Të përjashtuar nga shoqëria - Njerëzit me aftësi të kufizuara në Moldavi
10 Tetor 2013Në Republikën e Moldavisë ka ndërkohë 47 shkolla të posaçme dhe azile për njerëzit me aftësi të kufizuara, si dhe rreth 300 organizata, që mbështeten financiarisht nga institucione të huaja. Drejtuesit e tyre druajnë se në periudhë afatgjatë kjo nuk është një zgjidhje e mirë. "Çfarë ndodh, nëse dikur nuk do të ketë më projekte dhe programe ndihme nga jashtë për ne?", shtron pyetjen Igor Mereacre, kryetar i organizatës "Motivatia". "Ne kemi vëzhguar se organizatat nga Rumania dhe Polonia kanë pasur një përvojë të tillë. Kur nuk ka pasur mbështetje nga BE-ja në një fushë të caktuar, ato ose janë subvencionuar nga shteti, ose janë mbyllur përfundimisht. "Një alternativë mund të jetë, që njerëzit me aftësi të kufizuara të involvohen në një proces prodhimi: "Me këtë ne kemi përvojë të mirë në sektorin e bujqësisë, me kultivimin e lepujve, ku ndihmojnë edhe njerëz me aftësi të kufizuara", thotë Igor Mereacre.
Skandal pa konsekuenca
Një skandal vitin e kaluar bëri që të dalin në pah problemet, me të cilat mund të përballen azilet për njerëzit me aftësi të kufizuara. Një punëtor ndërtimi, i cili punonte për rinovomin e një azili në qytetin moldav Orhei, përmes telefonit celular filmoi një bisedë me fëmijët, që ankoheshin për keqtrajtime të rënda, se si ata ishin qëlluar brutalisht me shqelma dhe me një lopatë të madhe.
Luiza Artiomenko, e cila punon në këtë azil si logopede, konfirmon që në azil ka pjesëtarë të personelit, që i godasin fëmijët, kryesisht ata, që janë më të rritur. Gjithashtu fëmijët detyrohen të punojnë dhe ushqehen me mbeturina. "Fëmijët trajtohen brutalisht", thotë ajo. "Punonjëse të këtij azili më kanë treguar gjithashtu, se së fundi kanë gjetur edhe krimba në supën e fëmijëve. Fëmijët as janë të vetëdijshëm për këtë dhe e hanë supën."
Në vitin 2012 një televizion moldav filmoi me kamera të fshehtë një reportazh mbi konviktin në Orhei, rezultati ishte shokues: Në të shihet se si fëmijët i mbyllin në banjë dhe i lënë atje për një kohë të gjatë pa ushqim dhe pa ujë. Drejtoresha e konviktit i hedh poshtë këto akuza. Por përveç një debati të zjarrtë publik në media ky skandal kaloi pa asnjë konsekuencë për punonjësit e konviktit, i cili ekziston ende. Rastet në Orhei e kanë dëmtuar rëndë imazhin e azileve për njerëzit me aftësi të kufizuara në Moldavi.
Korrupsioni dhe planet ambicioze të autoriteteve
Në ish-republikën sovjetike të Moldavisë, një vend i vogël me më pak se katër milionë banorë, ka rreth 8.000 njerëz me aftësi të kufizuara, të cilët kanë nevojë për kujdestari 24 orë. Që nga viti 2013 personat me aftësi të kufizuara, të cilët nuk jetojnë në azil, kanë të drejtë për një kujdestar të paguar nga shteti, që t'u ndihmojë atyre në jetën e përditshme. Por megjithatë qeveria nuk ka vënë për këtë para në dispozicion duke e devijuar problemin e financimit të kujdestarëve tek autoritetet lokale. Përveç kësaj paga minimale për kujdestarët është caktuar afërsisht në vlerën e 36 eurove. Me këto të ardhura në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinev, mund të blesh vetëm katër kilogramë mish.
Që dikush të marrë vërtetimin zyrtar për t'u njohur si person me aftësi të kufizuara, duhet shpesh herë të paguajë ryshfet. Të dhënat e qendrës kombëtare kundër korrupsionit në Republikën e Moldavisë provojnë se shuma e ryshfetit është nga 125 deri në 315 euro në varësi të gradës së aftësive të kufizuara. Korrupsioni në këtë sektor shkon aq larg, sa ndonjëherë njerëzit e shëndoshë mund të marrin një vërtetim si persona me aftësi të kufizuar, për të përfituar nga favoret shtetërore të parashikuara për invaliditetin. Sepse në Moldavi në bazë të ligjit për shembull personat me aftësi të kufizuara përfitojnë përkujdesjen mjekësore falas dhe pavarësisht nga mosha marrin pension invaliditeti.
Nisur nga rastet e shumta të korrupsionit duke u bërë abuzime me tri kategoritë e invaliditetit të parashikuara në ligj, qeveria në Kishinau së fundi e shfuqizoi kategorizimin e invaliditetit. Këtej e tutje personat me aftësi të kufizuara duhet të vizitohen nga një komision i posaçëm, që harton dhe u ofron atyre programet përkatëse për inkluzionin shoqëror dhe rehabilitimin. Për këtë qëllim sivjet u krijua edhe "Këshilli Kombëtar për Njohjen e Invaliditetit": "Përmes kësaj strukture të re ne do të kujdesemi për fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara, do t'u vemë atyre në dispozicion personel të ri mjekësor, si dhe punonjës social e pedagogë", deklaron ministrja e Punës, Valentina Buliga. "Për çdo person me aftësi të kufizuar do të përpilohet një plan individual shëndetësor", thotë ministrja.
Mungesë e integrimit shoqëror
Një problem i madh për invalidët në Republikën e Moldavisë është aksesi i tyre në arsim. Nga rreth 16.000 fëmijë me aftësi të kufizuara në ish-Bashkimin Sovjetik, sipas UNICEF, gati 6.000 syresh nuk shkojnë në asnjë institucion arsimor. Madje edhe më keq: 41 përqind e prindërve dhe 50 përqind e mësuesve nuk pranojnë, që fëmijët invalidë të lejohen të ndjekin shkollat e rregullta, konstaton studimi i UNICEF-it. Vetëm dy përqind e fëmijëve invalidë, që janë pyetur për këtë studim, pohojnë se ata kanë shokë, me të cilët mund të komunikojnë rregullisht. Pa një shkollim të përshtatshëm shumë prej tyre nuk kanë asnjë shans që më vonë të ndjekin shkolla profesionale, të gjejnë ndonjë vend pune dhe të integrohen në shoqëri.