1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për të drejtën e abortit

Nalan Sipar/Angjelina Verbica9 Qershor 2012

Në Turqi ndërprerja e shtatzanisë në të ardhmen do të lejohet deri në javën e katërt. Aktivistet për të drejtat e grave i kundërshtojnë këto plane.

https://p.dw.com/p/15BDJ
Mijëra gra demosntrojnë në Turqi kundër planeve për ashpërsimin e ligjit të abortit
Mijëra gra demosntrojnë në Turqi kundër planeve për ashpërsimin e ligjit të abortitFotografi: dapd

"Erdogan, largo duart nga trupi im. Me parulla të tilla të shkruara në pankarta gratë shprehën në fillim të qershorit zemërimin e tyre për planet e qeverisë së Rexhep Taip Erdoganit. Demonstrata në Stamboll ishte protesta më e madhe deri tani e organizatave të grave në Turqi.

Shefi i Zyrës për Çështjet Fetare, Mehmet Gërmez, e komentoi protestën shkurt "e papranueshme". Ashtu si kryeministri Erdogan edhe autoriteti më i lartë fetar në shtetin laik, deklaroi se abortet pa shkaqe të shpjegueshme mjekësore janë "vrasje".Vendimi për abortin ka të bëjë me një jetë të palindur, dhe për këtë arsye nuk qëndron vetëm në lirinë e vendimit të grave. Këto deklarata të Gërmez-it shkaktuan debate të nxehta në publik dhe e thelluan polarizimin.

Organizatat e grave bashkohen

Për të unifikuar protestën e tyre kundër ashpërsimit të ligjeve të abortit, rreth 150 organizata të grave, themeluan nismën "Kurtaj Yasaklanamaz" ("Aborti nuk mund të ndalohet”). Ky grumbullim mbledh nënshkrime në faqen e tij të internetit për lirimin e grave të marra në paraburgim gjatë protestës. Brenda disa ditëve këtu u mblodhën më shumë se 30.000 nënshkrime. Mijëra të tjera shtohen çdo ditë. Një tjetër qëllim i iniciativës është të kontribuojë që të vendosë në platformat ndërkombëtare zhvillimet aktuale në grindjen për abortin

Rrjeti i pavarur i informacionit bianet.org i bën thirrje grave dhe burrave për të marrë pjesë në një aksion me fotografi. Kryetarja e iniciativës, Çiçek Tahaoglu, tha në intervistë me Dp: "Me shkrimet mbi trupat e tyre apo në pllakatai si 'trupi im, zgjedhja ime", apo "Trupi i gruas sime, vendimi i saj" aktivistët duan t'i japin fushatës një fytyrë të vetën.

Organizatat e sjellin çështjen e trupit të gruas pranë publikut, pikërisht për faktin se gratë në Turqi perceptohen vetëm në hapësirën private. "Në një vend si Turqia, ku dhuna seksuale, dhunimi dhe vrasja e grave janë të përditshme, një ashpërsim i ligjit të abortit vetëm i legalizon këto fenomene", kritikon Cicek Tahaoglu.

Edhe burrat bëjnë thirrje për protesta

Gratë kundërshtojnë kështu deklaratat e ministrit të Shëndetësisë Rexhep Akdag, i cili është shprehur kundër abortit, edhe në qoftë se gruaja ka mbetur shtatzënë nga përdhunimi. I pyetur nga gazetarët se çfarë masash do të marrë qeveria në lidhje me fëmijët e lindur nga përdhunimet, Akdag tha: "Nëse është e nevojshme, shteti do të kujdeset për këta fëmijë."

E cilëson abortin "vrasje". Rexhep Taip Erdogan
E cilëson abortin "vrasje". Rexhep Taip ErdoganFotografi: dapd

Ndërsa organizatat e grave ngrenë zërin e tyre kundër Erdoganit, tani po e marrin fjalën gjithnjë e më shumë burra: Iniciativa "Rahatsiz Erkekler" (burra të shqetësuar) u ka bërë thirrje përmes një blogu të gjithë burrave për një protestë në Stamboll. Ato inkurajohen për të marrë një pozicion të qartë kundër "politikës shtetërore patriarkale."

Si anëtare e vetme femër e kabinetit të kryeministrit Erdogan ministrja e Familjes, Fatma Shahin, tërhoqi mi vete të gjithë zemërimin e grave protestuese, sepse edhe ajo përkrah ashpërsimin e planifikuar të ligjeve të abortit. Shahin mbron pikëpamjen se aborti dhe operacioni cezarian janë bërë metoda të legalizuara të planifikimit familjar dhe nuk duhet të lejohen. Në këtë mënyrë ministrja mbështet deklaratat e Erdoganit, i cili e cilëson edhe operacionin cezarian, si një mënyrë për të kufizuar rritjen e popullsisë së dëshiruar prej tij.

Vdekshmëri e ulët e nënave nga legalizimi i abortit

Ideali i kryeministrit turk është familja me të paktën tre fëmijë. Ky objektiv mund të vështirësohet nga operacionet cezariane, sepse një grua mund të lindë pas një operacioni zakonisht vetëm një fëmijë tjetër. Ministrja e Familjes tha në këtë debat se projektligji i ri do të marrë parasysh kriteret e shkencës dhe arsyes. Kundër deklaratës së Sahinit organizatat e grave argumentojnë duke iu referuar statistikave kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat zbulojnë një lidhje të drejtpërdrejtë në mes ndalimit të abortit dhe rritjes së vdekshmërisë së nënave.

Sipas dhomës së mjekëve dhe shoqatës së gjinekologëve vdekshmëria e nënave ka rënë që nga legalizimin i abortit në Turqi në vitin 1983. Ndërsa gjatë vitit 1970 rreth 250 gra kanë vdekur në 100.000 lindje, kjo shifër zbriti në 28 në vitin 2000. Edhe një tjetër argument i grave është kundër deklaratave të zyrtarëve të qeverisë. Sipas këtyre të fundit legalizimi i abortit, ka rritur shifrat. Por statistikat tregojnë se shkalla e abortit në vitin1993 ka qenë në 18 për qind, në vitin 2008 vetëm rreth 10 për qind.