1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Televotimi - sukses i Eurovizionit

21 Maj 2012

Televotimi është një nga sukseset e festivalit evropian të këngës. Votat i numëron një firmë gjermane nga Köln-i. Rregullat e votimit për ESC-në, me një traditë tanimë 56-vjeçare janë ndryshuar disa herë.

https://p.dw.com/p/14zOd
Holli e Kristalit - këtu mbahet Festivali Europian i Këngës
Holli e Kristalit - këtu mbahet Festivali Europian i KëngësFotografi: picture-alliance/dpa

Minutat e fundit para provës gjenerale të votimit në qendrën e televotimit të ESC (Eurovision Song Contest) në Köln: drejtuesi i ekipit shpjegon se ku duhet të bëjnë veçanërisht kujdes të gjithë punonjësit e firmës "Digame". Ata duhet të garantojnë që të gjitha raportet e votimeve nga të gjitha vendet të hidhen në sistem në kohën e duhur dhe pa gabime.

"Këtu mbizotëron një atmosferë elektrizuese, ne i përfshijmë të gjithë punonjësit e Digame-s në projekt. Kjo do të thotë që secili duhet të kujdeset për vende të caktuara", shpjegon Natalyia Tsenkova. Së bashku me dy drejtuesit e tjerë Werner Klötsch dhe Rene Klimkeit ajo është përgjegjëse që gjithçka të shkojë sipas planit. "Këtu në korridor janë të ulur 60 punonjës, telefonohet me të gjitha vendet dhe secili kujdeset që në fund të merren rezultatet e sakta. Atmosfera është hektike dhe stresuese, telefoni bie çdo minutë", thotë sagt Natalyia Tsenkova. Por në mbrëmje pas përfundimit të festivalit janë të gjithë të kënaqur kur vjen koha që moderatorët lexojnë rezultatet.

Digame bën përgatitjet e fundit
Digame bën përgatitjet e funditFotografi: DW

Përgjegjës për minutat më elektrizuese

Firma "Digame" organizon televotimin, kjo do të thotë që ajo mbledh të gjitha televotat nga vendet pjesëmarrëse, i përpunon dhe bën llogaritjet. "Në fund prej këtej del rezultati dhe ne përcaktojmë fituesin e festivalit. Kjo do të thotë që ne jemi përgjegjës për minutat më elektrizuese të tij", thotë me gëzim Natalyia Tsenkova.

Rregullat e votimit për ESC-në i cili ka tashmë një traditë 56-vjeçare, janë ndryshuar disa herë. Deri në vitin 1998 pikët për këngët në garë mund t'i jepnin vetëm anëtarët e jurive nga vendet pjesëmarrëse. Nëntë vjet më vonë EBU (Unioni Evropian i Radios) vendosi që këtë rol t'ia kalonte publikut. Por pas kritikash të shumta ndaj kësaj praktike, në vitin 2009 juritë u angazhuan përsëri. Votimi i vendeve përbëhet aktualisht 50 për qind nga vlerësimi i teleshikuesve dhe 50 për qind nga juritë. Firma gjermane nga Köln-i "Digame" është përgjegjese për gjithë televotimit që prej vitit 2004.

Si vepron "Digame"

"Digame" është përgjegjëse për përfshirjen interaktive të teleshikuesve edhe në shfaqje popullore në televizionin gjerman si "Deutschland sucht den Superstar" apo "Wer wird Millionär". Në nivel evropian kjo punë është shumë më komplekse. Në festivalin evropian të këngës shumë teleshikues vendosin para televizorit të mbështesin interpretuesit e tyre të preferuar. Ata marrin në telefon në numra të caktuar apo dërgojnë SMS. Pasi dritarja e votimit në ekranin e televizorit mbyllet, punonjësit e "Digame" fillojnë menjëherë të mbledhin votat nga vendet e veçanta. Votat pastaj konvertohen në pikë.

Diskutime për votimin
Diskutime për votiminFotografi: DW

Në hapin tjetër, "Digame" ia përcjell rezultatet në pikë vendeve të veçanta, ku moderatorët respektivë lexojnë rezultatet. Mesazhet SMS përpunohen në kohë reale nga "Digame" dhe thirrjet telefonike nga operatorë të telefonisë nga gjithë Evropa, përcillen në Köln. Të gjitha votat mbërijnë brenda pak minutash. Ekspertët gjermanë për televotimin kanë mundësi të ndjekin që nga fillimi se kush duket se do të jetë fitimtari i garës.

Këtë vit teleshikuesit do të kenë përsëri vetëm 15 minuta për votimin, ashtu si tre vjet më parë. Linjat telefonike do të hapen pas përfundimit të performancës së fundit. Ky nuk është ndryshimi i parë dhe as i fundi i rregullave. Këtë e di edhe Rene Klimkeit, një nga drejtuesit e ekipit të "Digame":

"Në anën e publikut krijohen gjithnjë rrugë të reja. Ngjashëm si me telefoninë mobile, tani po bëhet gjithnjë e më interesant interneti dhe në të ardhmen me siguri edhe aty do të mblidhen pikë." Por fillimisht duhen marrë masa për garantimin e sigurisë. Rene Klimkeit paralajmëron se pikërisht në internet pa mekaniznat e duhur mbrojtës "rreziku mund të jetë shumë i madh".

Autor: Jakov Leon / E. Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi