1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thyssenkrupp rishikon planet e transformimit ekologjik

8 Tetor 2024

Sipas medias, planet e Thyssenkrupp-it për një fabrikë të prodhimit të çelikut të gjelbër janë në diskutim. Grupi industrial megjithatë, dëshiron t'i përmbahet planit bazë të shndërrimit ekologjik.

https://p.dw.com/p/4lVlp
Deutschland Duisburg | ThyssenKrupp Werk in Duisburg-Marxloh,
Fotografi: Rupert Oberhäuser/picture alliance

Sipas raporteve të medias, grupi industrial i goditur nga kriza,  Thyssen-Krupp në Gjermani po shqyrton nga afër projektet e tij të prodhimit miqësor ndaj klimës,  të mbështetura nga shteti në shumën prej disa miliardash eurosh. Plani i biznesit që po rishikohet aktualisht do të ofrojë gjithashtu informacion mbi vazhdimin e "transformimit të gjelbër" të sektorit të çelikut, shpjegoi departamenti i çelikut për agjencinë e lajmeve Reuters.

"Ne po shqyrtojmë vazhdimisht, në një mënyrë të hapur ndaj teknologjisë dhe rezultateve, se cilat zgjidhje janë më të mirat dhe më të qëndrueshme ekonomikisht në kushtet e dhëna, në mënyrë që ta bëjmë sektorin e çelikut thyssenkrupp neutral në plan afatgjatë.”

Fabrika Hüttenwerke Krupp-Mannesmann, skulpturë në formë karuseli në Duisburg
Fabrika Hüttenwerke Krupp-Mannesmann, DuisburgFotografi: Jochen Tack/picture alliance

Megjithatë, kompania aktualisht mendon se impianti i planifikuar i reduktimit të drejtpërdrejtë mund të zbatohet sipas kushteve të përgjithshme të dhëna.

"Dekarbonizimi i prodhimit të çelikut me intensitet CO2 është i pashmangshëm në afat të gjatë," shtoi thyssenkrupp. Megjithatë, kompania konfirmoi gjithashtu "rritje të papritura të kostove" përpara projektit. "Situata aktualisht po vlerësohet në bazë të këtij informacioni.”

Rritje e kostos me disa qindra milionë euro?

Thyssenkrupp Steel Europe reagoi ndaj një raporti të gazetës Handelsblatt. Sipas këtij të fundit, bordi menaxhues, nën drejtimin e kryetarit të bordit Miguel Lopez, nisi rishikimin e planeve për instalimin e reduktimit të drejtpërdrejtë të CO2, që kushton rreth tre miliardë euro dhe është i nevojshëm për prodhimin e çelikut me hidrogjen. Një nga katër skenarët përfshin ndalimin e ndërtimit, raportoi gazeta, duke iu referuar burimeve të paidentifikuara brenda kompanisë.

Kjo ka të ngjarë të detyrojë departamentin e çelikut të thyssenkrupp-it të kthejë subvencionet shtetërore prej rreth gjysmë miliardë eurosh që ka marrë. Deri tani, ThyssenKrupp planifikonte ta vinte në punë uzinën në vitin 2027. Federata dhe landi i Rinit-Westfalisë së Veriut kanë premtuar së bashku subvencione prej dy miliardë eurosh.  Megjithatë, ka të ngjarë të lindin kosto shtesë prej disa qindra milionësh. Bordi i drejtorëve informoi bordin mbikëqyrës për një rritje të mundshme të kostove, raportoi dje Handelsblatt.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck (majtas) krerë të Thysenkrupp dhe ministrja e Ekonomisë së landit Vestfali-Rini Verior, Mona Neubaur prezantojnë certifikatën e subvencionimit për shndërrimin ekologjik
Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck (majtas) krerë të Thysenkrupp dhe ministrja e Ekonomisë së landit Vestfali-Rini Verior, Mona Neubaur prezantojnë certifikatën e subvencionimitFotografi: Ina Fassbedner/AFP/Getty Images

Fundi i këtij projekti do të ishte një goditje e rëndë për mbështetjen e hidrogjenit në Gjermani, inkurajuar nga Ministri Federal i Ekonomisë Robert Habeck (Të Gjelbërit). Rritja e mundshme e kostove "aktualisht nuk do të kishin asnjë efekt mbi subvencionet e premtuara nga federata dhe landi", deklaroi thyssenkrupp për këtë temë.

Konflikti përshkallëzohet brenda grupit

Ndërkohë, qeveria ka nisur diskutimet me kompaninë mëmë, të listuar në MDAX, për shkak të shqetësimeve të saj për aftësinë shlyerëse të degës. Thysen-Krupp do të studionte, sipas gazetës Handelsblatt, tre opsione të tjera, duke përfshirë ndërprerjen e plotë të planeve në lidhje me hidrogjenin. Skenarët e tjerë përfshijnë rritjen e përdorimit të energjisë elektrike për prodhimin e çelikut, për ta bërë atë më miqësor ndaj klimës.

Thyssenkrupp Steel është prodhuesi më i madh i çelikut në Gjermani. Sipas të dhënave, atje janë të punësuar 27.000 vetë, duke përfshirë 13.000 vetë në Duisburg. Ky sektor ka vuajtur prej kohësh nga kushtet e dobëta ekonomike dhe importet e çelikut me çmime të ulëta. Prandaj aktualisht po kërkon një zgjidhje për këtë sektor. Kreu i grupit Lopez dëshiron ta integrojë këtë aktivitet në një sipërmarrje të përbashkët me holdingun energjetik të miliarderit çek Daniel Kretinsky. Kretinsky tashmë ka siguruar 20 për qind dhe është duke negociuar një paketë prej 30 për qind të tjera.

Nga fundi i gushtit, konflikti për të ardhmen u përshkallëzua. Tre anëtarë të bordit drejtues të Stahl dhe katër anëtarë të bordit mbikëqyrës dhanë dorëheqjen - duke përfshirë mbikëqyrësin kryesor Sigmar Gabriel dhe drejtorin e çelikut, Bernhard Osburg.

 

ag/tgsch