1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Samiti i nismës për Mini-Schengenin Ballkanik

21 Dhjetor 2019

Ky ishte takimi i tretë i krerëve nga Ballkani brenda tre muajve të fundit. Synimi: Progres në nismën e krijimit të një zone Schengen në Ballkanin Perëndimor.

https://p.dw.com/p/3VBqM
Tirana Westbalkanstaaten Regionaltreffen
Fotografi: Reuters/F. Goga

Samiti i Tiranës shënon takimin e tretë brenda tre muajve të fundit të këtij viti për të bërë progres në nismën e krijimit të një zone Schengen në Ballkanin Perëndimor që synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe garantimin e katër lirive: lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Dy samitet që kanë paraprirë samitin e sotëm në Tiranë janë zhvilluar në Novi Sad, Serbi në tetor të këtij viti dhe në Ohër, Maqedonia e Veriut, një muaj më parë, në nëntor.

Tirana Westbalkanstaaten Regionaltreffen
Fotografi: Reuters/F. Goga

Në samitin e Tiranës morën pjesë Presidenti i Serbisë, Aleksander Vučić, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviҫ. Kryeministri Rama bëri të ditur në konferencë, se do të jepen nga BE, 1,2 miliardë euro për zbatimin e marrëveshjeve të Shengenit të arritura mes tre vendeve, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Serbi. Lëvizja e lirë mes tre vendeve, theksoi Rama në konferencë do të ndikojë pozitivisht në rritjen e turizmit.

Në samitin e Tiranës ishte ftuar nga Kryeministri Rama dhe Presidenti i Kosovës , Hashim Thaҫi por ai refuzoi pjesëmarrjen. Në një postim në Facebook, ditët e fundit, Thaҫi argumenton mospjesëmarrjen dhe bën me dije që Kosova refuzon të jetë në një samit ku merr pjesë Serbia, ”që ka kryer genocid ndaj qytetarëve të Kosovës dhe nuk e njeh shtetin e Kosovës, ”duke theksuar gjithashtu që ”Kosova nuk merr pjesë në një samit që e konsideron si pjesë të nismave eksperimentale rajonale”.

Presidenti Vučić pritet në Tiranë me protesta nga Vetëvendosja

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, në Tiranë protestuan të premten para selisë së kryeministrisë kur atje kryeministri Rama po zhvillonte një takim informal me presidentin e Serbisë, Vučić .

Albanien Tirana Protest gegen serbischen Premier
Fotografi: Getty Images/AFP/G. Shkullaku

Protestuesit në parullat e tyre kishin shkruar që ”një njeri që nuk njeh krimet e luftës në Kosovë nuk duhet të vijë në Shqipëri për lëvizjen e lire të qytetarëve në rajon” Vuçiç komentoi protestën e aktivistëve të  Vetëvendosjes në Tiranë, si " një tubim normal në një vend demokratik”.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana