Topalli: Rezoluta e re për Kosovën në KS-it do të dalë shumë shpejt
30 Maj 2007Shqipëria i mbështet angazhimet e udhëheqësve politik kosovarë për jetësimin e pavarësisë së Kosovës. Kështu tha në Prishtinë, kryetarja e parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, pas disa takimeve që zhvilloi me udhëheqësit më të lartë politik në Kosovë.
Zonja Topalli beson se pavarësia e Kosovës është një çështje e kryer ndërsa thekson se tash fokusi i bisedimeve është përqëndruar në fazën e zbatimit të marrëveshjes që ka të bëjë me nxjerrjen e Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të domosdoshme.
Kryeparlamentarja shqiptare, Jozefina Topalli, shprehet e bindur se rezoluta e re për Kosovën në KS-it, do të dalë shumë shpejt. Ajo nuk beson që federata ruse, do të përdorë veton kundër kësaj rezolute.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nga ana e tij, thotë se Shqipëria në vazhdimësi e ka ndihmuar Kosovën ndërsa shprehet se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të vazhdojë pandalur.
Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ndërkaq, thotë se synimi i Kosovës dhe Shqipërisë është integrimi në strukturat euroatlantike dhe në këtë linjë shprehet se të gjitha vendet e rajonit duhet ta ndjekin këtë rrugë.
Kryetarja e parlamentit të Shqipërisë, erdhi mbrëmë në Kosovë dhe do të qëndrojë edhe sot. Në axhendën e saj, ka paraparë të vizitojë edhe familjen e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova dhe kompleksin memorial, Adem Jashari, në Prekaz të Drenicës.