1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kievi distancohet nga deklarata e ambasadorit Melnyk

3 Korrik 2022

Andrij Melnyk është aktualisht diplomati i huaj më i njohur në Gjermani. Me deklaratat e diskutueshme mbi fashizmin në historinë ukrainase ai po shkakton tani irritime dhe kundërshtime.

https://p.dw.com/p/4DZKg
Andrij Melnyk, Botschafter der Ukraine
Fotografi: Christophe Gateau/dpa/picture alliance

Në cilësinë e ambasadorit, Andrij Melnyk, është përfaqësuesi zyrtar i Ukrainës në Berlin. E megjithatë qeveria në Kiev distancohet tani qartë prej tij në një pikë. "Mendimi", që Melnyk ka shprehur në një intervistë me një gazetar gjerman, "është i tij dhe nuk pasqyron qëndrimin e Ministrisë së Jashtme të Ukrainës". Për çdo vend një distancim i tillë do të ishte një hap shumë i pazakontë. Sidomos në rastin e një personi si Melnyk, i cili shumë njerëzve në Gjermani u ka bërë përshtypje, por shumë të tjerë edhe i ka zemëruar.

Arsyeja për hapin e Ministrisë së Jashtme të Ukrainës ishte një videointervistë me Melnyk nga gazetari gjerman Tilo Jung. Jung përmendi vlerësimin e Melnyk për liderin nacionalist ukrainas Stepan Bandera (1909-1959). Ambasadori mohoi të kishte ndonjë provë për vrasjen masive të hebrenjve nga përkrahësit e Bandera-s.

Ukraine Portait des ehemaligen Politikers Stepan Bandera
Fotografi: Artur Widak/NurPhoto/picture alliance

"Jo vrasës masiv"

"Bandera nuk ka qenë vrasës masiv i hebrenjve dhe polakëve", tha Melnyk. Bandera thjesht është përpjekur të shfrytëzojë luftën midis Gjermanisë naziste dhe Bashkimit Sovjetik për pavarësinë e Ukrainës, theksoi ai. Jung kujtoi se Melnyk kishte vizituar në 2015 varrin e Bandera-s në Mynih dhe se e "adhuron" atë. Ambasadori e krahasoi Banderën me Robin Hudin si "luftëtar lirie", por që "fajësohet për çdo gjë” me pretendimet e dekadave të kaluara.

Por Bandera nuk ishte një Robin Hood. Punime të ndryshme shkencore janë marrë me personin e tij kohët e fundit. Ai udhëhoqi dhe formësoi Organizatën e Nacionalistëve Ukrainas (OUN) dhe pasuesit e tij ishin të njohur për antisemitizmin e tyre. Luftëtarët OUN nga Ukraina perëndimore luftuan për një kohë përkrah nazistëve dhe ishin përgjegjës për dëbimet me motive etnike në vitin 1943, në të cilat u vranë dhjetëra mijëra civilë polakë, shumë prej tyre hebrenj. Nga viti 1941 deri në lirimin e tij në 1944, vetë Bandera ishte i burgosur në kampin e përqendrimit Sachsenhausen pranë Berlinit; Memoriali në faqen e tij të internetit nuk shprehet lidhur me personin e tij. Pas Luftës së Dytë Botërore Bandera u vendos në Gjermani dhe jetoi në Mynih. Atje ai u vra në vitin 1959 nga një agjent i shërbimit sekret sovjetik KGB. Nacionalistët ukrainas e nderojnë atë edhe sot e kësaj dite.

Zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë Marcin Przydacz i quajti komentet e Melnyk të premten (01.02) "plotësisht të papranueshme". "E dimë fare mirë, se si kanë qenë marrëdhëniet polako-ukrainase dhe çfarë ndodhi në vitin 1943 dhe më vonë në Volhynia dhe Galicinë lindore”, shtoi ai, duke iu referuar masakrave të kryera nga ultranacionalistët ukrainas. Por Varshava është "e interesuar për pozicionin e qeverisë ukrainase, jo për atë të personave të veçantë".

Polen | Mateusz Morawiecki
Fotografi: Beata Zawrzel/NurPhoto/IMAGO

Kritika të ashpra erdhën nga pala izraelite. Deklaratat e Melnyk janë "një shtrembërim i fakteve historike, një banalizim i holokaustit dhe fyerje për ata që u vranë nga Bandera dhe njerëzit e tij". Ndërsa ambasada izraelite në Gjermani deklaroi më tej: "Ju po minoni edhe luftën e guximshme të popullit ukrainas për të jetuar sipas vlerave demokratike dhe në paqe”.

"Ai ishte një figurë qendrore"

Në Gjermani në radhë të parë përfaqësuesit e shkencës shprehën kritikë. Historiania e Evropës Lindore nga Mynihu, Franziska Davies, i quajti deklaratat e Melnyk "të vështira për t'u duruar". Nuk mund të vërtetohet se Bandera personalisht ka qenë i përfshirë në vrasjet masive, ai u burgos nga gjermanët menjëherë pas fillimit të luftës. Por ai ishte një figurë qendrore e OUN. Sa nazistë nuk kanë vrarë personalisht? Ata janë megjithatë vrasës masiv." Një numër shkencëtarësh të tjerë bënë deklarata të ngjashme duke iu referuar studimeve më të fundit.

Pianisti hebre Igor Levit akuzoi diplomatin në twitter, se luan të paditurin”. "Çfarë mohimi i historisë. Çfarë hipokrizie. T'ju vijë turp.". Në të njëjtën kohë, procesi u përshkallëzua - siç ndodh shpesh në rrjetet sociale – duke u larguar nga debati faktik.

Debati është gjithsesi i fortë duke pasur parasysh kontekstin historik me disa mijëra vrasje dhe me dëbime. Por ai përkeqësohet nga figura dhe qendrimi i Melnyk-ut. Diplomati, i cili flet një gjermanishte gati të përsosur, ka qenë një kritik i angazhuar i qeverisë gjermane, dhe jo vetëm që nga sulmi rus në Ukrainë. Qeverinë gjermane ai e akuzon prej kohësh për hezitim dhe mungesë mbështetjeje për vendin e tij. Ofendimi që I bëri kancelarit Scholz në fillim të majit për mosvajtjen për vizitë në Kiev në atë kohë, ngjalli shumë debate. Historiania Davies shkroi: "Të kritikosh adhurimin e Bandera-s dhe të tregosh solidaritet me Ukrainën shkojnë bashkë”.

Ukraine Lwiw Nationalisten-Umzug
Fotografi: Sputnik/dpa/picture alliance

Një lëvdatë e pazakontë

Qeveria gjermane i regjistroi gjithashtu deklaratat e Melnyk. Zëvendës zëdhënësja e qeverisë, Christiane Hoffmann, e ripostoi në twiter postimin zyrtar të Tilo Jung për intervistën duke i vënë përpara një "Ia vlen për t`u parë!". Rekomandime të tilla në twitter nga ekipi i zëdhënësve të qeverisë gjermane janë të rralla.

Ministria e Jashtme, e cila është kryesisht përgjegjëse për kontaktet me ambasadorët nga e gjithë bota, ishte më diplomatike. Sipas zëdhënësit Christian Wagner, deklarata është vënë re. Qeveria në Kiev "e ka bërë të qartë se ky është mendimi personal i ambasadorit dhe jo një qëndrim zyrtar i Ukrainës".