Opozita bllokon konstituimin e komisioneve të vettingut
12 Prill 2017Seanca e jashtëzakonshme parlamentare, e zhvilluar mbrëmë (11/04/2017) miratoi vetëm 3 anëtarët e maxhorancës në komisionitn Ad Hoc, të verifikimit të kandidatëve për institucionet e vettingut. Komisioni ka edhe 3 anëtarë të tjerë që i përkasin opozitës, por opozita nuk ka paraqitur emrat e tyre pasi vazhdon bojkotin e parlamentit. Por pa u plotësuar me 6 anëtarë komisioni Ad Hoc nuk mund të konstituohet dhe të nisë aktivitetin e tij. Nga 67 kandidatët e miratuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimi për institucionet e vettingut do të përzgjidhen vetëm 27 të cilët do t’i verifikojë komisioni parlamentar Ad Hoc, që përbëhet nga 6 anëtare: 3 nga maxhoranca dhe 3 nga opozita, formulë kjo e kërkuar nga opozita dhe e pranuar nga maxhoranca dhe e sanksionuar në Kushtetutë.
Procesi është i bllokuar pasi ligji kërkon pjesëmarrje të barabartë maxhorancë-opozitë dhe opozita vazhdon të bojkotojë parlamentin dhe të jetë në protestë që prej fundshkurtit të këtij viti. Ajo akuzon qeverinë Rama se ”do të përdorë para nga kanabis/droga për të blerë votat” në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit dhe kërkon dorëheqjen e kryeministrit për t’i hapur rrugën krijimit të një qeverie teknike e cila, sipas PD, do të jetë garanci që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme.
BE dhe faktori ndërkombëtar i ka bërë thirrje të shumta, sistematike opozitës të rikthehet në Parlament dhe bëjë kërkesat e saj në rrugë institucionale. Fakti që përbërja e barabartë maxhorancë – opozitë në institucionet e vettingut u kërkua nga vetë PD ka nxitur qëndrime pro dhe kundër kthimit të saj në Parlament dhe çbllokimit të fillimit të reformës në drejtësi. Grupi rreth kryetarit të PD, Lulzim Basha është për vijimin e bojkotit deri në plotësimin e kërkesës së protestës për qeveri teknike. Deputetja demokrate Majlinda Bregu, kryetare e komisionit parlamentar për integrimin europian dhe pjesë e grupit kundër bojkotit, tha për DW se “PD nuk do të ketë asnjë përfitim nëse nuk pranon të ketë rolin që ka kërkuar vetë në institucionet e vettingut”. Kundërshti mes demokratëve opozitarë ka ngjallur edhe mosregjistrimi i PD në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit brenda afatit ligjor që skadoi në mesnatën e 10 prillit.
Eduard Kukan thirrje forcave politike të arrijnë marrëveshje për zgjedhjet
Në mënyrë këmbëngulëse dhe vazhdimisht politikanë drejtues të BE i kanë bërë thirrje opozitës të kthehet në Parlament dhe ta zhvillojë atje debatin politik me maxhorancën. Thirrja me e fundit vjen nga eurodeputeti Eduard Kukan i cili u bëri sot thirrje forcave politike në Shqiperi “të arrijnë një marrveshje politike për të zhvilluar zgjedhje të besueshme, të lira dhe të ndershme“. Ai i quajti zgjedhjet pa pjesëmarrjen e PD “shkatërruese për gjithë jetën politike në Shqipëri”. Duke iu referuar hapësirave ligjore, Kukan la një shteg hapur për PD dhe KQZ kur theksoi se „ligji lejon shtyrjen e regjistrimit të forcave politike në KQZ deri në 29 prill”. Në vijim të thirrjeve që BE i bën PD të kthehet në Parlament vjen edhe deklarata e raporterit për Shqipërinë, eurodeputetit gjerman Knut Fleckenstein se „ asnjë eurodeputet nuk mbështet krijimn e një qeverie teknike, pasi ajo nuk është e nevojshme në Shqipëri“.
