Tiranë:Reagime pas vendimit në procesin ish-ministrit Tahiri
20 Shtator 2019Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi në mbrëmjen e së enjtes ( 19.09.2019) që ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është fajtor për shpërdorim detyre dhe i pafajshëm për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup kriminal. Ajo e dënoi atë me 5 vjet burg, të kthyera në 3 vite shërbim prove për mosmarrjen e masave që do të shmangnin kanabizimin e Shqipërisë dhe përfshirjen e punonjësve të policisë.
Javën e kaluar, më 10 shtator, prokurorët e ҫështjes Tahiri dhanë pretencën dhe kërkuan 12 vjet burg për akuzat e korrupsionit, trafikut të drogës dhe pjesëmarrjes në një grup kriminal. Këto akuza u rrëzuan nga Gjykata për mungesë provash. Tahiri mori pafajësinë për to dhe nuk do të bëjë asnjë ditë burg në përputhje me Kodin Penal të Shqipërisë, Gykata e ktheu dënimin nga 5 vite në 3 vite shërbim prove ose punë vullnetare, meqënëse Tahiri pranoi gjykim të shkurtuar.
Gjykata e Krimeve të Rënda mori vendimin e saj, pas hetimesh dhe një procesi gjyqësor prej më shumë se dy vitesh, gjyqtarët dhanë vendimin pas konsultimesh të gjata, rreth orës 22.00, ndonesë e kishin paralajmëruar për 6 orë më parë.
Vendimi vjen disa javë para samitit të Këshillit Europian të vendeve anëtare të BE, për hapjen ose jot ë negociatave të pranimit me Shqiperinë ku rritja dhe qëndrueshmëria e rezultateve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë në krye të kushteve për një vendim pozitiv.
Tahiri: "Vendim qesharak, jam i pafajshëm"
Ish-ministri Brendshëm Tahiri e quajti "të papritur, qesharak dhe absurd" vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda të Shkallës së parë. Ai deklaroi para gazetarëve se do ta apelojë atë dhe do të japë hollësi të premten,( 20.09) se "ҫfarë ka ndodhur me procesin gjyqësor dhe akuzat ndaj tij gjatë dy viteve”.
" Për dy vjet u hetova si pjesë e një grupi kriminal që ka bërë trafik droge. Sot Gjykata thotë që nuk jam kriminel, nuk jam trafikant, nuk jam pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, por meqë kam përdorur të njëjtën makinë me kushërinjtrë e mi jam fajtor për shpërdorim detyre. "Jam pa fjalë. Është njëlloj si të hysh në një provim, të thotë mësuesja shumë mirë je përgatitur, por do marrësh 5", tha Tahiri pas shpalljes së vendimit.
Opozita: Vendim i turpshëm, drejtësia peng i kryeministrit Rama
Opozita nuk e quan as qesharak, as absurd por "të turpshëm” vendimn e Gjykatë për ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri. Kryetari i Partisë Demokratike, (PD) Lulzim Basha, në një status në median sociale shkruan se " është një vendim i turpshëm për të mos bërë drejtësi me krahun e djathtë të Edi Ramës, një vendim që tregon se drejtësia është marrë peng nga kryeministri Rama”.
Tahiri: Beteja ime sapo ka filluar
Ish-ministri i Brendshëm Tahiri, në mandatin e parë qeverisës të kryemnistrit Rama, 2013-2017, ka qënë një nga bashkëpunërorët e tij më të afërt.
Hetimet ndaj tij prej Prokurorisë së Krimeve të Rënda nisën në nëntor 2017 me akuzën e kryerjes së veprës penale „ të trafikimit të narkotikëve Cannabis Sativa në bashkëpunim me një grup të strukturuar kriminal, në sasira të mëdha nga Shqipëria në drejtim të Italisë."
Ato u bazuan në përgjimet telefonike të Prokurorisë së Katanias (Itali) për grupin kriminal të vëllezërve Habilaj, kushërinj të largët të ish-ministrit të Brendshëm Tahiri, ngaqë në bisedat mes dy trafikantëve përmendej emri i tij dhe kishte përdorur në një rast të njëjtën makinë me kushërinjtë e tij trafikantë.
Pas 7 muaj hetimesh, më maj 2018, Gjykata e Krimeve të Rënda mori masën me arrest shtëpie ndaj Tahirit në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrest me burg. Por Gjykata e Apelit lejoi hetimin e Tahirit në gjendje të lirë, hetim që përfundoi në shkurt të këtij viti.
Gjatë gjithë procesit gjyqësor Tahiri dhe avokati i tij Maks Haxhia kanë hedhur poshtë akuzat dhe kanë kërkuar pafajësi, mbështetur në mungesën e provave.
Ish-ministri i Brendshëm Tahiri është i pari zyrtar i lartë në Shqipëri, i hetuar dhe gjykuar për trafik droge dhe lidhje me krimin e organizuar që dënohet për shpërdorim detyre.
Ai konsiderohej një nga ministrat më të sukseshëm në mandatin e parë qeverisës të kryemnisatrit Rama, që ia doli mbanë t'i japë fund kultivimit dhe përpunimit të Cannabis Sativa në jug të vendit , në Lazarat, fshat i paprekshëm nga ligji dhe ku policia e shtetit nuk mundi të hynte për më shumë se 10 vjet. Por pas suksesit absolut me Lazaratin, vendi u kanabizua dhe trafiku i drogës u rrit.
Ish ministri i brendshëm Tahiri kërkoi nga trupi gjykues të enjten pafajësi. "Beteja ime sapo ka filluar për të zbardhur të vërtetën", deklaroi Tahiri pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Shqipëria është angazhuar që me një sistem të reformuar drejtësie, me gjykatës dhe prokurorëve që kanë kaluar vettingun të fillojë dhënien fund të pandëshkueshmërisë së ish-zyrtarëve të lartë apo aktualë, të akuzuar për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe abuzim me pushtetin.