1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të vdekur e të plagosur pas përmbytjeve në Tetovë

Fatos Musliu4 Gusht 2015

Reshjet e dendura të shoqëruara edhe me stuhi, që përfshinë Tetovën (03.08), shkaktuan vitikma në njerëz si dhe dëme të mëdha materiale. Pesë vetë kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë lëduar nga vërshimet masive.

https://p.dw.com/p/1G9Tn
Mazedonien Unwetter in Tetovo
Fotografi: DW/Z. Andonov

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendëshme Marjan Josifovski konfirmoi në Tetovë viktimat e vërshimeve, duke vënë në dukje, se kanë humbur jetën pesë banorë të fshatit Shipkovicë, ndërsa konsiderohet e zhdukur një vajzë gjashtëvjeçare nga Shipkovica. Sa i përket numrit të lënduarve, sipas tij, shifra është 11 vetë.

“Më të lënduarit janë nga Shipkovica, Sellca, Xhepçishti dhe Reçica e Vogël. Një pjesë e tyre ende janë në mjekim në spital, kurse ata me lëndime më të lehta janë dërguar në shtëpi”, tha Josifovski.

Poashtu bëhet e ditur se në këtë fshat, janë të dëmtuara në masë të madhe edhe rreth 40 shtëpi dhe mbi 50 automjete.

Arifi : Jemi pranë qytetarëve

Kryetarja e komunës së Tetovës njëherit edhe kryetare e Shtabit Emergjent, inspektoi gjendjen në venbanimet e dëmtuara nga rreshjet. Kryetarja Teuta Arifi i siguroi banorët e Porojit, Shipkovicës dhe banorët e lagjes rruga e Banjës, që komisioni i formuar nga qeveria do t'i dëmshpërblej banorët e dëmtuar. Ajo tha se një pjesë e rrugëve të Tetovës tani po pastrohen, dhe se është depërtuar deri në rrugët e malësisë, poashtu edhe në Reçicë të Vogël dhe Reçicë të Madhe dhe në drejtim të Porojit. “Këto janë emergjenca natyrore, të cilat edhe mund të ndodhin, por ne jemi dhe vazhdojmë të jemi pranë qytetarëve tanë. Kemi vënë në lëvizje të gjithë mekanizimin që e posedojmë. Në ndihmë na kanë ardhur të gjitha komunat mike”, tha Teuta Arifi.

Mazedonien Unwetter in Tetovo
Fotografi: DW/Z. Andonov

Moti i keq ka shkaktuar dëme të mëdha materiale. Reshjet e shiut kanë qenë aq të fuqishme sa që kanë mjaftuar 15 minuta që lumi Shkumbin të dalë nga shtrati dhe të vërshoj tërë qytetin. Gjendja më e rëndë paraqiteti në zonat malore, ku fshatra të tërë mbeten të izoluar për shkak të bllokimit të rrugëve nga drunjtë dhe gurët.

Në fshatin Shipkovicë i malësisë së Tetovës, vetëm një ditë pas vërshimeve, banorët janë tërësisht të demoralizuar dhe të kapur në befasi nga kjo që ndodhi prej përmbytjes. Ata shprehen se një situatë të këtillë se kanë përjetuar kurrë më parë. “Katastrofë, kemi parë vdekjen me sy. Kemi mbetur pa asgjë nuk di as vet ç'të them”, thotë një banor i Shipkovicës.
“Për një kohë të shkurtër qeilli u nxi, shiu nuk ndalej, ka qenë shumë kritike. Kemi dy fëmijë të vdekur, njërin e kanë nxjerrë tani po mundohemi ta nxjerrim edhe tjetrin”, u shpreh Agim Uzeiri, familjar i dy fëmijëve të vdekur.

Kryeministri viziton rajonin e goditur nga përmbytjet

Qeveria e Maqedonisë mbajti mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar gjendjen në zonat e përmbytura ndërsa pritet të dalë edhe me masa në ndihmë të popullatës së rrezikuar. Kryeministri Nikolla Gruevski udhëtoi për në Tetovë. Ai vizitoi Reçicën e Madhe, ku dëmet nga përmbytjet janë të mëdha dhe më pas ka vizituar spitalin e Tetovës, ku ka garantuar angazhimin maksimal të qeverisë së tij për t'i ardhur në ndihmë banorëve të dëmtuar nga kjo katastrofë natyrore.´ "Sapo e mora informacionin për përmbytjet e mëdha, që përfshinë rajonin e Tetovës, bisedova me njerëz nga institucione të ndryshme që sa më shpejtë t'u ndihmohet njerëzve në rjaonet e prekura. Menjëherë pastaj shkuam në vendet e goditura nga përmbytjet. Ishim edhe në Reçicë të Madhe dhe atje gjendja është me të vërtetë e rëndë. Ka edhe viktima dhe dua t'i ngushëlloj familjet e viktimave", deklaroi kryeministri Gruevski.

Mazedonien Unwetter in Tetovo
Fotografi: DW/Z. Andonov

Ndihmë banorëve të rrezikuar

Komuna e Tetovës ka mbajti mbledhjen e Këshillit të Emergjencës, i cili ka vendosur që urgjentisht banorëve të rrezikuar t'u sigurohet ujë i pijshëm, ushqim i sigurtë dhe medikamente. “Jemi duke u angazhuar maksimalisht që banorëve shqiptarë t'u japim ndihmë. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Emergjencës hartuam planin se si popullatës së rrezikuar t'i sigurohet ujë i pijshëm, ushqime dhe medikamente”, deklaroi Hisen Xhemaili kryetar i Këshillit komunal të Tetovës. E mërkura dhe e enjtja (05.08 - 06.08) në Tetovë do të shpallet ditë zie.