33 subjekte politike të regjistruara në KQZ
Zëdhënësja e shtypit të KQZ, Drilona Hoxhaj, tha për DW se në “KQZ janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, 33 subjekte politike”. Nga lista e botuar ne website të KQZ rezulton se ato janë parti të majta, të djathta dhe të qëndrës. Mes tyre edhe 6 parti që bënin pjesë në koalicionin opozitar të drejtuar nga PD, që nuk do të dalin në zgjedhje me PD. Kryeministri Rama e cilësoi “vetëvrasje” mos regjistrimin e PD për të marrë pjesë në zgjedhje dhe njëherazi premisë që PD të rilindë në një formë të re. Në këtë situatë të paprecedentë të mundësisë që PD të mos marë pjesë në zgjedhje nuk mungojnë zërat për shtyrje të datës së zgjedhjeve, gjë që kundërshtohet nga të dyja palët me argumenta diametralisht të kundërta: PD kërkon qeveri teknike dhe dorëheqjen e kryeministrit Rama, PS respektimin e ligjit për datën e zgjedhjeve, konsumimin deri në fund të mandatit qeverisës 4-vjeçar në respekt të besimit të zgjedhësve që e sollën para 4 vitesh në pushtet. Por mbetet per t’u parë nëse PD, nën presionin e BE dhe faktorit ndërkombëtar do të moderojë qëndrimin e saj dhe do të regjistrohet në KQZ duke përfituar nga hapësirat ligjore, që bëjnë të mundur shtyrjen e afatit të regjistrimit deri në 29 prill.
Shpresa tek faktori nderkombetar – LSI mbetet në koalicionin qeverisës
Ne këtë situatë politike me qëndrime te kundërta, pa ekuivoke të dy palëve, shpresa për të dalë nga bllokim i procesittë vettingut prej bojkotit të opozitës mbetet tek faktori ndërkombëtar. Kjo pasi ka situata të ngjashme precedente kur politikanë të BE ia kanë dalë mbanë të ulin palët në tryezën e bisedimeve dhe të arrijnë kompromisin politik. Nëse kjo ndodh PD do të marrë pjesë në zgjedhje dhe Shqipëria do të shmangë kthimin pas në zhvillimin e saj demokratik dhe në procesin e integrimit europian. Seanca e mbrëmshme parlamentare dhe vota pro vettingut e LSI shtoi argumentat e mosdaljes të LSI nga koalicioni qeverisës me PS. Por qëndrimet e LSI për qeveri besimi, që të japë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme, paralajmërimi se mund të tërheqë ministrat dhe zv.ministrat e saj nga qeveria nëse kjo i shërben daljes nga kriza ende lënë përshtypjen se kjo forcë politike pragmatike edhe mund të dalë nga qeveria.
Ministrat e saj kanë bërë publike ambicien që në garën e 18 qershorit LSI synon rezultate që të sjellin një qeveri me kryeministër Ilir Metën. Aritmetika e numrave e bën të vështire realizimin e kësaj ambicjeje. Koalicioni PS-LSI i dalë nga zgjedhjet e 2013 dëshmoi që votat më të shumta të elektoratit të majtë i merr PS dhe jo LSI. Ndërsa në koalicionin PD-LSI të pas zgjedhjeve të vitit 2009 votat më të shumta i kishte PD, që e bënë Berishën kryeministër në 4 vitet në vazhdim. Si mund të lëvizë LSI për të patur liderin e saj kryeministër? Në qarqet e analistëve politikë të Tiranës nuk mungojnë zërat që nuk e përjashtojnë mundësinë e daljes në zgjedhjet e 18 qershorit të LSI me PD, nëse PD i premton Metës postin e kryeministrit, nëse merr shumicën e votave.
Analistët e shohin këtë hipotezë edhe si një mundësi për rilindjen e PD dhe ardhjen e protoganistëve të rinj në skenën politike të së djathtës. Nuk mungon as hipoteza për mundësinë e krijimit të një qeverie me bazë të gjerë PS-PD që më e pakta do të conte përpara procesin e vettingut. Por tani për tani hamendësimet fillojnë me fjalët: nëse apo sikur dhe të kujtojnë proverbin francez “me nëse dhe sikur mund të fusësh Tour Eiffel në një shishe”.