1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"The Grand Budapest Hotel" çel Berlinalen e 64-t

Klaus Jansen / Auron Dodi7 Shkurt 2014

Regjisori Wes Anderson është magjistar i kinemasë. Filmi i tij, "The Grand Budapest Hotel" ishte një hapje e suksesshme për Berlinalen e 64-t. Ky ishte edhe mendimi i publikut.

https://p.dw.com/p/1B4mI
Skenë nga filmi "The Grand Budapest Hotel"
Fotografi: Twentieth Century Fox
Skenë nga filmi "The Grand Budapest Hotel"
Fotografi: Twentieth Century Fox

Kinemaja në formën e saj të mirëfilltë, me këtë kemi të bëjmë në rastin e "The Grand Budapest Hotel". Spektatorët nuk reshtën së habituri. Tabllo filmike fantastike barok dhe një personel filmik grotesk, të shoqëruara nga një veprim absurd filmik, të cilin mezi arrin ta ndjekësh. Të gjitha këto i sheh së bashku në filmin e Andersonit "The Grand Budapest Hotel". Ky film hapi të enjten në mbrëmje garën për Ariun e Artë dhe të Argjendtë në pallatin e Berlinales.

Histori nga Evropa

Kemi të bëjmë me një film për Evropën e vjetër, për historinë e saj, për luftërat dhe mizoritë e saj, por edhe për traditat dhe idealet humaniste. Filmin, një prodhim i përbashkët britaniko-gjerman, e ka xhiruar një regjisor i SHBA i lindur në Texas. Në këtë kuptim, vepra e Andersonit është hapje perfekte për festivalin e madh ndërkombëtar si Berlinalja, meqenëse ai lidh artin me aspektin komercial dhe bashkon kulturat e ndryshme.

Amerikani është frymëzuar për punën e tij nga leximi i librave të shkrimtarit austriak, Stefan Zweig: "Mua më ka interesuar forma e tij tradicionale e të treguarit, ajo 'historia brenda historisë'", tha Andersoni në Berlin dhe tërhoqi vëmendjen për romanin e Zweig-ut "Padurimi i zemrës". Kështu e ka ndërtuar edhe ai filmin. Stefan Zweig-u ka informuar me dashuri të madhe për detajin për Vjenën intelektuale dhe artistike. Në librin e tij "Bota e së djeshmes" ai e ka vizatuar këtë botë magjepsëse. Këtë nostalgji ai e kupton mirë, tha Andersoni. Ndjenjën që të jesh i privilegjuar, sepse ke jetuar në këtë kohë.

Wes Anderson
Regjisori Wes AndersonFotografi: picture alliance/AP Photo

Të qeshura si ngritje sipari

Skenë nga filmi "The Grand Budapest Hotel"
Fotografi: Twentieth Century Fox

"The Grand Budapest Hotel" është komedi brilante. Wes Anderson-i është me origjinë nga Houston i Texasit dhe bashkëpunon me shumë aktorë të njohur të Hollivudit - në filmin e tij të ri sheh midis të tjerëve Ralph Fiennes, Willem Dafoe dhe Jude Law. Por megjithatë "The Grand Budapest Hotel" kujton më tepër traditat e shkuara të kinemasë evropiane se kinemanë e Hollivudit. Filmin Anderson-i e ka xhiruar para së gjithash në Gjermani. Në Görlitz të landit të Saksonisë, por edhe në Dresden dhe në studiot filmike të Babelsbergut.

Regjisori projekton në "The Grand Budapest Hotel" të deformuar dhe në mënyrë ironike një tabllo të kontinentit pak para marrjes së pushtetit nga nazistët. Andersoni arrin të japë një komedi të ngrohtë për një epokë të errët, për një Evropë midis luftërave botërore. Por figurat e tij nuk bëhen kurrë qesharake. Duhet të mendohesh gjatë për të kujtuar filma që e kanë arritur me sukses këtë: Charlie Chaplinit në "Diktatori i Madh" ose Ernst Lutschit në filmin "Të jesh apo të mos jesh".