Të Gjelbrit gjermanë me kryetarë të rinj
30 Janar 2022Të Gjelbrit kanë tanimë dy kryetarët e rinj. Në një kongres digjital të shtunën (29.01.) 28 vjeçarja, Ricarda Lang mori 552 vota dhe me këtë arriti 76% të votave. Lang është kryetarja më e re e partisë në historinë 40-vjeçare të Të Gjelbërve, ajo nuk kishte një kundërkandidate. Kurse deputeti i Bundestagut, Omid Nouripour mori 621 vota nga 752 vota të dorëzuara, që i përgjigjet një votimi 82%. 46 vjeçari arriti të fitojë kundër dy kandidatëve. Rezultati zgjedhor duhet të konfirmohet nga vota me letër. Të Gjelbrit kanë kohë që drejtohen nga një kryesi e dyfishtë.
Klima dhe shoqëria e drejtë
Kryetarja e re e partisë, Ricarda Lang zëvendëson kështu Annalena Baerbock, që në koalicionin e ri qeveritar mban postin e ministres së Jashtme. Baerbock së bashku me Habeck drejtuan për katër vjet partinë. Habeck është tani ministër i Ekonomisë dhe Klimës në qeverinë e re. Kryetarja e re e partisë, Ricarda Lang ka qenë zëvendëskryetare dhe zëdhënëse e Të Gjelbërve për gruan, dhe pjesë e kryesisë së Të Gjelbërve nga viti 2019. Me këtë ajo ka qenë pjesë edhe e vendimit të kontestuar në dhjetor 2020, me të cilin kryesia miratoi një bonus prej 1500 eurosh për të gjithë punonjësit e qendrës federale të partisë duke përfshirë edhe veten. Prokuroria e Berlinin po heton në këtë çështje për keqpërdorim fondesh.
Lang ka hyrë në Bundestag për herë të parë në zgjedhjet e shtatorit vitin e kaluar. Ajo bëri thirrje në fjalimin e saj që Të Gjelbrit të lidhin mbrojtjen e klimës me një shoqëri të drejtë, e ta bëjnë këtë bazë të politikës së tyre. Së bashku me Ricarda Lang, kryetari tjetër i partisë, Nouripour kërkon të arrijë që Të Gjelbrit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të kenë një shans real për zgjedhur kancelaren/in e ardhshëm të Gjermanisë. Me kandidaturën e tij, Nouripour kërkon të motivojë njerëzit me sfond migrimi të angazhohen politikisht, tha Nouripour që ka lindur në Iran.
la/uh/qu (dpa, afp, rtr)