Dilema e hebrejve francezë pas sulmit terrorist
14 Janar 2015Sinagoga në rrugën Pavée që gjendet në lagjen Marais të Parisit ku banojnë shumë hebrej ishte të hënën (12.01) pasdite plot me njerëz. Ministri i Brendshëm francez Bernard Cazeneuve ishte aty për vizitë që t'i siguronte hebrejtë pas sulmit në një supermarket hebre dhe ndaj gazetës satirike "Charlie Hebdo" për mbështetjen e qeverisë. Cazeneuve njoftoi pas një mbledhjeje të kabinetit francez se të gjitha 717 sinagogat dhe shkollat hebreje në Francë do të jenë tani që tutje nën mbrojtjen e policisë. Për këtë qëllim janë ngarkuar 4.700 ushtarë dhe policë. Në bisedat në sinagogë ministri u përpoq t'i qetësonte hebrenjtë që ndjehen të pasigurt dhe t'u japte shpresë. "Frika për mua si hebre është e pranishme, sepse unë në vitin 2015 nuk mund të mbaj gjithmonë dhe kudo në kokë kipën. Unë jam i kufizuar në lirinë e besimit," tha studenti David Boukobza pas takimit me ministrin e Punëve të Brendshme, në një intervistë me Deutsche Welle.
Hebrejtë në shënjestër
Që pas atentatit të Tuluzës në vitin 2012, David Boukobza nuk e mban më hapur në kokë kipën e hebrejve, sepse prej vitesh në Francë po shtohet numri i sulmeve ndaj hebrejve. "Ne hebrejtë e dimë se jemi në shënjestër. Qeveria nuk mund t'i parandalojë atentate të tilla, nëse ato kryhen prej individësh që janë si ujq të vetmuar. Ne nuk mund të na mbrojnë me të vërtetë," tha David Boukobza për DW-në.
Përfaqësuesi më i lartë i hebrejve në Francë mendon ngjashëm. Roger Cukierman, kryetar i "Këshillit të institucioneve hebraike në Francë", mori pjesë në marshimin përkujtimor të së dielës dhe tha përmbledhtazi: "Ne jemi në një situatë që është situatë lufte." Bashkësia hebreje në Francë nuk e ndjen veten të sigurt dhe organizatat hebraike në Francë kanë kohë që kërkojnë mbrojtje më të mirë nga shteti, një luftë më të fortë kundër antisemitizmit dhe një arsim më të mirë, veçanërisht për të rinjtë nga familjet myslimane.
Antisemitizëm i hapur verbal
Shumica dërrmuese e pesë milionë myslimanëve që jetojnë në Francë, janë natyrisht paqësorë, por ka edhe eksese. Sociologë francezë kanë identifikuar një lloj islamizmi popullor militant, i cili vjen ndesh në interes veçanërisht në mesin e të rinjve. "Në mesin e të rinjve me sfond migrimi ka disa që nuk i kursejnë sulmet me fjalë. Interneti bën të mundur që të nisësh sulme në mënyrë krejtësisht anonime. Interneti krijon një atmosferë në të cilën çdo gjë duket se është e lejuar", ka vëzhguar Roger Cukierman. Si dëshmi e antisemitizmit në rritje është për shumë hebrej edhe popullariteti i "komedianit" Dieudonné, i cili është antisemit i hapur. Ndaj Dieudonné po zhvillohen për momentin hetime, sepse thuhet se ai ka shprehur simpati për terroristët që vranë të mërkurën dymbëdhjetë vetë para dhe në redaksinë e "Charlie Hebdo". Jo rastësisht shumica e të rinjve më të radikalizuar që shkojnë nga Evropa në Siri për t'u bashkuar me grupin terrorist "Shtetit islamik" janë nga Franca.
Largim nga Franca
Në Francë jetojnë rreth gjysmë milion hebrej. Gjatë vitit 2014 emigruan për në Izrael rreth 7000 prej tyre. Numri ishte dy herë më e lartë se në vitin 2013 njofton në statistikat e saj "Jewish Agency of Israel". Këtë vit në Izrael priten edhe 10.000 emigrantë nga Franca. Këtu nuk janë të përfshirë hebrenjtë që emigrojnë për në SHBA apo Kanada. Por jo të gjithë emigrojnë nga Franca dhe lenë shtëpitë e tyre për shkak të antisemitizmit. Edhe kriza ekonomike luan një rol.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u bëri thirrje gjatë një vizite në sinagogën e madhe të Parisit pas marshimit përkujtimor të së dielës të gjithë herejve në Francë që të emigrojnë për në Izrael. Këtë mesazh ai e përsëriti edhe gjatë vizitës në tregun hebre, ku kishte kishte ndodhur njëri prej sulmeve. Duartrokitjet me të cilat u prit në sinagogën e madhe kryeministri konservator i Izraelit, tregonjnë për pasigurinë e madhe të shumë hebrejve.
Fjalë besimi dhe shprese
Kryerabinit të Francës Haim Korsia nuk i pëlqen kjo. "Ne e kemi ndërtuar këtë vend dhe do të vazhdojmë ta ndërtojmë. Ne ëndërrojmë frëngjisht. Ne mendojmë në frëngjisht," tha kryerabini para gazetarëve. "Sigurisht, Franca është vendi ynë, por unë i vlerësoj fjalët e kryeministrit izraelit si shprehje të dhimbjes dhe të pikëllimit. Por tani ne kemi nevojë për fjalë besimi dhe shprese dhe unë dua t'u them hebrejve në Francë që ne mund të jetojnë këtu shumë të lumtur." - tha Haim Korsia