1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Truprojat e politikanëve gjermanë

30 Maj 2023

Incidenti i fundit i masave të sigurisë për kancelarin Scholz kaloi pa pasoja, por disa raste të tjera kanë qenë shumë më të rrezikshme. Si funksionon sistemi i truprojave në Gjermani?

https://p.dw.com/p/4Rvbd
Attentati ndaj Oskar Lafontaine
Antentati ndaj Oskar LafontaineFotografi: picture-alliance/dpa

Zyra Federale e Policisë Kriminale është përgjegjëse për mbrojtjen e politikanëve federalë gjermanë. Politikanët e shquar dhe të rangut të lartë si kancelari Olaf Scholz shoqërohen gjithmonë nga truproja në publik. Por as ata nuk mund të parandalojnë çdo afrim të paplanifikuar të ndonjë personi. Dëshmi për këtë është incidenti i fundit në aeroportin e Frankfurtit që ndodhi të premten (26 maj), kur një burrë, përkundër pranisë së truprojave, shkoi tek kancelari dhe e përqafoi.

Sipas zëdhënësit të tij, Scholz "nuk është ndjerë i kërcënuar në asnjë moment”. Por edhe ai pranoi se ka mundur të ndodhë edhe diçka e keqe.

Sulmet e të sëmurëve mendorë gjatë fushatës zgjedhore

Scholz me mbrojtjet e tij
Scholz me mbrojtjet e tijFotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Në historinë më të re të Gjermanisë, ka pasur dy sulme ndaj politikanëve të njohur federalë që kanë pasur pasoja të rënda: në vitin 1990, pas paraqitjes së tij gjatë fushatës zgjedhore, një i sëmurë mendor qëlloi ministrin e atëhershëm të Punëve të Brendshme, Wolfgang Schäuble, në një restorant në Oppenau. Politikani i CDU-së pësoi lëndime jashtëzakonisht të rënda dhe që atëherë ka mbetur invalid në karrocë.

Në të njëjtin vit, kandidati kryesor i SPD-së, Oskar Lafontaine, u plagos rëndë në një sulm me thikë pas një fjalimi gjatë fushatës në bashkinë Köln-Mülheim. Sulmuesja që e goditi me thikë pranë arteries karotide (qafës) ishte e sëmurë mendore.

Politikanët lokalë kryesisht pa mbrojtje

Wolfgang Schäuble ka mbetur në karrocë pas një sulmi...
Wolfgang Schäuble ka mbetur në karrocë pas një sulmi...Fotografi: Michael Jung/dpa/picture alliance

Ndryshe nga politikanët e rangut të lartë federalë dhe atyre të landeve, homologët e tyre në nivel lokal zakonisht nuk kanë mbrojtje të veçantë gjatë paraqitjeve publike. Shumë prej tyre ankohen se po bëhen gjithnjë e më shumë shënjestër e kërcënimeve, madje edhe të dhunës. Shembulli më i famshëm ishte kryetarja aktuale e bashkisë së Kölnit, Henriette Reker. Në vitin 2015, gjatë fushatës zgjedhore, një ekstremist i djathtë e sulmoi ate me thikë dhe i shkaktoi lëndime të rrezikshme për jetën.

Reker në atë kohë mbante postin e kryetares së bashkisë për çështje sociale dhe ishte përgjegjës për strehimin e refugjatëve. Sulmuesi pohonte se ka dashur të japë një sinjal kundër politikës së refugjatëve. Në vitin 2016, ai u dënua me 14 vjet burg për tentativë vrasjeje.

Në vitin 2019, një ekstremist i krahut të djathtë qëlloi presidentin e qarkut Kassel, Walter Lübcke. Kjo vrasje nuk ndodhi gjatë ndonjë paraqitje publike, por natën para shtëpisë së tij.

Henriette Reker ka shpëtuar për pak pas sulmit me thikë
Henriette Reker ka shpëtuar për pak pas sulmit me thikëFotografi: Horst Galuschka/IMAGO

Goditja e Schröderit dhe hedhja e vezëve ndaj Kohlit

Raste të tjera sulmesh ndaj politikanëve u bënë kryefjalë në mediat gjermane, por nuk patën pasoja të rënda për politikanët në fjalë. Në vitin 2004, për shembull, kancelari i atëhershëm Gerhard Schröder u godit me shuplakë në një ngjarje në Mannheim nga një person i papunë.

Ndërsa në vitin 1991 në Halle (Saale), kancelari federal Helmut Kohl donte vetë të përballej me protestuesit që e qëlluan me vezë, domate dhe qese të mbushura me bojë - ndihmësit e tij dhe gardhet e vendosura për siguri e penguan këtë përleshje

Merkeli dhe Putini në shënjestë të aktivistëve

Si aktivistët politikë, ashtu edhe demonstruesit, në disa raste arritën t'i thyejnë barrierat e sigurisë për të shprerhur pakënaqësinë e tyre politike. Në vitin 2021, në Erfuhrt, një anëtar i njohur i skenës "Querdenker" (teoricientët konspirativë) i hoqi mikrofonin kandidatit të CDU për kancelar Armin Laschet gjatë një fjalimi në fushatë. Në vitin 2019, ministri i atëhershëm federal i Shëndetësisë Jens Spahn u befasua në Schleswig-Holstein nga dy aktiviste gjysmë të zhveshura nga lëvizja feministe "Femen", të cilat u hodhën mbi ministrin teksa ai po mbante një fjalim, duke shprehur protestën e tyre kundër studimit të atëhershëm për abortet.

As Putin dhe Merkel nuk kanë qenë tërësisht të mbrojtur
As Putin dhe Merkel nuk kanë qenë tërësisht të mbrojturFotografi: Peer Grimm/ZB/picture alliance

Kancelarja për një kohë të gjatë e Gjermanisë, Angela Merkel përjetoi gjithashtu një sulm nga aktivistet e grupit për të drejtat e grave - në vitin 2013, së bashku me presidentin rus Vladimir Putin. Në panairin në Hanover, pesë gra të zhveshura arritën t'u afroheshin atyre - edhe pse Merkel dhe Putin ishin ndoshta politikanët më të mbrojtur në atë kohë.

ARD/bc