1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Hetime për vrasjen e minoritarit grek

31 Tetor 2018

Prokuroria e Krimeve të Rënda nis të mërkurën hetime për humbjen e jetës së minoritarit grek Kostandin Kacifa gjatë shkëmbimit të zjarrit mes tij e policisë. Incidenti ka shtuar retorikën nacionaliste në Tiranë e Athinë.

https://p.dw.com/p/37Pxb
Symbolbild Deutschland Justiz
Fotografi: picture-alliance/dpa/U. Deck

Me kërkesë  të Prokurorisë së Krimeve të  Rënda, trupi i pajetë i minoritarit grek, 35 vjeҫarit Kostandin Kacifa, ka mbërritur të martën në mbrëmje ( 30.10.2018) nga Gjirokastra në morgun e Tiranës për ekzaminime të detajuara nga mjekësia  ligjore. Hetimet pritet të fillojnë sot, e mërkurë (31.10.2018). Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bënë me dije se nuk është lejuar pjesëmarrja e hetuesve grekë pasi kjo ndalohet me ligj. 

Një deklaratë e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme në Tiranë bëri me dije të martën, se hetimi do të bëhen nga ”Prokuroria Shqiptare, që është institucioni i vetëm që kryen hetim të pavarur për ҫdo vepër penale që ndodh në territorin e Shqipërisë”.  Ministria e Jashtmne Greke përmes një deklarate zyrtare thekson se  "presim nga autoritetet e Shqipërisë një sqarim të plotë të rrethanave, në të cilat një qytetar grek humbi jetën e tij dhe ndërmarrjen menjëherë të hapave të duhura”. 

Policia e shtetit në një njoftim për shtyp bëri me dije se Kostandin Kacifa humbi jetën gjatë një shkëmbimi zjarri me tij dhe policisë, të dielën e kaluar (28.10.2018) në fshatin Bularat, në Gjirokastër, të banuar nga minoriteti grek, kur gjatë festimit të Festës Kombëtare të Greqisë, ai shtiu me armë kundër policisë dhe nuk iu përgjigj thirrjeve të saj për t'u dorëzuar. Kostandin Kacifa jetonte në Athinë, kishte dy nënshtetësi, shqiptare dhe atë greke, dhe kishte ardhur në fshatin e tij, Bularat, për të marrë pjesë në Festën Kombëtare të Greqisë, që zhvillohet ҫdo vit edhe në fshatrat e minoritetit grek për të përkujtuar 28 Tetorin 1941, kur Greqia hyri në Luftën e Dytë Botërore, kundër pushtimit fashist të Musolinit, të kryer nga territori i Shqipërisë, e pushtuar në vitin 1939. 

Ende nuk dihen motivet Kacifa qëlloi fillimisht në ajër dhe pastaj kundër policisë. Mediat e Tiranës raportojnë që Kacifa ishte anëtar i grupit të djathtë ekstremist në Greqi, "Agimi i Artë”.

Tensione, incidente dhe retorikë nacionaliste në Athinë dhe Tiranë

Hetimet pritet  të zbardhin ngjarjen e rëndë. Ato zhvillohen nën hijen e incidenteve në Athinë kundër shqiptarëve, retorikës nacionaliste dhe episodeve të përdorimit të gjuhës së urrejtjes në të dyja vendet fqinjë që ndoqën këtë ngjarje. Mbi 200 vetë protestuan në mbrëmjen e të martës ( 30.10.2018 ) në Athinë dhe dogjën flamurin shqiptar. Në një tubim tjetër para parlamentit grek protestuesit kanë bërë thirrje për hakmarrje dhe kanë hedhur parulla anti-shqiptare të tilla si "Të gjithë shqiptarët  jashtë nga Greqia”. Një agjenci udhëtimi me bileta për Shqipëri, u sulmua në Athinë me bomba zjarri të prodhuara në mënyrë artizanale. Anëtarë të grupit ekstremist të djathtë të Greqisë " Agimi i Artë”, protestuan para Ambasadës  shqiptare në  Athinë, duke bllokuar një rrugë kryesore të kryeqytetit grek.

Në Tiranë, në shkallët e stadiumit "Selman Stërmasi ",  gjatë një ndeshjeje kombëtare futbolli, një ditë pas incidentit , u vendos  parulla raciste, antigreke, "Një grek më pak, një bastard më pak”  që u dënua ashpër nga Federata Shqiptare e Futbollit.  Presidenti i Republikës , Ilir Meta i quajti" të papranueshme dhe të dëmshme" veprime të tilla. Autoritetet e dy vendeve kane bërë thirrje për të mos politizuar rastin dhe shmangur retorikat nacionaliste.

Albanien Außenministerium in Tirana
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, TiranëFotografi: Mimoza Dhima

Pyetja kyҫ: Humbi jetën në shkëmbim zjarri apo u ekzekutua?

Për autoritetet shqiptare, Kostandin Kacifa humbi  jetën gjatë shkëmbimit  të zjarrit me Forcat RENEA (Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur). Sipas komunikatës zyrtare të Policisë së Shtetit , pasi shtiu në ajër me armë në qëndër të fshatit  Bularat, kur sapo kishin filluar festimet, ai  iu kundërvu patrullës së policisë që u drejtua atje nga vinin të shtënat. Komunikata  vë në dukje se Kacifa u fsheh në periferi të fshatit nga ku qëlloi për rreth 30 minuta pa pushim forcat RENEA-s derisa humbi  jetën në shkëmbim- zjarri. Ministria e Jashtme  e Greqisë reagoi ndaj vdekjes së tij duke e quajtur " të papranueshme që një operan policor të rezultojë me humbjen e një jete njerëzore”.

Politikanë të OMONIA-s, Partisë së Minoritetit grek  në Shqipëri e quajnë " jo profesional dhe të tepruar” reagimin e RENEA-s. Në shtypin e Athinës është ngritur pyetja : A humbi jetën Kacifa gjatë shkëmbimit të zjarrit apo u ekzekutua nga RENEA? Nga përgjigja që do t'ia japin kësaj pyetjeje hetimet varet ulja apo ngritja e tensionit nga incidenti në fjalë. 

Incident që tensionon marrdhëniet  e trazuara greko-shqiptare 

Edhe pse në Greqi jetojnë rreth 600 mijë emigrantë shqiptarë, edhe pse në Shqipëri  jeton minoriteti grek, marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të trazuara.  Dy palët deklarojnë që emigrantët shqiptarë dhe minoriteti grek janë ura miqësie, por në menyrë kronike faktorë prej pranisë së tyre në Greqi dhe Shqipëri, kanë lindur dhe lindin incidente që tensionojnë herë pas here marërdhëniet dypalëshe. Dy vendet fqinjë dëshërojnë të hapin një kapitull të ri mes tyre, por procesi po ecën shumë ngadalë dhe incidente të tilla e ngadalësojnë edhe më shumë.  Një nga marrëveshjet simbol të një kapitulli të ri, si ajo për Detin Jon mbetet e bllokuar.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana