1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tensione me policinë në protestën antiqeveritare të opozitës

22 Mars 2019

Deputetja demokrate Rudina Hajdari kërkon fund politikes së vjetër në PD

https://p.dw.com/p/3FTVt
Albanien Tirana - Regierungsproteste
Fotografi: DW/A. Ruci

 

Me nje pjesëmarrje të tkurrur protestuesish, opozita zhvilloi të enjten ( 21.03.2019) protestën e saj të gjashtë antiqeveritare; brenda 5 javëvë te fundit, në sheshin para Parlamentit, pa arritur dot të shmangë tensionimin e situatës dhe aktet e dhunës. Opozita kërkoi largimin e kryeministrit Rama dhë rënien e qeverisë së tij, të akuzuar për blerje votash dhe lidhje me krimin e organizuar.

Policia nuk përdori gaz lotsjellës, por efektivat e saj ishin të pajisura me kundragaz. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë arritën të ndalojë përshkallëzimin e tensionimit të situatës duke përdorur ujë me presion, kur grupe protestuesish arritën të ҫajnë kordonin e policëve. Por nuk ia dolën mbanë të futen Parlament, ku po zhvillohej seanca plenare. Militantët që gjuajtën me gurë dhe shishe platike uji policët, që hodhën shashka tymuese dhe shpërthyen bombat Molotov u shoqëruan në Drejtorinë e Policisë. Policia ka bërë me dije se janë lënduar dy policë.

Protesta u zhvendos në Drejtorinë e Policisë, ku protestuesit kërkuan lirimin e të ndaluarve dhe situata u tensionua përsëri. Protestuesit thyen xhamat e dritareve të godinës së Policisë duke i qëlluar me gurë dhe shishe uji dritaret e saj.

Pas 5 orësh opozita mbylli protestën me një fjalim të nënkryetarit të PD, Edi Paloka, ku ai bëri përsëri me dije vijimin e protestave deri në rrëzimin e qeverisë Rama. Lideri i PD Lulzim Basha nuk mori pjesë në protestë, pasi ndodhet në Bruksel në takime me Partinë Popullore Europiane, (PPE). Nga Brukseli Basha inkurajoi protestuesit përmes medias sociale duke bëri me dije se” PPE mbështet veprimet e opozitës”.

Opozita e kritikuar nga të vetët në Parlament  

Seanca plenare në ditën e protestës së gjashtë të opozitës solli një dukuri që nuk është hasur prej shumë vitesh: kritikën e ashpër të PD në Parlament nga të vetët.

Dy deputetët demokratë, Rudina Hajdatri dhe Myslim Murrizi, që mbajtën mandatet e tyre duke thyer urdhërin e partisë, dënuan largimin e opozitës nga parlamenti dhe synimin e këtij akti.

" Dorëzimi i mandateve parlamentare u bë për të shpejtuar kalimin e pushtetit," tha në seancën plenare deputetja demokrate, Rudina Hajdari.

Ajo e cilësoi pasojë të politikës së vjetër dhe një akt të paprecedentë dorëzimin e mandateve  parlamentare nga deputetët e PD.

"Ky model i vjetër politik që nuk do t'ia dijë për të ardhmen duhet të marrë fund. Në nuk e ndërtuam kurrë kulturën demokratike. Dorëzimi i mandateve për të shpejtuar një kalim të pushtetit nuk është gjë tjetër vecse përshkallëzim ekstrem i sjelljes politike në më shumë se 20 vjet”, tha në seancën plenare të së enjtes, deputetja demokrate  Rudina Hajdari.

Ndërsa deputeti demokrat Myslim Murrizi, kërkoi ndryshimin e sistemit zgjedhor, ku listat e kandidatëve për deputetëi  i hartojnë kryetarët e partive.

" Jemi në një sistem politik të kapur prej fyti për të shmangur ballafaqimin direkt me votuesit. Kemi tre palë zgjedhje që i fshihemi votës së popullit” tha ai duke sjellë në kujtesë ndryshimin e sistemit zgjedhor në vitin 2008, pasojë e marrveshjes Rama - Berisha.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana