Tiranë: Burg dhe sekuestrim pasurie për Adriatik Llallën
21 Maj 2021Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi të enjten, (20.05) ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla, me 2 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga funksionet publike. Kjo gjykatë e gjykoi atë fajtor për "fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë” dhe vendosi sekuestrimin e një pjese të pasurisë së tij që deri tani ishte nën sekuestro preventive. Sipas vendimit të gjykatës, ish-Prokurori i Përgjithshëm, Llalla ka fshehur pasurinë dhe ka dhënë informacione të rreme në deklaratat e përvitshme, që zyrtarët e lartë janë të detyruar të bëjnë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit, Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, lidhur me pasuritë e tyre.
Gjyqtarja Daniela Shirka, anëtare e trupit gjykues të Gjykatës së Posaꞔme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, tha se Llalla nuk justifikoi dot paratë për blerjen dhe pastaj shitjen e 5.4 hektarëve tokë, blerjen e një apartamenti dhe shpenzimet e familjes së tij në SHBA dhe në Gjermani.
Në listën e zezë të SHBA si "person i padëshiruar”
Adriatik Llalla u emërua Prokuror i Përgjithshën në nëntor 2012 dhe qëndroi në këtë post të lartë deri në fund të mandatit të tij 5 vjeçar, në dhjetor 217, kur dha dorëheqjen. Dy muaj më vonë, në Shkurt 2018, Departamenti Amerikan i Shtetit, (DASH) e futi atë dhe familjen e tij në "listën e zezë” duke i quajtur "persona të padëshiruar” për të hyrë në SHBA për shkak "të përfshirjes në raste të mëdha korrupsioni.”
Një muaj më vonë, në mars 2018, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar hapi ҫështje penale kundër tij për pastrim parash në përmasa të mëdha, përmes blerjes së tokave me ꞔmime të ulta dhe shitjes 20-30 herë më shtrenjtë. Po atë vit prokurorët sekuestruan apartamentin e Llallës në Tiranë dhe rreth 5.4 hektarë tokë që kishin në atë kohë, sipas të dhënave nga Prokuroria, një vlerë totale prej më shumë se 98 milionë lekë ose rreth 900,000 dollarë.
Pas tre vitesh proces gjyqësor, në prill të këtij viti procesi nisi nga fillimi, pasi ish-prokurori i Përgjithshëm, Llalla, hoqi dorë nga gjykimi i shkurtuar dhe kërkoi zhvillim normal të procesit, për të sjellë prova të reja lidhur me pafajësinë e tij. Por të enjten, Gjykata e shpalli atë fajtor, e dënoi me burgim dhe sekuestrim të disa pasurive, për të cilat ai nuk përligji burimin e parave.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla është rasti i parë i një zyrtari të lartë që dënohet nga institucionet gjyqësore të sapoformuara të njohura si Struktura të Posaçme kundër Korrupsionit, (SPAK). Reforma në drejtësi u miratua në korrik të vitit 2016 dhe nisi zbatimin ne fillim të vitit 2017. Procesi i vettingut, si pjesë e rëndësishme e kësaj reforme nxorri jashtë sistemit qindra gjykatës dhe prokurorë që nuk përligjën pasuritë me burimet e të ardhurave të tyre. Të mërkurën (19.05) Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken përfshiu në "listën e zezë” dhe shpalli "person të padëshiruar” për SHBA edhe ish-Kryeministrin dhe ish-Presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha për "përfshitrje në korrupsion të rëndësishëm" dhe ndaloi hyrjen e tij dhe familjes së tij në SHBA.