket recesioni", thotë Fichtner.

Para së gjithash kërkesa konsumatore mbështet rritjen e ekonomisë, vlerëson DIW. "Familjet përfitojnë nga rritjet e pagave mbi normën e inflacionit dhe situatën e qendrueshme në tregun e punës", shprehet eksperti i DIW për Gjermaninë, Simon Juncker. "Edhe pse gjatë muajve të dimrit punësimi do të pësojë rënie të lehtë, faza e dobësimit të koniunkturës do ta rëndojë për kohë shumë të shkurtër dhe në mënyrë të moderuar tregun e punës."

Frikë nga stanjacioni

Ekspertë të tjerë janë më pak optimistë. "Këto do të jenë shifrat e fundit pozitive nga Gjermania, për një farë kohe", shpreh dyshimin kryeekonomisti i Commerzbank Jörg Krämer. "Në fund të vitit ekonomia gjermane ka gjasa të tkurret." Shkak është pasiguria që buron nga kriza e borxheve. "Unë pres që ekonomia gjermane të rikthehet vetëm diku nga mesi i vitit të ardhshëm në normat e forta të rritjes", shprehet Krämer.

"Gjermania po shkon drejt një stanjacioni", tha drejtori i Institutit për Makroekonomi dhe Studim të Koniunkturës (IMK), Gustav Horn. "Shqetësimi më i madh është që sipërmarrjet investojnë më pak. Ky është zakonisht sinjal paralajmërues për një recesion." Si masë kujdesi qeveria gjermane duhet të zgjerojë paraprakisht rregullat për punën me kohë të shkurtuar. "Kjo na ndihmoi shumë gjatë krizës financiare", shprehet Horn.

Perspektiva të turbullta

Sidoqoftë: në krahasim me vendet e tjera të eurozonës Gjermania është ende në pozitë relativisht të mirë. Në Greqi ekonomia shënoi një rënie prej 7,2 për qind në tremujorin e tretë, në Portugali rënia ishte 0,8 për qind, Holanda ka shënuar një minus prej 1,1 për qind dhe ekonomia italiane u tkurr me 0,2 për qind. Vetëm Franca çuditi pozitivisht me një rritje prej 0,2 për qind.

Megjithatë edhe në Gjermani kohët e fundit ishin shtuar shenjat për një ulje të rritmeve të rritjes. Në shtator porositë për industrinë ranë me 3,3 për qind, pasi kërkesa kryesisht nga vendet në recesion të eurozonës kishte rënë ndjeshëm. Për herë të parë që prej vitit të krizës 2009 eksportet gjermane shënuan rënie. Banka Federale gjermane pret në rastin më të mirë një stanjacion në tremujorin e katërt të këtij viti.

LINK: http://www.dw-world.de/dw/article/0,,16381621,00.html