1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Marshim proteste i opozitës kundër trafikut të drogës

Arben Muka23 Maj 2014

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim në Komisionin Europian, Christian Danielsson shprehet në Tiranë se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë kërkesa thelbësore në integrimin e vendit në BE.

https://p.dw.com/p/1C5GX
Protest der Opposition in Tirana 23.05.2014
Fotografi: DW/A. Muka

Mbështetës të opozitës së djathtë zhvilluan mesditën e së premtes (23.05.2014) një marshim proteste në bulevardin kryesor të Tiranës, nën moton “Një popull në këmbë kundër drogës, Rama në shtëpi”. Liderë kryesorë të Partisë Demokratike dhe nga forcat aleate në finalizim të marshimit organizuan dhe një miting vetëm pak metra larg zyrës së kryeministrit socialist Edi Rama. Pjesmarrësit thërrisnin për largmin e kreut të qeverisë, sipas tyre, për nivelin e lartë të trafikut të drogës në vend dhe mbështjes që ka ky trafik nga qeveria.

Shefi i opozitës Lulzim Basha tha, se protesta ishte për një qëllim kombëtar, sipas tij, “për të mposhtur dhe shporrur oligarkinë mafioze të drogës”. Ai bëri fajtor kryesor për situatën kryeministrin, që për opozitën duhet të largohet, pasi “vendi ka nevojë për zot shtëpie në krye të qeverisë dhe jo adjutant dhe pengje të narkotrafikut.”

Përkundrejt pretendimeve të mazhorancës së majtë që e vlerëson aksionin aktual të opozitës si përpjekje të saj për të penguar statusin e vendit kandidat të Shqipërisë për në BE, Lulzim Basha tha se marshimi ishte një mesazh i madh për BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë. “Shqipëria nuk është narkotrafiku, por është populli i saj i lirë, nuk është as grushti i një oligarku droge por demokracia e saj.”

Në të njëjtën kohë kur protestuesit ishin në bulevard, kryeministri Edi Rama, përmes një mesazhi në rrjetet sociale ironizoi shefin e opozitës Lulzim Basha dhe ish-kryeministrin Sali Berisha duke shkruar: “Rrota e avionit të ish-qeverisë ngeci në bulevard, piloti nuk foli, shoferi bërtiti pasagjerët morën furgonët për të ikur nga vendngjarja”, Më herët kryeministri ka deklaruar se qeveria është e angazhuar në luftën kundër trafikut të drogës dhe sasia e kapur nga autoritetet policore e lëndëve narkotike është shumë herë më e madhe krahasuar me kohën kur qeverisnin të djathtët.

Të premten (23.05.2014) në Tiranë ishte dhe Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim në Komisionin Europian, Christian Danielsson. Zyrtari i lartë i Brukselit në kontaktet me përfaqësuesit e qeverisë dhe të opozitës ka nënvizuar si të rëndësishme për procesin e integrimit edhe intesifikimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Këto çështje sipas tij janë pjesë e vlerësimeve që bëhen për ecurinë e Shqipërisë.

“Sa i takon statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, besojmë që lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë kërkesa thelbësore për progresin e vendit në integrimin në BE, dhe janë pikërisht krimi i organizuar dhe korrupsioni ata elementë, të cilët minojnë aftësinë e individëve dhe komuniteteve, bizneseve për të gëzuar ato të drejta që janë të thëna fare mirë si shtyllat kryesore të demokracisë.”

Sipas Danielsson ky do jetë edhe fokusi që do të dalë në raportin e Komisionit të BE-së javën që vjen, ndërkohë që ndihma e Brukselit për këta sektorë do të vijojë “në mënyrë që të ndihmohet Shqipëria që t'i sjellë kapacitetet e saj sa më afër BE-së.”