Të Gjelbrit gjermanë po ripozicionohen në opozitë
17 Shtator 2007Kjo temë komentohet nga shumica e gazetave gjermane të së hënës. Në gazetën TAGESZEITUNG që del në Berlin për këtë temë lexojmë:
"Te publiku dhe te parti të tjera, nga Gëtingeni shpërndahet mesazhi: Të Gjelbrit largohen në këtë mënyrë nga kursi i realpolitikës, që kanë ndjekur që prej vitit 1999. Partia i rekomandoi për herë të parë fraksionit parlamentar që të mos votojë pro zgjatjes së angazhimit në Afganistan të ushtrisë gjermane. Me këtë hap, ajo ndërpret vazhdimësinë e një rruge, të cilën ajo e ka bashkëvendosur gjashtë vjet më parë si parti në qeveri. Të gjitha shpjegimet shtesë për këtë veprim nuk regjistrohen nga publiku jashtë partisë. Mesazhi që mbërrin jashtë është: të Gjelbrit po ripozicionohen në opozitë. Kjo do t'i frikësojë partnerë të mundshëm të koalicionit paszgjedhir për vitin 2009."
"Edhe apeli për përgjegjësinë globale të të Gjelbërve kaloi pa efekt", kujton FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG. Edhe paralajmërimi i (bashkëkryetares së partisë) Kynast, se kongresin e Të Gjelbërve po e ndjek me vëmendje e gjithë bota, nuk ua ndryshoi mendjen delegatëve nga vota kundër rekomandimit të kryesisë së partisë dhe në këtë mënyrë nga vota kundër zgjatjes së angazhimit në Afganistan. Kështu, nga Gëtingeni (ku u mbajt kongresi i partisë) përcillet mesazhi që një ish-parti në pushtet në Gjermani, e cila kërkon të kthehet në pushtet pas vitit 2009, tërhiqet nga konflikti me terrorizmin transnacional. Analistët e Al Kaidës mëshirplotë nuk do t'i regjistrojnë mosmarrëveshjet në luftërat brendapartiake te Të Gjelbërit dhe intrigat në kampin e tyre. Shumë më interesante për ta do të jetë fakti, sa e fortë mund të bëhet në Bundestag rezistenca kundër angazhimeve ushtarake në botën e jashtme..."
Ndërsa komentatori i SÜDDEUTSCHE ZEITUNG që botohet në Mynih vëren:
"Trashëgimtarët e Joshka Fisherit janë shndërruar në xhuxhmaxhuxhë politikë. Meqenëse që të pestë janë rëgjuar në të njëjtën masë, në aritmetikën e pushtetit të Të Gjelbërve nuk ka ndryshuar gjë: asnjëri nuk është aq i fortë sa të bëjë të fitojë qendrimi i tij dhe asnjëri nuk është kaq i dobët, sa të mund ta gëlltisin të tjerët. Lufta brenda partisë do të vazhdojë, për dëmin e bazës dhe të partisë. Pikërisht Të Gjelbërit i japin në një masë të konsiderueshme lamtumirën angazhimit në Afhanistan."
Ja edhe mendimi i BERLINER ZEITUNG:
"Vërtet që baza e Të Gjelbërve nderohet nga masa e vendosmërisë dhe e mungesës së respektit me të cilën është në gjendje të zbatojë vullnetin e saj në rast nevoje edhe kundër udhëheqjes së vet. Kaq shumë demokraci në bazë nuk ka thuajse në asnjë parti tjetër. Por fitorja, sado e rëndësishme të ketë qenë ajo për gjendjen shpirtërore të partisë mund të kthehet shpejt në pararendëse për një nga krizat më të rënda në historinë e Të Gjelbërve. Aftësinë për të qeverisur të Të Gjelbërve, hapi pas në politikën e jashtme e dëmtoi në mënyrë të konsiderueshme. Sepse është e vështirë të kuptosh, se pse kjo parti, flak një kurs të zhvilluar vetë dhe të konsideruar për shumë vite të drejtë politik, për shkak të gjashtë avionëve zbulues Tornado, relativisht të parëndësishëm. Dhe kështu, në mendje të mbetet dyshimi, se në Gëtingen, ajo që kishte më rëndësi, ishte tërheqja e veshit kryesisë së partisë. Çmimi për një vendim të tillë emocional është i lartë."
Së fundi edhe mendimi i KÖLNER STADT-ANZEIGER:
""Pacifizmi i ri" është në fund të fundit i pamoralshëm dhe populist. I pamoralshëm, sepse tendenca, "të ikim nga Afganistani" ia dorëzon popullin afganas plotësisht talibanëve. Kryesorja, ndërgjegjia të jetë e pastër. Dhe populiste, sepse të Gjelbrit, të drejtuar nga anketimet, përpiqen t'i bëjnë bosht përgjegjësisë, për t'u futir si "parti kundër luftës" sërish në fushatën elektorale. Kongresi i partisë u zhvillua me synimin për t'i forcuar së brendshmi Të Gjelbrit. Por ai i dobësoi ata politikisht. Sinjali i Gëtingenit ështe ky: fondamentalistët bien dakord për paqe, larg luftës, ndërsa krerët e partisë, pa Joshka Fisherin, ndodhen në grindje dhe të mpirë."