1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme për vizitë në Rusi

11 Gusht 2020

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, ishte për vizitë në Rusi, ku u takua me homologun e tij rus Sergej Lavrov.  Takimi bëri të qartë edhe një herë se çfarë i bashkon dhe çfarë i ndan dy shtetet.

https://p.dw.com/p/3go0M
Russland: Außenminister Maas in Moskau
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Fischer

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, i  ka kundërshtuar kërcënimet e SHBA-së kundër ndërtimit të gazsjellësit Nord Stream 2 mbi Detin Baltik. "Asnjë shtet nuk ka të drejtë t'i diktojë BE-së politikën e energjetike, tha Maas në Moskë pas një takimi me kolegun e tij rus, Sergei Lavrov. Ai tha më tej se "sanksionet janë mënyrë e gabuar për të ushtruar ndikim ndaj partnerëve".  Maas tha se këtë ia kishte thënë edhe sekretarit të shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo.

Pavarësi energjetike

Gjermania do të angazhohet në kuadër të kryesisë së radhës së Këshillit të BE-së që kjo të ketë më shumë pavarësi, tha Maas. "Evropa ka vlera dhe interesa", tha më tej ai, duke vënë në dukje se për mbrojtjen e tyre duhet folur si me perëndimin, ashtu edhe me lindjen. Maas iu referua kështu kërcënimeve të bëra kohëve të fundit nga SHBA-ja për sanksione kundër kompanive gjermane pjesëmarrëse në gazsjellësin Nord stream 2.  

Verlegeschiff fuer Nord Stream 2
Nord Stream 2, një anije duke vendosur tubacionet për 160 kilometrat e mbetur nga gjithsej 2460 km. Fotografi: picture-alliance/J. Koehler

 

Prej vitit 2017 SHBA-ja po përpiqet të pengojë ndërtimin e gazsjellësit  mbi Baltik. Disa ditë më parë, tre senatorë amerikanë paralajmëruan sanksione kundër portit të trageteve Sassnitz në ishullin Rügen, përpara së cilit një anije po vendoste tubacionet. Kërcënimet shkaktuan zemërim mbipartiak në Gjermani.

Vrasja në Berlin

Por Maas kritikoi edhe Rusinë për sulmet kibernetike ndaj Gjermanisë dhe vrasjen e një gjeorgjiani në Berlin,  pas të cilave pretendohet se qëndron qeveria ruse.  Ishte afro para një viti, më 23 gusht 2019, kur marrëdhëniet ruso-gjermane pësuan një plasaritje. Në parkun Tiergarten në Berlin u vra një çeçen me pasaportë gjeorgjiane nga një person që kaloi me biçikletë

Berlin Kleiner Tiergarten Anschlag auf Georgier
Policia berlineze duke hetuar në vendin ku u vra gjeorgjiani-çeçen. 23.08.2019. Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Zinken

Gjyqësori pritet të japë së shpejti një vendim kundër një shtetasi rus, që u kap qysh në ditën e krimit. Por qeveria gjermane e akuzon qeverinë ruse se nuk po bashkëpunon si duhet. Për këtë arsye, qeveria gjermane në dhjetor i shpalli të padëshiruar dy diplomatë rusë. Moska reagoi më pas me zbimin e dy diplomatëve gjermanë.

Sulmet kibernetike

Një tjetër aferë që rëndon prej vitit 2015 marrëdhëniet gjermano-ruse është një sulm spiunazhi ndaj kompjuterëve të deputetëve të Bundestagut gjerman. Shumë syresh, ndër ta, edhe kompjuteri i zyrës parlamentare të Kancelares Merkel,  ishin të infektuar me një  virus spiunazhi.

Symbolbild Cyberattacke Bundestag
Fotografi: picture-alliance/dpa/W. Kumm

Autoriteti i Hetimeve në Karlsruhe ka lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar kundër një hackeri në moshë të re. Ai dyshohet për veprimtari agjenturore dhe spiunazh të dhënash. Merkel e kishte quajtur së fundmi sulmin në Bundestag si një ngjarje të "përbindshme".

Lavrov akuzon Gjermaninë

Në të dyja rastet. Rusia e heq përgjegjësinë nga vetja. Madje, pas takimit të tij me Maas-in, Lavrovi e akuzoi Gjermaninë për sulme kibernetike ndaj Rusisë. Sipas tij, mbi 50 institucione ruse janë sulmuar mbi 75 herë nga segmenti gjerman i internetit nga janari i këtij viti e deri në mes të vitit. Sipas tij Gjermania jo vetëm që nuk ka kooperuar për zbardhjen e rasteve, por përkundrazi, e ka mbyllur bashkëpunimin.

Russland: Außenminister Maas in Moskau
Ministrat e punëve të jashtme Maas dhe Lavrov më 11 gusht 2020 në MoskëFotografi: picture-alliance/AP/Russian Foreign Ministry Press Service

Në një pikë dy krye-diplomatët dukej se ishin në harmoni të plotë: Nord Stream 2.  Lavrovi  u ankua në adresë të SHBA-ve se donin të impononin qëndrimin e tyre në të gjithkund  në botë: Por projekti Nord Stream 2 duhet të përmbyllet dhe "mesa kuptoj unë ka shumë argumente që na bëjmë të besojmë se  kjo do të ndodhë së shpejti."

Gjurmë të së kaluarës

Pas Moskës, Maas udhëtoi për në Shën Petersburg. Pjesa e programit iu kushtua kujtimit të të mbijetuarve dhe viktimave të bllokadës gjermane të Leningradit gjatë Luftës së Dytë Botërore.  Rrethimi i Leningradit (Shën Petersburg) zgjati nga 8 shtatori 1941 deri më 27 janar 1944 dhe shkaktoi përafërsisht 1,1 milionë viktima civile. Qëllimi i bllokadës së shkaktuar nga Ushtria Naziste Gjermane dhe trupat spanjolle të Divizionit Blu, ishte thyerja e popullsisë nëpërmjet vdekjes nga uria. 

Zweiter Weltkrieg WWII Leningrad Sieg
Qendresa e Leningradit është një nga fitoret më heroike në kujtesën kolektive të Rusisë. 1,1 milionë njerëz vdiqën nga uria. Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Ozersky

Në Janar 2019, Ministri i Jashtëm Maas dhe Ministri i Jashtëm Lavrov ranë dakord për një gjest humanitar  nga qeveria gjermane si dëmshpërblim për të mbijetuarit e bllokadës që ende janë gjallë. Projektet që kapin shumë prej afro 12 milionë Euro tashmë kanë filluar të zbatohen.