1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trafikimi i njerëzve - fenomen i hidhur mbarëbotëror

Christina Bergmann 18 Tetor 2007

Të enjten në kinematë gjermane do të shfaqet filmi "Trade- You’ll pay for this" ku bëhet fjalë për dy vajza, që bien viktimë e trafikimit dhe prostitucionit të detyruar.

https://p.dw.com/p/BsEZ
Ana e errët e shoqërisëFotografi: AP

Sipas qeverisë amerikane çdo vit trafikohen në mbarë botën 600.000 deri në 800.000 njerëz. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut përpiqen t´i luftojnë këto krime duke kërkuar më shumë të drejta për viktimat. Sot në Evropë është dita kundër trafikut njerëzor. Antonio Kosta (Antonio Costa), drejtor i zyrës së OKB-së për luftimin e drogës dhe kriminalitetit në Vjenë, mendon se ky është një hap shumë i rëndësishëm. Por ai kërkon shumë më tepër.

"Protokolli i OKB-së kundër trafikimit njerëzor hyri në fuqi në dhjetor të vitit 2003 dhe është ratifikuar nga mbi 100 shtete. Sipas kësaj deklarate, trafikimi njerëzor luftohet nga të gjitha shtetet që e kanë ratifikuar atë. Përveç kësaj këto shtete garantojnë se u ofrojnë ndihmën maksimale viktimave dhe se bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin. Por sipas Antonio Maria Kostas, ajo që mungon është veprimi i ligjit në shtete të caktuara. Në shumë shtete, madje edhe në disa vende evropiane, ky problem nuk trajtohet me seriozitetin e duhur. Kjo për shkak të mosinformimit të mjaftueshëm", thotë drejtori i zyrës së OKB-së për luftimin e drogës dhe kriminalitetit në Vjenë:

"Shumë shtete e kanë nënshkruar marrëveshjen ndërkombëtare por më vonë ato thonë se këtu bëhet fjalë për prostitucion dhe prostitucioni është po aq i vjetër sa njerëzimi, pra përse duhet të ndërhyjmë."

Viktimave duhet t´u vihet në ndihmë

Trafikimi njerëzor nuk duhet parë vetëm nën aspektin e abuzimit seksual. Edhe burrat bëhen shpesh viktima, për shembull duke u detyruar të punojnë në vende të huaja nëpër miniera, djem të vegjël që keqpërdoren si ushtarë, vajza të vogla që shiten për të punuar si shërbyese, sepse prindërit e tyre nuk mund t´i ushqejnë - Në Azinë Juglindore ashtu si në Evropë e në SHBA. Fenomeni i trafikimit njerëzor është shumë i thellë. Çfarë do të thotë për shembull, kur vetë viktimat apo prindërit e fëmijëve e pranojnë trafikimin?

"Ne duhet të kujdesemi që t´i sqarojmë njerëzit, në mënyrë që të marrim masat dhe iniciativat e duhura, për ta frenuar trafikimin njerëzor"- u shpreh Kosta, i cili theksoi se është shumë e rëndësishme që u vendos një ditë evropiane kundër trafikimit njerëzor. BE-ja do të lëvizë në drejtimin e duhur, edhe pse me hapa të vegjël sepse duhet të presë miratimin e anëtarëve të saj.

Zëvendëspresidenti i BE-së, Franko Fratini (Franco Frattini), i cili është përgjegjës për këto çështje, po përpiqet që protokolli i OKB-së të zbatohet në më shumë vende evropiane. Pjesë e këtij protokolli është gjithashtu që viktimave t´u vihet në ndihmë e të mos dërgohen menjëherë në vendet nga vijnë, shprehet Kosta. "Nuk është mirë kështu, sepse ndoshta ata patën fatin e keq të ndodhen në vendin e gabuar në kohë të gabuar e mbi të gjitha kundër vullnetit të tyre."

Shpesh njerëzit duhen t´i arratisen varfërisë dhe situatës së tyre të mjerë të jetesës dhe nuk e dinë se ç´i pret.

Filmi - një mundësi për të tërhequr vëmendjen

Filmi "Trade" i regjizorit gjerman Marko Krojcpeinter (Marco Kreuzpaintner), i cili i trajton pikërisht trafikun njerëzor, përshëndetet nga Kosta si një mundësi për të ngritur vëmendjen e njerëzve. Filmi u xhirua në SHBA, sepse Hollywood-i është shumë i fokusuar tek vendi i vet dhe se kështu do të ketë më shumë profit financiar.

"Situata në mbarë botën është dramatike, në Evropë, në Amerikën Latine, në Azi dhe në Afrikë. Nuk dua që dikush që sheh filmin, të mendojë se trafikimi njerëzor është një fenomen që ndodh vetëm në SHBA. Hollywood-i ka arsyet e veta që e ka prodhuar filmin në këtë mënyrë dhe unë e respektoj këtë fakt."