1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Mbërrijnë 1170 vaksinat e para nga Pfizer

2 Shkurt 2021

Vaksinat e Pfizer po mbahen në frigoriferë në - 80 gradë Celsius për t’u përdorur menjëherë të martën. Ndërkohë situata e Coronës rëndohet, Shqipëria shënon më shumë raste të reja infektimesh dhe viktimash në ditë.

https://p.dw.com/p/3ohgs
BG Fun facts | Etehem Bey Moschee
Fotografi: picture-alliance/robertharding/B. Morandi

Në Institutin e Shëndetit Publik, në Tiranë, mbërritën të hënën në mbrëmje, (01,02) nga Aeroporti Ndërkombëtar "Nënë Tereza”, 1 mijë e 170 vaksina e para anti Covid -19 të kompanisë Pfizer, (BioNTech-Pfizer) Autoritetet shëndetësore thanë për DW se vaksinat po mbahen në frigoriferë, në - 80 gradë Celsius për t'i përdorur menjëherë të martën, (02.02) për vaksinimin e 50 mjekëve dhe infemierëve, që kanë marrë dozën e parë të vaksinës, muajin e kaluar  tre javë më parë. Pjesa tjetër e vaksinave të sapo mbërritura do të përdoret për personelin mjeko-sanitar dhe për moshat më të rrezikuara nga infektimi me virusin vdekje prurës.

Shqipëria ka një kontratë individuale me kompaninë farmaceutike BioNTech-Pfizer për një sasi të parë prej 10 mijë e 750 dozash vaksine anti- Covid deri në fund të këtij muaji. "Zotimi nga Pfizer është që brenda në fund të muajit shkurt  të mbërrijnë në Shqipëri  të gjitha dozat, për të cilat kompania është angazhuar: 10 mijë e 750 apo 41 mijë ” tha kryeministri Rama në një konferencë për shtyp në aeroport të hënën, ku ai vetë priti mbërritjen e vaksinave.

Me vaksinat e sapombërritura do të vaksinohen edhe 50 mjekë të Spitalit Covid të Prishtinës, që janë ftuar të vijnë në Shqipëri për të bërë dy dozat e duhura për shkak të rregullave strikte dhe kufizimeve të forta që kompania Pfizer ka vendosur duke bërë të pamundur dhurimin e vaksinave Kosovës.

Vaksinim i gjithë popullsisë brenda Prillit 2022

Kryeministri Rama theksoi të hënën, se "Shqipëria është shumë afër përfundimit të kontratës me kompaninë AstraZeneca për të patur dozat e vaksinës anti-Covid për të kryer vaksinimin brenda 14 muajve të të gjithë atyre që duhet të vaksinohen apo atyre që dëshirojnë. Me Pfizer kemi diskutuar përsëri për muajt mars, prill, qershor të këtij viti. Kemi filluar vaksinimin me doza që kanë ardhur dhuratë nga një vend mik i BE-së, emrin e të cilit ende nuk mund t'ua komunikojë, ndërkohë që kemi kontratën e drejtpërdrejtë me Pfizer”, theksoi kryemnistri Rama.

Berlin | Interview Ministerpräsident Edi Rama Albanien
Fotografi: DW

Ai tha që Shqipëria nuk është mbështetur vetëm tek dy kompanitë  Pfizer dhe COVAX apo BE por po "ndërvepron intensivisht edhe me 4 shtete brenda dhe jashtë BE” për të garantuar vaksinimin anti-Covid. Nga COVAX nuk ka ende asnjë  gjë në horizont.” 

Rëndohet situata: më shumë të infektuar dhe viktima në ditë

Sasia e parë prej 1 mijë e 170 vaksina anti-Covid 19  nga kompania BioNTech-Pfizer mbërrin në Shqipëri në kohën kur grafiku i rasteve të reja të infektuara me virusin Corona dhe i viktimave në ditë po shënon rekorde të reja. Në 24 orët e fundit rastet e reja arritën në 865 të indektuar me një shtrirje në të gjithë vendin dhe 13 viktima, që kanë arritur në total në 1393, që nga prekja e  Shqipërisë nga pandemia në mars të vitit të kaluar.

Në Shqipëri situata po rëndohet nga rritja e shkallës së infektimit me 2,2 % më shumë në dy javët e fundit. Të shtunën e kaluar, (30.01) u arrit rekordi prej 901 rastesh të reja në ditë.  Sipas Komitetit Teknik të Ekspertëve, rritja e numrit të infektimeve ka ardhur nga mosrespektimi i masave si mbajtja e maskave dhe distancimi fizik, sidomos gjatë periudhës së festave të fund vitit të 2020-ës dhe në javët e para të këtij viti.  Autoritetet shëndetësore deklarojnë që situata është nën kontroll megjithë shtimin e rasteve të reja dhe të shtrimeve në spitalet anti-Covid të vendit.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana