Tiranë: Ligj i reformës në drejtësi pa votat e opozitës
31 Gusht 2016Ligji i sapomiratuar i Vetting-ut pa praninë e opozitës, vë sipas saj “nën kontrollin tërësor politik të qeverisë procesin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ngaqë , sipas saj, ky ligj u jep rol të rëndësishëm në procesin e vlerësimit disa institucioneve si Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe i Kontrollit të Pasurive, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Drejtoria e Parandalimit dhe e Pastrimit të Parave apo Ministria e Brendshme. Por duket se vetting-u nuk mund të zbatohet në praktikë pa këto institucione. Kjo është e qartë nga fjalët e kryeministrit Rama, që e quan ligjin e vettingut “ligj të pastrimit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e inkriminuar”. Burime zyrtare nga Parlamenti thanë sot për DW se ligji i vetting-ut hyn në fuqi menjëherë, dy javë pas botimit të tij në Fletoren Zyrtare.
Çfarë do të sjellë Vettingu?
Vetting-u synon që në Shqipëri të mos ketë më të paprekshëm, që dora e drejtësisë të kapë dhe të dënojë jo “ peshq të vegjël” por “ peshkaqenë” , pushtetarë dhe zyrtarë të lartë të korruptuar, gjë që nuk ka ndodhur deri tani. Në 71 nenet e tij përcaktojneë qartë se si do të realizohet procesi i vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ata do të kontrollohen për pasuritë e tyre, lidhjet e mundshme me krimin e organizuar dhe aftësitë profesionale. Gjithë procesi vendimmarrës në vlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve do të mbikqyret nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Sipas ligjit, gjetjet e vëzhguesve ndërkombetare gjatë procesit të vlerësimit janë një provë thelbësore. Nëse këto gjetje refuzohen nga strukturat përkatëse që do të bëjnë vetting-un, atëhere ato detyrohen të japin me shkrim arësyet e vendimit të tyre për një gjyqtar apo prokuror që përjashtohet nga sistemi i drejtësisë si i inkriminuar apo i korruptuar apo qe mbetet ne sistem. Reformës në drejtesi do t'i duhem vite qe të japë rezultatet e saj.
Drejtësia vonon, por nuk harron?
Zbatimi i ligjit të vetting-ut shënon edhe fillimin e reformës në drejtësi si një domosdoshmëri për demokracinë dhe zhvillimin në Shqipëri dhe ndarjen nga drejtësia e munguar. Ecuria e zbatimit të reformës në muajt e saj te pare është kushti kryesor që BE i ka vënë Tiranës për të hapur me Brukselin bisedimet e anëtarësimit brenda këtij viti. BE dhe SHBA kanë mbështetur gjithë procesin 18 mujor të reformës në drejtësi sidomos hapërcimin e ngërceve politike mes palëve. Kjo mbështetje i ka dhënë konsensus ndërkombëtar reformës në drejtësi. Kryeministri Rama tha mbrëmë se “nuk mund të kemi një konsensus alla shqiptarçe, që bie ndesh me konsensusin e ndërkombëtarëve për t'u integruar ne BE. Integrimi në BE nuk është një menu ku merr atë që të pëlqen, lë atë që nuk të pëlqen, por merret e gjitha. Ne do t'u nënshtrohemi të gjitha rregullave. Drejtësia vonon, por nuk harron”. Ajo që njerëzit në Shqipëri presin te shohin me padurim është që ligji të zbatohet me rreptësi dhe “ fshesa e tij e hekurt “ të mos kursejë askënd.
Parlamenti miratoi më 30/08/2016 në një seancë të jashtëzakonshme me 88 votat e maxhorancës parlamentare ose 4 vota më shumë se 3/5 e korumit të domosdoshëm sipas ligjit, projektligjin për kontrollin e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve, të njohur si projektligji i “vetting-ut”. Ndryshe nga gjashtë javë më parë, më 22 korrik, kur opozita dha votën e saj pro ndryshimeve kushtetuese për kryerjen e reformës në drejtësi, pas një presioni të jashtëzakonshëm dhe të paprecedent nga BE-ja dhe SHBA-ja, ajo e bojkotoi mbrëmë seancën e jashtëzakonshme dhe e quajti antikushtetues miratimin pa konsensus të ligjit në fjalë. Do të jetë Gjykata Kushtetuese që do të shqyrtojë padinë e opozitës ndaj këtij ligji, veprim që opozita e deklaroi të martën në mbrëmje (30.08).