Uli Hoeneß dhe bumi i vetëkallëzimeve
15 Janar 2014Edhe pse 62-vjeçari bëri në janar 2013 vetëkallëzim, prokuroria ngriti ndaj tij në korrik 2013 padijë. Avokati i Hoeneß është Hanns Feigen, i cili kishte qenë edhe avokati i shefit të dikurshëm të Postës Klaus Zumwinkel dhe që u dënua për invazion fiskal të rreth një milionë eurove me dy vjet heqje lirie me kusht.
Mosdënim për shkak të vetëkallëzimit
Uli Hoeneß thuhet se ka kaluar në një bankë zvicerane 3,2 milionë euro, të cilat nuk i kishte tatuar në Gjermani. Ngritja e padisë nga ana e Prokurorisë lidhet me dyshimet se vetëkallëzimi i Uli Hoeneß nuk duhet të jetë i plotë.
"Në rastin e Uli Hoeneß mund të krijohet përshtypja se edhe dikush që bën vetëkallëzim në parim gjithsesi dënohet," tha për DW-në eksperti i tatimeve Matthias Berg. "Por normalisht vetëkallëzimi shërben pikërisht që personi të mos dënohet." Por mosdënimi lidhet vetëm me dënimin me heqje lire, sepse tatimet duhen të paguhen në mënyrë parapavajtëse madje bashkë me përqindjet e interesit që llogariten me 6% në vit. Në rast se shuma e taksave është shumë e lartë, kjo pëqindje është 5%.
Dështimi i marrëveshjes tatimore me Zvicrën
Berg thotë se pasi u bë i njohur rasti i Uli Hoeneß në prill 2013 në zyrën e tij u drejtuan shumë njerëz që kërkonin të bënin vetëkallëzim për invazion fiskal. Si shkak për këtë Matthias Berg përmend dështimin e marrëveshjes tatimore me Zvicrën në fund të vitit 2012, e cila parashikonte që paratë e patatuara gjermane të depozituara në bankat zviceriane të tatoheshin një herë në mënyrë parapavajtëse dhe pas kësaj të mos kishte dënime të tjera për evazorët fiskalë.
Në vitin 2013 sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në 16 landet federale gjermane ka pasur më tepër se 24.000 vetëkallëzime për invazion fiskal. Në vitin 2012 kjo shifër qe 8.100. Shumica e vetëkallëzimeve për invazion fiskal, 6200, u regjistruan në landin Baden-Württemberg.
Fillimi i procesit ndaj Uli Hoeneß në mars 2014 do të sjellë me sa duket me vete edhe vetëkallëzime të tjera për invazion fiskal. Për gjyqin ndaj Hoeneß janë parashikuar fillimisht katër seanca. E paqartë është nëse në përfundim të procesit Hoeneß do të shpëtojë vetëm me një gjobë ose dënim me heqje lirie me kusht, ose nëse pas procesit do t'i duhet t'i ndjekë ndeshjet e klubit të tij të futbollit nga burgu.