1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të huajt, të domosdoshëm për ekonominë gjermanolindore

26 Gusht 2024

Instituti i Ekonomisë Gjermane (IW) paralajmëron se pa punonjës të huaj, ekonomia e Gjermanisë Lindore do të pësonte një rënie serioze. Dhe Partia e Gjelbër bën propozime për t'i futur refugjatët në punë shpejt.

https://p.dw.com/p/4jvWv
Saksoni: Një punonjës maroken i Linamar Antriebstechnik GmbH në Crimmitschau, Saksoni, duke punuar
Fotografi: Jan Woitas/dpa/picture alliance

Një punonjës maroken i Linamar Antriebstechnik GmbH në Crimmitschau, Saksoni (2023)

Sipas një studimi të ri, të huajt janë një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë në Gjermaninë Lindore. 403.000 vetë që jetojnë atje pa pasaportë gjermane gjeneruan 24.6 miliardë euro vitin e kaluar, sipas Institutit të Ekonomisë Gjermane (IW) në Këln, institut i afërt me biznesin.

Kjo korrespondon me 5.8% të vlerës së shtuar bruto të pesë landeve të Gjermanisë Lindore. Po të merret parasysh edhe ndërvarësia brenda ekonomisë, shifra do të arrinte madje 6.9%.

Polakë, çekë, rumunë, ukrainas në Lindje

Në pesë vitet e fundit, polakët dhe çekët kanë qenë të ardhurit kryesorë në Lindje të Gjermanisë, si dhe shumë rumunë dhe ukrainas. Ata punojnë kryesisht në ndërtim, por edhe në sektorin e transportit dhe përmes agjencive të punësimit të përkohshëm në Gjermani, sipas IW.

Në të njëjtën kohë, ndryshimi demografik në tregun e punës në landet Brandenburg, Mecklenburg-Vorpommern, Saksoni, Saksoni-Anhalt dhe Turingi po ndihet shumë më fuqishëm se në pjesën tjetër të vendit: sipas studimit, numri i punonjësve gjermanë. në këto rajone u ul me 116.000 në periudhën 2018-2023, ndërkohë që pati një rritje prej 200.00 vetësh në të gjithë Gjermaninë. Autori i studimit, Wido Geis-Thöne, konkludon: "Punonjësit e huaj janë të domosdoshëm për Lindjen".

Portreti i autorit të studimit të IW, Wido Geis-Thöne
Wido Geis-Thöne ishte autori kryesor i studimitFotografi: Uta Wagner

"Ata nuk kanë reputacionin më të mirë për mikpritjen"

"Është edhe më e rëndësishme që rajoni të mbetet kozmopolit, sepse vetëm atëherë Lindja do të vazhdojë të jetë e suksesshme ekonomikisht”, thotë Geis-Thöne. Pa ardhjen e të huajve të rinj, ekonomia do të ishte ulur ndjeshëm. Në vend të kësaj, ajo është rritur. "Saksonia përfiton veçanërisht nga kjo," vazhdon studimi i IW. Të huajt gjeneruan rreth 7.9 miliardë euro atje. Brandenburgu, me një ekonomi të përgjithshme dukshëm më të vogël, regjistroi 6.8 miliardë euro dhe Turingia ende 3.9 miliardë euro.

Parlamente të reja do të zgjidhen në secilin prej këtyre tre landeve federale në shtator. Sipas sondazheve, partia AfD - e kategorizuar si e djathtë ekstreme në disa zona - mund të presë një rritje të fortë. "Gjermania Lindore nuk ka reputacionin më të mirë kur bëhet fjalë për mikpritjen," thotë instituti me qendër në Këln. "AfD sulmon pamëshirshëm emigrantët dhe është e kënaqur me rezultatet e saj të mira në sondazhe."

Të Gjelbrit: heqje e ndalimit të punës për refugjatët

"Süddeutsche Zeitung" raportoi për një dokument të Partisë së Gjelbër, në të cilin politikanët e lartë të partisë listojnë 15 masa për të luftuar mungesën e fuqisë punëtore dhe punëtorëve të kualifikuar në Gjermani. Një nga kërkesat kryesore është heqja e ndalimit të punës së refugjatëve. "Është absurde që njerëzve që kërkojnë mbrojtje nga persekutimi politik apo kërcënimet ndaj jetës në Gjermani u ndalohet të punojnë këtu”, thuhet në dokument.

Disa azilkërkues fshijnë oborrin e qendrës së parë të pritjes në Sigmaringen në Baden-Württemberg (16.02.2017)
Disa azilkërkues fshijnë oborrin e qendrës së parë të pritjes në Sigmaringen në Baden-Württemberg (16.02.2017)Fotografi: Thomas Warnack/dpa/picture alliance

Kancelari Federal Olaf Scholz (SPD), Ministri i Ekonomisë Robert Habeck (Të Gjelbërit) dhe Ministri i Financave Christian Lindner (FDP) kishin rënë dakord tashmë në korrik, gjatë negociatave të tyre mbi buxhetin federal 2025, për të reduktuar pengesat burokratike në mënyrë që të huajt të kenë akses në punësim. Habecku tha atëherë se qëllimi ishte për të ndryshuar kompetencat e autoriteteve të imigracionit. Në të ardhmen do të vlejë: "Nëse nuk kundërshtojnë pas 14 ditësh, puna e të huajve do të konsiderohet e autorizuar”.

Në dokumentin e tyre, politikanët kryesorë të Gjelbër kërkojnë gjithashtu krijimin e një agjencie qendrore të imigracionit. Përveç kësaj, anglishtja duhet të autorizohet si gjuhë e dytë në zyrat publike. Edhe njohja e kualifikimeve dhe diplomave profesionale duhet të jetë më e shpejtë dhe më e lehtë. Së fundi, të Gjelbërit gjithashtu kërkojnë në dokument që të përshpejtohet dhënia e vizave.

aud (sti/dpa, rtr)