1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Parlamenti voton pro shkarkimit të Presidentit Meta

9 Qershor 2021

Parlamenti i Shqipërisë votoi pro shkarkimit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, pasi sipas maxhorancës socialiste ai ka bërë deklarata publike që nxisin dhunën dhe shkelin Kushtetutën.

https://p.dw.com/p/3ufRi
Albanien I Amtsenthebungsverfahren gegen Präsident Ilir Meta
Fotografi: Hektor Pustina/AP/picture alliance

104 deputetë nga 140 që ka gjithsej Parlamenti, votuan pro shkarkimit të Presidentit Meta, pothuajse një vit para përfundimit të mandatit të tij, në korrik 2022. Vetëm 7 deputetë votuan kundër dhe 3 abstenuan. Sipas Kushtetutës për shkarkimin e Presidentit të Republikës duhet votë e cilësuar prej 94 deputetësh.

Nisma për shkarkimin e Presidentit Meta u ndërmor nga maxhoranca socialiste dhe u fokusua në qëndrimet e tij para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2021, të zhvilluara më 25 prill të këtij viti.

Albanien I Amtsenthebungsverfahren gegen Präsident Ilir Meta
Nisma për shkarkimin e Presidentit Meta u ndërmor nga maxhoranca socialisteFotografi: AP/picture alliance

Një komision hetimor i ngritur për shkarkimin e presidentit hetoi për tri javë rrjesht lidhur me deklaratat e tij publike gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare 2021. Në raportin e tij ky komision arriti në përfundimin se Presidenti Meta ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës duke nxitur dhunë dhe u mbështetur në partitë opozitare, me pretendimin se zgjedhjet do të manipuloheshin nga qeveria Rama. Shkeljet e rënda përfshijnë edhe cënimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Shqipërisë dhe abuzimin me kompetencat që Kushtetuta i jep Presidentit.

Albanien I Amtsenthebungsverfahren gegen Präsident Ilir Meta
104 deputetë votuan pro shkarkimit të Presidentit MetaFotografi: AP/picture alliance

PS iu referua deklaratave të tij, kur në Elbasan, u vra një qytetar, mbështetës i PS-së dhe u plagosën katër të tjerë, në një përplasje me armë mes mbështetësve të kësaj partie dhe PD-së, partisë opozitare, më 21 prill të këtij viti, katër ditë para zgjedhjeve parlamentare 2021.

Kryetari i Partisë Socialiste (PS) e cilësoi Presidentin Meta në fjalën e tij në Parlament si një president që "ka tradhtuar misionin e tij, ka poshtëruar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar.” "Ilir Meta ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve në demokracinë tonë parlamentare. Ilir Meta ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar në marrëdhënien krejt speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ilir Meta ka shkarravitur fytyrën e shtetit shqiptar në marrëdhënie me përfaqësitë e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri,” tha kryeministri Rama në fjalën e tij.

Presidenti Meta:  Nismë ilegjitime e Parlamentit

Presidenti Meta nuk ishte i pranishëm në seancën parlamentare të votimit për shkarkimin e tij.  Që në krye të herës ai e ka cilësuar "ilegjitime” nismën e maxhorancës socialiste dhe ka refuzuar të paraqitet në komisionin hetimor. Ai i ka hedhur poshtë akuzat dhe e quan votimin pro shkarkimit  të tij "të orkestruar nga PS-ja për hakmarrjeje politike”.

Albanien I Amtsenthebungsverfahren gegen Präsident Ilir Meta
Fotografi: Hektor Pustina/AP/picture alliance

Pas votimit pro shkarkimit zëdhënësi i presidentit e quajti atë në një reagim në mediat sociale si "vendim qesharak dhe antikushtetues”.

Edhe Parta Demokratike (PD), e vetmja parti opozitare me 59 vende në parlamentin e dalë nga Zgjedhjet Parlamentare 2021, që do të fillojë funksionimin e tij në shtator, në deklaratën e saj zyrtare e cilësoi "antikushtetues vendimin për shkarkimin e Presidentit të Republikës”. Ajo i kërkon  Gjykatës Kushtetutese të "ruajë paanësinë dhe të garantojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, duke refuzuar farsën për shkarkimin e Presidentit”.

Burime zyrtare thanë për DW se Gjykata Kushtetuese duhet të marrë në shqyrtim vendimin e Parlamentit brenda 30 diteve, duke filluar nga e enjtja (09.06). Gjyqtarët kushtetues mund ta shfuqizojnë vendimin e Parlamentit, nëse arrijnë në përfundimin se Presidenti Meta nuk e ka shkelur Kushtetutën.

Profili politik i Ilir Metës

Ilir Meta u përfshi në politikë me pjesëmarrjene tij në "Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990” që dha shkëndijën e parë të rebelimit masiv kundër regjimit komunist dhe rrëzimit të tij dy vjet më vonë.

Albanien Parlamentswahlen Juni 2009
Fotografi: DW/ Ballvora

Në vitin1992, në moshën 23 vjeꞔare ai u zgjodh deputet i PS, në atë kohë në opozitë dhe deri në 1997 kryesoi disa komisione parlamentare; themeloi dhe kryesoi  Forumin e Rinisë Eurosocialite (FRESH) në Shqipëri. Në korrik 2003 pas mosmarrëveshjeve me ish-kryetarin e PS dhe ish -kryeministrin, Fatos Nato, ai dha dorëheqjen nga kryesia e PS-së dhe në vitin 2004 themeloi partinë ”Lëvizja Socialiste për Integrim”, të cilën e kryesoi deri në vitin 2017, kur u zgjedh Presidenti i Republikës.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana