1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tema "Qipro" diskutohet në Bruksel - Përfytyrime të ndryshme për shtetin e përbashkët

Anke Hagedorn/ Bruksel11 Shtator 2008

Ka lëvizje në çështjen e Qipros pas afrimit të pozicioneve mes liderëve të dy grupeve të popullsisë, Talat dhe Kristofias. Por gjatë bisedimeve të Talatit në Bruksel u bë e qartë se ka ende dallime të rëndësishme.

https://p.dw.com/p/FFzk
Kufiri me Qipron e Veriut
Kufiri me Qipron e VeriutFotografi: AP

Përpjekja e fundit për ribashkimin e Qipros dështoi në prill të 2004-s pas Jo-së së qipriotëve grekë në një referendum pak përpara pranimit të Qipros së Jugut në BE. Me zgjedhjen e komunistit Demetris Kristofias president të ri të Qipros që prej fillimit të vitit ka patur sërisht lëvizje në bisedimet mbi çështjen e Qipros. Kristofias ra dakort parimisht në muajin mars me Mehmet Ali Talatin, përfaqësuesin e qipriotëve turq, për fillimin e negociatave mbi një ribashkim të ishullit të ndarë.

Të dy politikanët e lartë u takuan të enjten (11.9.)për herë të dytë brenda një jave. Prej dekadash palët nuk kanë qenë kaq afër zgjidhjes së konfliktit, tha Talat i cili një ditë më parë (10.9.) diskutoi me BE-në në Bruksel pozicionin e tij . Ai u takua ndër të tjera me komisarin e BE-së për zgjerimin Oli Rehn.

"Klima ka ndryshuar shumë në krahasim me më parë. Tani ka një president qipriot i cili ka bërë të qartë vullnetin e tij për të arritur në një zgjidhje. Pala turko-qipriote ishte që më parë e gatshme. Për këtë arsye unë jam shumë optimist." - tha Talat.

Edhe Andreas Mavrojanis, ambasador i Republikës së Qipros pranë BE-së, sheh një shans unik në atmosferën aktuale relativisht të shpenguar mes liderëve të të dy pjesëve të popullsisë:

"Shanset janë të mira pasi të dy palët njihen mirë, askush nuk vë në diskutim vullnetin e tyre politik për të parë përpara. Sa na takon ne, nëse do të kishim patur mundësi dje të binim dakort do të kishim qenë shumë të lumtur."

Ajo që synohet është një federatë. Se kush do të jetë në krye të saj për këtë ka përfytyrime të ndryshme mes palëve. Modeli i preferuar nga Mehmet Ali Talat:

"Kreu i shtetit do të vendoset në bazë të parimit të rotacionit. Shteti i ri do të jetë një federatë shtetesh me të drejta të barabarta dhe popullsia në të dy pjesët do të ketë të drejta të barabarta politike."

Qipriotëve grekë, të cilët vënë gjithnjë në dukje epërsinë e tyre numerike, iu pëlqen një tjetër model, thekson ambasadori Mavrojanis:

"Nga pala greke parapëlqehet qartë një sistem presidencial me një president dhe një zëvendës president. Qysh në kushtetutën e vitit 1960 qipriotët grekë kanë vendosur presidentin dhe qipriotët turq zëvendëspresidentin. Ky model mund të aplikohet edhe tani."

Vendimtare është megjithatë, dhe këtu palët janë dakort, që në fund të egzistojë një qeveri e aftë për të funksionuar ku palët të mos bllokojnë njëra-tjetrën vazhdimisht.

Një temë e kontestuar mbetet si dhe më parë prania ushtarake turke në Qipro. Një tërheqje të plotë të trupave siç kërkohet nga presidenti Qipriot, përfaqësuesi i qipriotëve grekë e refuzon:

"Reduktim po, tërheqje jo! Edhe në Europë ka trupa të huaja si p.sh. në Gjermani ku janë të stacionuara trupa amerikane. Por numri i ushtarëve do të reduktohet dukshëm në krahasim me sot."

Shifra të sakta mbi numrin e trupave turke në pjesën veriore të Qipros nuk janë të njohura. Vlerësohet se janë rreth 35.000 deri 40.000.

Delikate është edhe çështja e pronësisë në ishull. Në të dyja anët pas puçit ushtarak turk në vitin 1974 tokat janë shfrytëzuar, shitur dhe ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Deri në 20.000 qipriotë grekë dhe rreth 50.000 qipriotë turq u detyruan atëherë të largoheshin nga fshatrat e tyre.

Pavarësisht nga zhvillimet në ishull, mbetet e hapur pyetja se çfarë qëndrimi do të mbajë Turqia. Zgjidhja e çështjes së Qipros është kusht për një anëtarësim të Turqisë në BE. Por pa një premtim në çfarëdo lloj forme për Turqinë që do t'i garantonte në këtë rast anëtarësimin në BE, Turqia ka pak gjasa të heqë dorë lehtë nga pjesa e saj e Qipros.