Shumica e turistëve që ndjekin udhërrëfimin e Elias Matalon janë hebrenj. Sa herë që vijnë vizitorë në sinagogën e Selanikut në Greqi, Elias Matalon gjithmonë këndon një këngë sefardike. Është muzika e paraardhësve të tij - hebrenjve sefardikë, të cilët u dëbuan nga Gadishulli Iberik në shekullin e pesëmbëdhjetë dhe ikën në Greqi, duke e kthyer qytetin e Selanikut në një qendër vitale të kulturës hebraike. Selaniku dikur njihej si Jerusalemi i Ballkanit. Një kohë rreth gjysma e popullsisë së qytetit ishte hebre. Megjithatë tani kanë mbetur pak gjurmë të dukshme të së kaluarës hebraike të qytetit. Por Elias Matalon i di historitë që fshihen pas - dhe në disa raste - edhe në muret e qytetit të tij të lindjes. Elias Matalon shoqëron rregullisht turistë nga Izraeli nëpër qytet. Turneu i tij e bën të prekshme të kaluarën dhe kulturën hebraike të Selanikut për vizitorët. "Hebrenjtë janë një popull dhe është e rëndësishme që një popull të ketë një kujtesë dhe një të kaluar që e mban gjallë për të ardhmen", thotë një turist nga Izraeli.
Në Muzeun Hebre, ata mësojnë se çfarë ndodhi me varrezat hebraike të qytetit. Me gati 500,000 varre, dikur kjo ishte një nga varrezat më të mëdha hebreje në botë. Në vitin 1943, autoritetet e qytetit iu drejtuan forcave pushtuese naziste për marrjen e lejes për të shkatërruar varrezat me qëllim zgjerimin e qytetit dhe përdorimin e gurëve të varreve si material ndërtimi. Brenda pak ditësh, historia e shekujve hebreje dhe një pjesë kyçe e jetës së komunitetit hebre të qytetit u fshinë plotësisht.
E kaluara e harruar
Sot, në vendin e ish-varrezave ngrihet një universitet. Në vitin 1998, këtu u ngrit një monument. Por pak vetë janë të vetëdijshëm për ekzistencën e tij. Elias Matalon do të donte që më shumë njerëz të kenë dijeni për memorialin dhe të reflektojnë mbi atë se çfarë nënkupton ai, në mënyrë që të kuptojnë më mirë historinë e qytetit. "Me mijëra studentë kanë studiuar këtu, por edhe sot kur pyet njerëzit se çfarë ka qenë këtu më parë, ata nuk e dinë përgjigjen. Vetëm pak njerëz e dinë se kjo dikur ishte vendi i varrezave hebreje", rrëfen Elias.
Në përgjithësi, e kaluara hebraike e Selanikut është harruar shumë. Por nëse shikon më nga afër, gjurmët janë të dukshme në të gjithë qytetin. Aty-këtu gjenden mbetje gurësh varresh me mbishkrime hebraike. Ndër të tjera, autoritetet e qytetit përdorën copa gurësh varresh për të riparuar dëmet e shkaktuara nga një zjarr i madh në vitin 1917. Në këtë mënyrë, gurët që më parë kishin shënuar vendet e fundit të prehjes të mijëra hebrenjve u integruan në strukturën e qytetit.
Elias Matalon, thotë se "ecim dhe ulemi mbi copa, mbi gurë që dikur ishin pjesë e varrit të dikujt. Sot, kjo është gjithçka që ka mbetur dhe është vërtet shqetësuese, sepse këto pjesë nuk duhet të jenë këtu. Ky nuk është vendi i tyre. Ata i përkasin vendit ku kanë qenë dikur. Thjesht të marrësh copa nga një varr dhe t'i përdorësh si gurë shtrimi, në mure, për të mbushur boshllëqet? Dua të them, se për mua kjo është përdhosje."
Elias Matalon shpreson që shumë njerëz – hebrenj dhe johebrenj – do ta dëgjojnë historinë e asaj që ndodhi me varrezat hebraike të Selanikut. Vetëm ata që janë të vetëdijshëm se qyteti dikur ishte vatra e një komuniteti të gjallë hebre, i cili për shekuj ndihmoi në formimin dhe ndërtimin e Selanikut, mund ta kuptojnë vërtet këtë qytet dhe historinë e tij.