1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranё: Protestë kombëtare e opozitёs kundёr qeverisё

Ani Ruci'
26 Maj 2019

Në Tiranë protesta e 6-të kombëtare kundër qeverisë të shtunën ( 25.05) u mbyll paqësisht, pa dhunë e sulme ndaj institucioneve si dy javë më parë. Thirrjet e ndërkombëtarëve kësaj here nuk ranë në vesh të shurdhër.

https://p.dw.com/p/3J58M
Proteste in Tirana Albanien
Fotografi: DW/A. Ruci

Për rreth dy orë e gjysmë, opozita e bashkuar protestoi përpara kryeministrisë. Në ndryshim nga protestat e kaluara, kёsaj here protesta kaloi pa incidente dhe ishte nё tёrёsi paqёsore. Nё prag tё protestёs ka pasur apele nga BE dhe SHBA pёr pёrmbajtje dhe distancim nga dhuna si dhe qё palёt tё bisedojnё pёr tё gjetur zgjidhje dhe tё mos e zhysin vendin nё krizё politike.

Edhe pse u përdorën shashkat në drejtim të kryemnistrisë dhe tymuesit, ato nuk ishin akte të veҫuara, jo mbizotëruese. Në vend të tyre, mbështetësit e opozitës zgjodhën të lëshonin drejt qiellit balona të bardha, në formë abazhuri, me parullën “Rama IK“ , pasi i vinin zjarrin në sajë të një mekanizmi që i bënte të ngiteshin lart, mes tymit.

Ndryshe nga protestat e tjera kombëtare anti-qeveritare ku mbizotëronte flamuri kombëtar kuq e zi, në protestën e të shtunës mbizotëronin flamuri blu i BE dhe ai i SHBA, por nuk mungonte as flamuri i Gjermanisë, që opozita e konsideron aleaten e saj të rëndësishme.     

Kërkesat e opozitës dhe të mbështetësvetë saj janë të pandryshuara: largim i kryeministrit Rama, formim i një qeverie kalimtare që të organizoje zgjedhje të lira dhe të ndershme, moslejim i zhvillimit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, në të cilat opozita ka deklaruar se nuk merr pjesë pasi sipas saj ato „ do të jenë një farsë“.

Element i ri në protestën e të shtunës është edhe mbajtja nga protestuesit e një tepsie prej alumini ku brenda saj ishin ngjitur parulla antiqeveritare dhe foto që stigmatizonin kryemnistrin Rama në lidhje me akuzat e opozitës për blerje votash, korrupsion dhe lidhje me krimin, të hedhura poshtë nga kryemnistri dhe qeveria e tij.

Proteste in Tirana Albanien
Fotografi: DW/A. Ruci

Basha: Tani shansi për zgjidfhjen e krizës politike

Sipas një rituali të konsoliduar në protestat kombëtare anti-qeveritare të opozitës në Bulevardin „Dëshmorët e Kombit„ që nga fillimi i tyre në mesin e shkurtit të kaluar, lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mbajti fjalimin e radhës para protestuesve.

Basha tha në fjalën e tij se „zgjidhja politike e krizës kalon vetëm përmes largimit të Rames” të cilën e quajti “shkaktar dhe pengmarrës të demokracisë“

 “Tani është shansi për zgjidhjen politike të krizës. Mjerë kush e lexon si shenjë dobësie, pasi ne jemi më të fortë se kurrë. Liri a vdekje! Demokraci a vdekje! Çdo ëndërr për të imponuar me krimin zgjedhje moniste dhe çdo përpjekje për të mos u larguar por për të vijuar të qeverisë me krimin, do të marrë përgjigjen e merituar nga ky shesh”, tha Basha në fjalën e tij, që e mbylli me thirrjen drejtuar ptrotestuesve për të vijuar protestën në sheshin para Parlamentit.

Thirrjet e faktorit ndërkombëtar merren në konsideratë

Në prag të protestës  BE, OSBE dhe SHBA u bënë thirrje organizatorëve për të qëndruar larg akteve të dhunës.Delegacioni i Bashkimit Europian dhe ambasadat e vendeve anëtare vunë në duke se “dënojnë aktet e dhunës në  protestat e mëparshme dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të protestës si dhe autoriteteve shqiptare që të sigurojnë që demonstrata e sotme të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore. 

Ambasada e SHBA theksoi në deklaratën e saj se “nxitja e përplasjeve fizike apo hedhja e mjeteve plasëse, bombave Molotov dhe gurëve, është jo demokratike dhe e paligjshme. Ata që përfshihen në akte dhune kryejnë një krim dhe duhen vënë përpara përgjegjësisë”.

OSBE theksoi qëndrimin e saj të vendosur kundër dhunës ekstreme në protestën e 11 majit, ku protestuesit kërcënuan edhe Ambasadorin e OSBE-së në Tirana, Bernd Bochardt për qëndrimin pa ekuivoj kunër dhunës.

“Dhuna është e papranueshme dhe  trazirat nuk mund të zëvendësojnë angazhimin politik demokratik. Deklarata mbetet po aq e vlefshme sa edhe dy javë më parë - nënvizohet në qëndrimin e OSBE ndaj protestëssë të shtunës.

„Koktejet e Molotovit, hedhja e gurëve dhe e shashkave janë të paligjshme. Përmendja e derdhjes së gjakut, pak ditë përpara protestës është e papërputhshme me demokracinë moderne dhe me protestat demokratike” - thekson OSBE në deklaratën e saj.