Thjesht shtrëngim rripi apo krizë e thellë? Kosova pa ndihma nga FMN
11 Qershor 2011Ekspertët e çështjeve ekonomike parashohin krizë të thellë buxhetore për Kosovën, e cila do të ndjehet në fundin e këtij viti e sidomos gjatë vitit 2012. Arsye është përjashtimi i Kosovës për vitin 2011 nga përfitimi i fondeve nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. 156 milionë euro kishte planifikuar Kosova në buxhetin e saj - ndihmë nga FMN-ja, por për shkak se qeveria e Kosovës nuk iu përmbajt rekomandimeve të këtij mekanizmi për mosrritje të shpenzimeve, vendi u përjashtua nga ndihmat.
Qeveria kosovare shpreson për një marrëveshje të re në fillim të 2012-s
Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza, thotë se megjithëse për këtë vit ka mungesë fondesh në buxhetin e Kosovës nga FMN, qeveria do të arrijë të ruajë stabilitetin fiskal. Kjo do të bëhet me një rishikim rigoroz të buxhetit duke ulur vazhdimisht shpenzimet. Strategji, që sipas tij, përfshihet në një marrëveshje të re me FMN. “Kosova aktualisht ka një trend pozitiv të të hyrave, ka inkasuar më shumë të hyra sesa ka shpenzuar dhe ajo që mund të ndodhë, është që bilanci bankar nga 476 milion të parapara me buxhet, me marrëveshjen e re me FMN, jemi dakorduar që ky bilanc bankar të jetë rreth 300 milionë euro”, thotë Bedri Hamza. Sipas ministrit Bedri Hamza, nëse kjo marrëveshje e re me FMN- arrihet të respektohet në tërësi, hapet mundësia që Kosova sërish në fillim të vitit 2012 të ketë qasje në fondet e FMN-së.
Kritikat e ekspertëve: Qeveria ndoqi strategji të gabuar
Ekspertët e ekonomisë mendojnë ndryshe. Lekë Musa, nga Oda Ekonomike Amerikane kritikon strategjinë e qeverisë. Nuk është dashur që qeveria të marrë vendime të njëanshme, që bien ndesh me FMN-në, sepse pasojat janë të mëdha. Musa: “Me këtë është dëmtuar perspektiva ekonomike e Kosovës. Në kohën kur globalisht çështjet e disiplinës fiskale vështrohen në mënyrë të thuktë nga institucionet të ndryshme. Qeveria e Kosovës në këtë moment kur dëshiron të ndërtojë një shtet stabil, ka dërguar një sinjal jo të mirë se ka synim për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme në aspektin fiskal dhe monetar.”
Vështirësitë fiskale, sipas zotit Musa, do të vërehen gjatë viteve të ardhshme, sepse qeveria e Kosovës ka filluar këtë vit buxhetor me një suficit të parasë së gatshme të grumbulluara viteve të kaluara dhe këto para nuk do të jenë më. “Kriza mund të ndjehet viteve të ardhshme, në vitin 2012 apo vitin 2013 dhe kjo mund të ndodhë për shkak të paaftësisë së qeverisë së Kosovës për të mbuluar shpenzimet operative, të cilat vijnë për shkak të rrijes së pagave në shërbimet civile”, thotë Lekë Musa.
Gjini: Kosova duhet të sillet me përgjegjësi ndaj institucioneve ndërkombëtare
Jo pak kritika në adresë të qeverisë për shkak të prishjes së marrëveshjes për këtë vit me FMN, vijnë edhe nga partitë politike opozitare. Adrian Gjini, nga partia AAK: “Kosova është e hendikepuar për shkak të asaj çfarë ka ndodhur me FMN, mirëpo, duhet të provojmë që të nxjerrim mësim dhe Kosova duhet të provojë të sillet në mënyrë të përgjegjshme ndaj institucioneve ndërkombëtare dhe ndaj vetvetes”.
Mosmarrëveshjet e Kosovës me FMN-në që rezultuan me humbjen e ndihmave për Kosovën kanë pasur të bëjnë me shpenzimet për vitin 2011, në veçanti rritjen e pagave për shërbyesit civilë. Vitin e kaluar, qeveria e Kosovës ishte dakorduar me FMN, që pagat në sektorin publik të rriten me 7-8 për qind, por këto pagesa janë ngritur mbi 30 për qind. Edhe Komisioni Evropian ka theksuar rëndësinë e disiplinës fiskale për Kosovën, si parakusht për një mjedis stabil makroekonomik dhe të investime. Fondi Monetar Ndërkombëtar pas ndërprerjes së marrëveshjes me Kosovën të quajtur “Stand-By Arrangement”, ka paraparë që të bëhet një program i monitorimit të buxhetit të Kosovës nga ana e personelit të FMN-së, deri në fund të vitit 2011.
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Lindita Arapi