1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

281011 G20 Chronik

30 Tetor 2011

Më 3 dhe 4 nëntor mblidhen në Canë, kryetarët e qeverive të 20 vendeve më të industrializuara dhe në ekspansion ekonomik. Aty do të flitet për një rend të ri monetar dhe për spekullantët e lëndëve të para.

https://p.dw.com/p/131sE
Sërish G-20 do të luajë rolin e zjarrfikësit
Sërish G-20 do të luajë rolin e zjarrfikësit

Më 15 nëntor 2008, Uashington DC, Muzeumi National Building: ekzaktësisht dy muaj para fillimit të krizës së hipothekave amerikane, që arriti kulmin me falimentimin e Bankës Lehman. Vala e shokut ka kaplluar globin, bota e financave përjeton rënie të madhe. Ndihma duhet të vijë nga takimi i nivelit të lartë të 20 kryetarëve të qeverive dhe të vendeve të industrializuara dhe atyre në ekspansion ekonomik. G-20 ekzistonte në atë kohë, por në rangun e ministrave të financave.

Nevoja i mbledh ata së bashku, në fund të ditës kancelarja Angela Merkel thotë: "Unë mendoj se këtu ekziston një vullnet i përbashkët, që kriza të tilla të mos përsëriten. Kjo ka të bëjë me pjesëmarrjen në tregje, në mënyrë që të gjitha prodhimet dhe tregjet të jenë nën vëzhgim. Pra, si mund të qeveriset bota, si duhet të jetë politika në mënyrë që incidentet e tregjeve të mos shkatërrojnë gjithshka që duam."

Samiti i Uashingtonit
Samiti i UashingtonitFotografi: AP

Në Uashington u morr vendimi për rreth 50 masa që duhet të zbatohen mundësisht sa më shpejt. Një gjysëm viti më vonë, në prill 2009, në Londër zhvillohet takimi tjetër i nivelit të lartë. Prej tij del një "Plan aksioni i G-20 për zhvillimin ekonomik dhe reformat".

Sistemit financiar i duhen vendosur frenat. Oazet e taksave, shkruhen në një listë të zezë. Gordon Brown, në atë kohë kryeministri britanik, njofton në mënyrë patetike: "Kjo është dita, në të cilën bota është mbledhur për të goditur recesionin global. Jo me fjalë, por me një plan për zhvillimin në gjithë botën dhe reformat."

Një gjysëmviti më vonë sërish. Në fund të shtatorit 2009, presidenti amerikan Barack Obama është mikpritësi i takimit tjetër të G-20. Ai mbahet në Pittsburgh, metropolin e dikurshëm të çelikut. Këtu arrihet një hap përpara në drejtim të rregullimit të tregjeve financiare, pajiset Fondi Monetar Ndërkombëtar me më shumë para, dhe vendet në ekspansion ekonomik marrin më shumë peshë në FMN. Barack Obama bën bilancin pozitiv të takimit: "Gjashtë muaj më parë unë kam thënë se takimi i Londrës, ishte një moment kyç i përpjekjeve tona për të shmangur katastrofën ekonomike. Këtu në Pittsburgh, ne kemi arritur hapa të tjerë, për të siguruar zhvillimin ekonomik dhe për ta shtuar atë në mënyrë të qëndrueshme. Ne e mbrojtëm nga shkatërrimi ekonominë botërore. Sot, ne vendosëm themelet për një mirëqënie të qëndrueshme."

Samiti i Pitsburgut
Samiti i PitsburgutFotografi: AP

Edhe në vitin 2010, u zhvilluan dy takime të nivelit të lartë, një në Toronto dhe një në Seul. Megjithatë dinamika e shpëtuesve të botës duket si e paralizuar. Ekonomia botërore e ka marrë veten, Gjermania për shembull e kalon shpejt recesionin e saj dhe shkëlqen me shifrat ekonomike. Kjo nxit diskutimet për modelin e duhur ekonomik. A duhet kursyer më shumë, apo duhen shtuar programet konjukturore? Në Toronto, kancelarja gjermane tregon bindjen e vet: "Planet për përgjysminin e deficiteve deri në vitin 2013 (në vendet e industrializuara), janë strategji e qartë exit-i. Ne i largohemi programeve koniukturore, gjatë të cilave ne shtuam borxhet dhe deri në vitin 2013, ne vendet e industrializuara do të përgjysmojmë borxhet. Ky është një objektiv ambicioz, dhe të them të drejtën më i madh se e prisja unë. Fakti që vendet e industrializuara e pranojnë, është një sukses."

Reforma e tregjeve financiare, përparon megjithatë lobi i fuqishëm i bankave në SHBA dhe Evropë pengon vendosjen e rregullave të forta. Dhe pyetja më e rëndësishme mbetet e pazgjidhur: Si mund të pengohet që një bankë të bëhet aq e madhe, saqë falimentimi i saj të rrezikojë shkatërrimin e pjesës tjetër të botës financiare?

Megjithatë në Seul, Angela Merkel thotë se cdo gjë është bërë si duhet. "Në luftimin e kësaj krize ne kemi punuar shumë më mirë se në atë të viteve 1930-të. Ne ngritëm një kuadër ligjor, përpiluar paketa koniukturore dhe filluam shumë herët të kursejmë. Tani duhet të kujdesemi, që të mos përsërisim gabimin e tretë, që u bë në atë kohë, që të biem në proteksionizëm."

Takimi në Paris
Takimi në ParisFotografi: AP

Por punët erdhën ndryshe. Problemi nuk është proteksionizmi. Problemet quhen Greqi, Portugali, Irland dhe Spanjë, madje edhe Itali. Fjala e keqe e falimentimit të shtetit, thuhet gjithandej. Programe për shpëtimin përpilohen dhe zgjerohen me shpejtësi të madje. Kriza e borxheve shpalos ndikimin e saj të madh. Në fakt në Canë, duhet të flitet për reformën e sistemit monetar, kurse presidenti francez Nicolas Sarkozy donte të luftonte spekullantët e lëndëve të para. Por, asgjë nga këto nuk do të arrihet. Sepse në lojë është dicka më e madhe. Pyetjet edhe kësaj here mbeten: A do të mbijetojë zona e euros? Dhe a ka G-20 të ardhme?

Autor: Henrik Böhme/ Aida Cama

Redaktoi: Esat Ahmeti