1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Sërish dhunë në protestën e pestë antiqeveritare

Ani Ruci'
13 Maj 2019

Protesta kombëtare antiqeveritare e rradhës, që opozita dhe mbështetësit e saj zhvilluan në Tiranë, në mbrëmjen e së hënës, ( 13.05.2019) nuk u shpëtoi akteve të dhunës.

https://p.dw.com/p/3IRbD
Albanien, Tirana: Proteste gegen die Regierung
Fotografi: DW/A. Ruci

Për fat të keq aktet e dhunës nuk munguan në protestën kombëtare të së hënës (13.05), edhe pse Lulzim Basha, kryetar i PD dhe i opozitës, deklaroi, se" Partia Demokratike është e angazhuar vetëm për një protestë paqësore" . Më herët PD akuzoi qeverinë për dhunën ekstreme të protestës 6 orëshe të 11 majit,  pasi sipas saj është qeveria ajo që nxit "konfrontimin, konfliktin dhe frikën mes qytetarëve".

Për potencialin e përsëritjes së akteve të dhunës në protestën e së hënës, deklaroi Ministria e Brendshme në bazë të informacioneve të saj. Përsëitja e dhunës tregoi se nuk janë marrë parasysh apelet e përfaqësive ndërkombëtare.

Faktori ndërkombëtar njëzëri dënon dhunën, thirrje për dialog

Në mënyrë unanime dhe njëzëri OSBE, Gjermania, SHBA, Italia, Britania e Madhe dënuan dhunën dhe i bënë thirrje opozitës dhe qeverisë të ulen në tryezën e bisedimeve për të zgjidhur krizën politike. Ambasada Gjermane, në Tiranë, në një  njoftim për shtyp theksoi të hënën se "shfaqjet e dhunës janë tërësisht të papranueshme dhe të papajtueshme. Dënojmë maksimalisht dhunën e çdo lloji. U bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës Basha dhe Kryemadhi të dënojnë të gjitha format e dhunës ndaj njerëzve dhe institucioneve dhe t'i parandalojnë ato në mënyrë efektive. Si organizatorë ata mbajnë përgjegjësi për zhvillimin paqësor të demonstrative. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që kundërshtitë në qëndrime t‘i zgjidhin në kuadër të një dialogu politik konstruktiv, " theksoi të hënën ambasada gjermane.

Albanien, Tirana: Proteste gegen die Regierung
Fotografi: DW/A. Ruci

Edhe Ambasada e SHBA, përmes një deklarate u bëri drejtuesve  të opozitës , ” të dënojnë dhunën dhe sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë  të rregullta dhe paqësore dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv që synon t'i japë fund bllokimit politik", theksoi të hënën , deklarata e ambasdadës amerikane në Tiranë.

Prania e OSBE-së në Tiranë bën me dije se drejtuesit e organizatës në Vjenë shprehën të hënën „shqetësim për protestat e dhunshme në Shqipëri dhe bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje maksimale dhe dialog" dhe theksuan që „trazirat nuk mund të zëvendësojnë angazhimin politik demokratik."

Rama Bashës: Kur do të flasim?

Dialog kërkoi të hënën përsëri  kryeministri Rama. Përmes një postimi në tëitter  Rama iu drejtua kreut të opozitës Lulzim Basha, ”autobuzin e këtij qershori e humbe, por mos humb trenin e qershorit 2021. Kur  do të flasim?” duke pasur parasysh zgjedhjet lokale të këtij 30 qershori dhe zgjedhjet parlamentare të rradhës në 2021. Por Basha e kushtëzon dialogon me dorëheqjen e Ramës, i cili ka deklaruar me këmbëngulje që " nuk negocion me Bashën mandatin që i kanë dhënë votuesit qeverisë Shqipërinë deri në 2021.”

Basha: Jemi kundër krimit, kundër qeverisë së paligjshme

Për opozitën qeveria është e paligjshme, e dalë nga zgjedhje të fituara me blerje votash dhe lidhje me krimin. Moti i keq, me shi nuk e pengoi protestën dhe marshimin e protestuesve nga Kryeministria, në Drejtorinë e Policisë, Ministrinë e Brendshme, Parlament për të përfunduar si përherë në selinë e PD dhe  kërkuar në ҫdo stacion largimin e kryeministrit Rama , rrëzimin e qeverisë së tij dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

„Nuk jemi këtu për karrige dhe pushtet,  jemi kundër dhunës, kundër krimit, kundër qeverisë së paligjshme. Nuk do të ketë në Shqipëri zgjedhje false, të diktuara nga krimi" tha në fjalën e tij, Basha, në protestën e së hënës.