Tendenca radikalizimi në burgje
15 Dhjetor 2018Terroristët islamikë në Evropë kanë diçka të përbashkët, - sfondin e tyre kriminal,. Shumë prej tyre u transformuan në islamistë gjatë burgimit. Ashtu si Anis Amri, vrasësi i tregut të krishtlindjeve në Berlin në vitin 2016. Në rastin e ish-kriminelëve të vegjël dhe vrasësit të dyshuar të Strasburgut, së fundmi edhe Chérif Chekatt, autoritetet hetuese po hetojnë gjithashtu radikalizimin e mundshëm në paraburgim. Nuk është ende e qartë, nëse ai thjesht ishte "vetëm " kriminel apo gjithashtu edhe i radikalizuar. E qartë është që ai ishte i burgosur në Gjermani. Duke pasur parasysh rrezikun e rritjes së radikalizimit në burgjet gjermane, kryetari i Konfederatës së Zyrtarëve të Burgjeve, René Müller, paralajmëron nga mbigarkesa e sistemit penal gjerman.
Z. Müller, kur kriminelët e vegjël shkojnë në burg, duket që problemet fillojnë pikërisht aty. Cila është përvoja juaj?
René Müller: Nuk është e pazakontë që ne të kemi të burgosur që i përkasin spektrit të myslimanëve të radikalizuar. Këta pastaj i fusin në kurth më lehtë të burgosurit që ata duan t'i radikalizojnë.
A është sistemi i burgjeve gjermane i pajisur financiarisht dhe me personel në mënyrë adekuate për ta pasur nën kontroll radikalizimin në paraburgim?
Shumë qartë JO! Ne në dy apo tri vitet e fundit me rritjen drastike të burgjeve nuk kemi qenë në gjendje që ta mbajmë ritmin që duhet, për sa i përket personelit. Neve ende na mungojnë 2,000 punonjës për të kryer detyrat tona më të nevojshme. Këtu përfshihet edhe njohja e tendencave të radikalizimit, ose islamistëve radikalë në burgje. Punonjësit tanë tashmë e kanë parasysh këtë. Por, ne nuk mund të jemi çdokund për shkak të situatës së personelit. Por mund të ndodh ëqë këto tendenca të mos njihen fare.
Kjo ndoshta nuk është vetëm për numrin e zyrtarëve, por edhe për njohuritë e tyre. A Janë kolegët tuaj të trajnuar në mënyrë adekuate?
Para së gjithash, shtetet federale kanë reaguar ndaj tendencave të radikalizimit të dukshme dhe kanë përgatitur plane procedurale.
Çka do të thotë kjo?
Kjo nënkupton se kolegët duhet të kujdesen se kujt t'i raportojnë ata, kur vërejnë tendenca të tilla tek dikush. Ky është një vështrim i përafërt. Natyrisht, kemi provuar gjithashtu të stërvisim kolegët tanë. Por këto seanca trajnimi janë shumë të shkurtra për shkak të situatës së personelit. Normalisht, çdo zbatues i ligjit do të duhej të bëhej i vetëdijshëm për këtë çështje gjatë trajnimit.Por këtë nuk mund ta bëjmë tani. Supozoj se me një përmirësim të gjendjes së personelit
Si mund të vërejmë në fillim nëse një i paraburgosur po radikalizohet?
Nëse dikush në qeli është relativisht i pajisur mirë, për shembull të ketë Playstation dhe revista të caktuara, dhe pas një kohe bëhet e qartë se qelia po bëhet gjithnjë e më spartane, ky është një tregues. Ata gjejnë ndoshta edhe Kuranin. Ata mund të vërejnë se i burgosuri ka ndryshuar fizikisht, në momentin që e lë mjekrën që të rritet. Ata shohin që kriminelët e vegjël në orën e lirë të tyre qëndrojnë me të burgosurit e mirënjohur islamistë së bashku. Natyrisht, këto ende nuk janë dëshmi të radikalizimit, por ne bëhemi gjithnjë e më të vëmendshëm. Dhe nëse një i burgosur pastaj fillon të citojë Kuranin ose të thotë se këtë apo atë e dëshiron Allahu. Më së voni atëherë ndizen zilet e alarmit.
Z. Müller, shkencëtarët nga Kolegji Mbretëror në Londër kishin ekzaminuar dy vjet më parë biografitë e 79 xhihadistëve nga Belgjika, Britania, Danimarka, Franca, Gjermania dhe Holanda. Së paku një e treta e tyre u radikalizuan në burg. Prandaj ky është një problem në mbarë Evropën. Pra, duhet të kërkohet një zgjidhje në mbarë Evropën. A ka bashkëpunime transnacionale?
Nuk kam dijeni. Ne as që kemi bashkëpunimin e duhur midis landeve gjermane. Ne përpiqemi të punojmë edhe përtej kufijve, por kjo ndodh shumë pak.
Çfarë mungon më shumë?
Landet do të duhej të diskutonin rregullisht për tendencat e radikalizimit dhe zhvillimin e të burgosurve. Nëse një i burgosur radikalizohet në një burg bavarez, pastaj lirohet dhe burgoset disa kohë më vonë në Schleswig-Holstein ose Saksoni të Ulët, atëherë kolegët vendas nuk dinë asgjë për tendencat e tij - nëse personi nuk ka rënë në sy të entit të Mbrojtjes së Kushtetutës. Për këtë arsye, një rrezikues potencial nuk mund të kontrollohet në mënyrë të përsosur. Imagjinoni atë në nivel evropian. Nëse të burgosurit nuk janë të regjistruar si emra tek Mbrojtja Kushtetuese dhe të njihen mes landeve, atëherë përfytyrojeni këtë në mbarë Evropën. Për këtë ne kemi nevojë urgjente për të gjetur një zgjidhje.
Intervista u zhvillua nga Ralf Bosen