Tërmeti godet Shqipërinë
26 Nëntor 2019Natë tragjike në Shqipëri. Pas tërmetit që goditi vendin sërish brenda sy muajsh, Ministria e Mbrojtjes në Tiranë konfirmoi 13 viktima e disa qindra të plagosur. Tërmeti i orëve të para të mëngjesit të së martës konsiderohet si tërmeti më i fuqishëm në Shqipëri prej disa dekadash. Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar mjaft ndërtesa. Instituti i Studimeve Gjeologjike në Tiranë dhe Instituti i Studimeve Gjeologjike në Potsdam e kanë dhënë shkallën tërmetit me 6,4 ballë. Eipqendra ndodhej 30 kilometra larg Tiranës.
Zonat më të goditura janë ato pranë Tiranës dhe Durrësit, për shumë shkatërrime flitet në Thumanë. Ky ka qenë tërmeti i dytë më i fortë në Shqipëri brenda dy muajsh. Në tërmetin e shkallës 5,6 ballë në shtator u shkatërruan 500 shtëpi. Tërmeti është ndjerë edhe në Kosovë. Ka pasur edhe aty mjaft dëme materiale.
Sipas njoftimeve të autoriteteve, fqinjët e Shqipërisë, Italia dhe Greqia kanë nisur avionë me ndihma në Shqipëri. Edhe presidenti francez, Macron dhe ai turk, Erdogan kanë premtuar ndihma.
Autoritetet në Shqipëri bëjnë thirrje për qetësi. Kryeministri, Edi Rama shkroi se "është një moment dramatik ku sidoqoftë duhet të ruajmë me çdo kusht qetësinë,të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit e ta përballojmë këtë goditje." Presidenti i vendit, Ilir Meta, i cili në orët e mëngjesit vizitoi zonat e dëmtuara shpehur solidaritetin me të prekurit dhe i bëri thirrje qeverisë të kërkojë ndihmë ndërkombëtare.
la/(rtr,dpa, AP)