Tiranë - opozita në protestë
26 Maj 2018Anëtarë dhe mbështetës të PD-së dhe partive të tjera opozitare përfunduan të shtunën ( 25/05/2018) një një protestë anti-qeveritare ku kërkuan dorëheqjen e Kryeministrit Rama dhe Ministrit të Brendshëm, Xhafaj, të akuzuar prej saj për lidhje me trafikun e drogës.
Mijra protestuas të ardhur nga e gjithë Shqipërua marshuan në bulevardin kryesor të Tiranës "Dëshmorët e Kombit” dhe ndaluan para godinës së Kryemnistrisë ku bënë thirrjen " Rama ik, Xhafaj ik”. Thirrjet u shoqëruan edhe me hedhjen e gurëve, vezëve, sendeve të forta drejt godinës së Kryeministrisë, e cila ishte e rrethuar nga një kordon i ngjeshur punonjësish të Policisë së Shtetit.
Protestuesit mbanin parulla antiqeveritare dhe flamuj kombëtarë , sosh të SHBA-së dhe të BE-së. Për herë të parë në protestat antiqeveritare të opozitës protestuesit mbanin edhe flamurin tringjyrësh të Gjermanisë.
Basha: Qeveria lidhje të ngushta me krimin e organizuar
Në fjalën e tij para selisë së Kryemnistrisë lideri i opozitës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, akuzoi qeverinë Rama për lidhje me grupet e krimit të organizuar dhe trafikun e drogës.
"Kjo qeveri nuk mund të ҫlirohet vetë nga krimi dhe as do të luftojë drogën. Ka vetëm një rrugë: largimin e saj nga njerëzit, nga populli i bashkuar”, tha në fjalën e tij Lulzim Basha.
Idenë e popullit të bashkuar ai e argumentoi kur tha se "në protestë marrin pjesë disa qindra, mijëra mbështetës”. Policia e shtetit nuk ka dhënë shifra zyrtare sesa ishte numri i protestuesve, por vleresimet e mediave lokale flasin për disa mijra.
Konfrontime me policinë
Rreth 1500 forca të policisë dhe forca speciale u angazhuan për ruajtjen e rendit dhe zhvillimin paqësor të protestës. Pas përfundimit të fjalës së liderit të PD-së, përballë selisë së Kryeministrisë, protestuesit u kthyen drejt godinës së Ministrisë së Brendshme, ku u përpoqën të thyejnë kordonin e policisë dhe u konfrontuan me forcat e rendit.
Sipas burimeve të PD-së kryeredaktori i gazetës së kësaj partie, "Rilindja Demokratike”, Blendi Kasmi, u plagos nga policia që e qëlloi me shkopinj gome në kokë. Burime nga mediat e pavarura të Tiranës bënë me dije se ai u qëllua nga gurët që hodhën protestuesit drejt godinës së Ministrisë së Brendshme.
Pas këtij incidenti, lideri demokrat Basha u bëri thirrje protestuesve të tërhiqeshin dhe të largoheshin nga godina e Ministrisë së Brendshme. Protesta përfundoi pa incidente të tjera. Kryeministri Rama falenderoi përmes njëe mesazhi në Facebook të gjithë demokratët "që nuk e mbështesin qeverinë, por refuzuan të marrin pjesë" në protestë.
Basha tha se protesta e së shtunës është fillimi i aksionit opozitar për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Xhafaj dhe kryeministrit Rama.
Çështja Xhafaj, opozita dhe negociatat e pranimit të Shqipërisë në BE
Opozita akuzon ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, se sipas saj , mbështet trafikun e drogës të kryer nga vëllai i tij, Agron Xhafaj, i cili këtë muaj u dorëzua tek autoritetet italiane për të kryer një dënim të vitit 2002 nga drejtësia italiane për pjesëmarrjen e tij në një grup trafikantesh. Por ministri Xhafaj i mohon akuzat dhe deklaron se vetëm nëse akuza vërtetohet nga hetimet e prokurorisë, atëhere do të japë dorëheqjen. Xhafaj tha para disa ditësh se nuk e kishte fshehur dënimin e vëllait të tij nga drejtësia italiane, 16 vjet më parë, dhe as nuk e kishte mbrojtur ate përballë drejtësisë italiane.
Opozita ka publikuar një video ku pretendon se është regjistruar biseda e vëllait të ministrit të Brendshëm Xhafaj, me trafikantë të drogës. Por Kryemnistri Rama deklaroi se video është e sajuar dhe jo origjinale.
Klima politike është acaruar në Shqipëri. Protesta e opozitës dhe akuzat e saj për mbështetje qeveritare ndaj krimit të organizuar dhe trafikantëve të drogës bëhen në prag të marrjes së vendimit nga Këshilli Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në, që pritet të ndodhë nga fundi i muajit të ardhshëm.